Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev nuk publikoi edhe tani asgjë për shqiptarët. Në shënjestër ministrat Stavrevski dhe Jankullovska.Opozita maqedonase edhe sot vazhdoi me publikimin e materialeve të tjerë të përgjimeve të ashtuquajtura “bomba”, ku në qendër të vëmendjes ishin ministri i financave Zoran Stavrevski dhe ministrja e brendshme Gordana Jankullovska.
Bisedat siç mësohet kanë të bëjnë me fundin e vitit 2012, kur pritej miratimi i buxhetit, ndërsa në bisedat e përgjuara dëgjohen pakënaqësi lidhur me kaosin dhe krizën në buxhetin shtetëror, problemet me kreditë, borxhet e kryetarëve të komunave, presionet për pagesën e borxheve dhe shqetësimet për rritjen e harxhimeve për projekte që nënkuptohet kanë të bëjnë me projektin “Shkupi 2014”.
“Sot do dëgjoni se pse Nikolla Gruevski e Sasho Mijallkov kanë pasur detyrë të dëgjojnë bashkëpunëtorët e tij. Mes tyre janë Gordana Jankullovska e Zoran Stavreski. Miliona kreditë nga jashtë për miliona në buxhet, ku janë vënë në pikëpyetje punonjësit në administratën publike. Këto janë pranuar me gojën e vet nga Stavreski e Jankullovska për atë që ne rekomanduan, kaosin në buxhet dhe kolapsin në ekonomi, gjatë rebalancit të buxhetit, por edhe buxhetin e vitit 2014”, theksoi Zaev.
Mes tjerash në bisedën mes Stavreskit e Jankullovskës spikat në bisedë edhe paraqitja e ambasadorit të BE-së, Aivo Orav në një bisedë me ministren Jankullovska, ku kanë biseduar për ndërhyrjen e policisë në një protestë të qytetarëve para komunës Qendër në Shkup.
“Shkova në vikend, më lajmërohen nga Brukseli… Këtë që e bën VMRO nuk bëhet askund”, theksohet në bisedë, ku për këtë siç thuhet ambasadori i BE-së Orav i ka thënë Jankullovskës. Në këtë bisedë ndëgjohen edhe fyerje në adresë të ambasadorit Orav dhe zyrtarëve të tjerë të BE-së në Shkup, për të cilët thuhet se janë të korruptuar.
Në kuadër të këtyre bisedave shprehen shqetësime dhe ankesa të dy ministrave në adresë të kryeministrit Nikola Gruevski.
Por, Zaev i pyetur lidhur me çështjet se përse kursehen shqiptarët dhe pse nuk publikohen të dhëna lidhur me rastin “Monstra” dhe për vrasjen e ish-komandantit Harun Aliu, u përgjigj:
“Nëse më pyetni se a posedoj argumente për vrasje të porositura, atëherë përgjigja ime është jo. Por mund të them se posedojmë dëshmi për gjëra lidhur me proceset gjyqësore konkrete që i përmendët ju”, deklaroi Zaev.
Sipas tij, nuk do të kursehen faktet për politikanët shqiptarë dhe se për këtë theksoi se do të publikohet gjithçka në të ardhmen.
“Duhet të keni durim që e vërtëta e plotë të dal në shesh, hap pas hapi para opinionit. Nëse diçka fshehim unë dhe opozita, atë e posedon Mijallkovi dhe ai do të publikojë dhe do ta publikojë duke na goditur edhe neve”, deklaroi Zaev. (INA)