Takimi i Tiranës i vendeve të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore pati në fokus agjendën e kooperimit rajonal, por dhe reagimin e përbashkët për valën terroriste të IS.Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikën e jashtme dhe sigurinë, Federica Mogherini, e anulloi në momentet e fundit udhëtimin për në Tiranë, si pjesëmarrëse në takimin informal të ministrave dhe zyrtarëve të ministrive të jashtme të 13 vendeve, që janë pjesë e procesit të bashkëpunimit të Europës Juglindore, SEECP. Por organizatorët u përpoqën të ruanin vëmendjen maksimale të 35s së pranishme. Situata në rajon, dhe niveli i kooperimit mes vendeve, ne projekte dy a shumëpalëshe, hapat për integrimin e vendeve aspirante në BE etj., nuk ishin të vetmet pjesë të agjendës kryesore. Pasi ra në sy dhe hapësira që i ishte lënë në deklaratën finale luftës kundër terrorizmit, marrëveshja për reagime të përbashkëta në parandalimin dhe frenimin e aksionit të shtetit islamik, IS. U nënvizua fakti se terrorizmi nuk ka “asnjë lloj justifikimi dhe s’duhet t’i përcaktohet asnjë nacionaliteti besimi fetar apo grupi etnik”. Gjithashtu delegacionet pjesmarrëse shprehën shqetësim të madh për rritjen e aktivitetit dhe kërcënimit terrorist, veçanërisht në zona të Europës Jugore, që kërkon angazhim për veprime politike e gjetjen e rrugëve për ta luftuar në front të gjerë atë.
Produkti dhe bilanci i bashkëpunimit është modest
Eksperti i shkencave politike, prof. asc. Afrim Krasniqi e shikon bashkëpunimin rajonal në dy nivele, në atë politik, ku shkëmbimet janë pozitive, bilanci është pozitiv dhe secili vend përpiqet të japë kontributin e vet, duke tentuar edhe rolin e lidershipit në këtë proces. Ai i përshkruan nisma të tilla, siç është procesi i bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore, SEECP-i, më shumë politike, sesa praktike. Në nivelin konkret, produkti dhe bilanci i bashkëpunimit është modest, thotë prof. asc. Afrim Krasniqi për DW.
“Mungojnë projektet rajonale, mungojnë ofertat konkrete ndërshtetërore dhe mungojnë vullnetet politike për t’i shndërruar rezolutat dhe angazhimet politike në rezultate praktike për shtetet, shoqëritë dhe qytetarët e tyre. Për shembull, shkëmbimet tregtare ose projektet në mes më shumë se dy shteteve janë në kuota minimale në EJL, nëse i krahasojmë ato me modele pozitive si vendet baltike apo vendet e Evropës Qendrore. Gjithsesi, takimi i fillimit të kësaj jave i SEECP-it dhe rezoluta kundër terrorizmit janë pozitive, por njëherësh, është një temë që nuk ka opozitë në EJL, pra është pikë ku çdo vend ka interes strategjik individual, rajonal dhe më tej. Gjithsesi do të ishte pozitive nëse secili vend inicion më shumë takime formale dhe informale midis fqinjëve rajonalë, në mënyrë që fusha e bashkëpunimit të jetë më e gjerë dhe pritshmëria të tejkalojë pritjet dhe aktet protokollare”.
Ish-ministri i Integrimit, Marko Bello mendon se takimi në kuadër të procesit të bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore, SEECP, kryesimin e radhës së të cilës e ka Shqipëria, është tregues se shtetet e rajonit kanë lënë pas të kaluarën e hidhur. Ato janë fokusuar tek dialogu, bashkëpunimi, hapja e tregjeve, lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitaleve. Gati gjysma e shteteve anëtare të SEECP-it janë anëtare në BE, ndërsa pjesa tjetër, përfshi Shqipërinë kërkon të anëtarësohet sa më shpejt në Bashkimin Europian, thotë Bello për Deutsche Welle-n.
“Rajoni ka perspektivë të qartë europiane, veçse ka ende rrugë të gjatë përpara, deri në plotësimin e kritereve për integrim të plotë në strukturat europiane. Një ndër sfidat mbetet lufta e pamjaftueshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndaj vetë BE po kërkon t’i nxisë vendet e rajonit të heqin dorë nga retorika dhe të realizojnë reforma të qenësishme, duke luftuar konkretisht këto fenomene negative…Përpjekje po bëhen edhe në drejtim të luftës kundër terrorizmit, i cili tashmë kërcënon krejt Europën. Deklarata e sotme shkon pikërisht në këtë drejtim. Rëndësi ka se të gjitha vendet janë të bashkuara dhe të ndërgjegjshme për këto rreziqe dhe me siguri do të rrisin kontributin e tyre konkret në luftën që bota e qytetëruar ka ndërmarrë kundër terrorizmit ndërkombëtar”.
Ish-ministri i Integrimit të Shqipërisë, Marko Bello vë në dukje rolin e protagonistit të Gjermanisë, sipas tij, ajo konsiderohet nga të gjitha vendet e rajonit si promotorja e BE dhe vendi më i fuqishëm i saj, e aftë të ndikojë në përshpejtimin e procesit të integrimit të vendeve kandidate në BE.
Samiti i Berlinit – shndërrimi i interesave e vullneteve në projekte konkrete
“Shembulli i Gjermanisë është padyshim frymëzues për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por, nga ana tjetër, duket se pritshmëria është më e madhe, sesa vetëm angazhimi i këtyre vendeve për të adresuar problemet me të cilat ballafaqohen. Sipas mendimit tim, ka papunësi, varfëri, polarizim dhe shumë pak reforma serioze”.
Për ekspertin e shkencave politike, prof. asc. Afrim Krasniqi, pas Samitit të Berlinit, në gusht të vitit 2014, ka pasur disa sinjale të rëndësishme pozitive, siç ishin takimet në nivelet e larta midis kryetarëve të qeverive të rajonit. Sipas tij, ka pasur edhe nisma në nivel ekspertësh për të kaluar nga vullnetet politike tek projektet konkrete, por deri tani pas më shumë se gjashtë muajsh ende nuk ka asnjë projekt (të njohur) me rëndësi rajonale të prezantuar tek partnerët apo në publikun e vendeve përkatëse. “Për më tepër, kriza ekonomike në rajon vijon të jetë faktor frenues, problemet dhe ndryshimet politike në ndonjë vend rajonal kanë krijuar aty prioritete paralele me atë të Berlinit dhe se në thelb, nga Samiti i Berlinit ende qeveritë e rajonit nuk kanë arritur të përdorin shansin dhe mundësitë për të përfituar në të mirë të demokracisë funksionale dhe sidomos rigjallërimit ekonomik rajonal.
Premtimi për projekte të përbashkëta infrastrukturore, në fushën e energjetikës, të sigurisë kolektive dhe për një hapje cilësore ndaj kapitalit perëndimor vijon të jetë në fazat fillestare dhe krijon skepticizëm, nëse do të realizohet në të ardhmen e afërt. Shqipëria ka interes madhor në suksesin e vizionit të Samitit të Berlinit, por ka nevojë për një trajtim horizontal të këtij momenti, për t’i shndërruar interesat dhe vullnetet në akte konkrete ligjore, ekonomike, sociale dhe administrative. (dw)