Për ekspertët përmbytjet ciklike në Shqipëri nuk janë vetëm klimatike, por lidhen edhe me qendrimin abuziv të njerëzve ndaj mjedisit
Paniku dhe tronditja që krijuan përmbytjet në të paktën pesë qarqe të Shqipërisë, në ditët e para të muajit shkurt, tashmë janë duke u fashitur. Ndërpreja e rreshjeve të dendura të shiut ka rikthyer në kufijtë e zakonshëm rrjedhjet e lumenjve, kryesisht në jug të Shqipërisë, ka larguar ujin nga shtëpitë, sipërfaqet e mbjella, nga vendgrumbullimet e bagëtive dhe bizneset. Autoritetet, familjarët, sipërmarrësit po kuptojnë realisht humbjet e konsiderueshme nga vërshimi i pakontrolluar i ujrave, po evidentojnë gjithçka që “e ka marrë lumi” me shpresën se do të ketë rimbursim.
Këtë rradhë zonat më të prekura kanë qenë në pjesën jugore të vendit, ndërkohë që në rastet e mëparshme skenat e përmbytjeve me dëme kolosale për komunitetin janë regjistruar në veri. Pa dalë ende faturat përfundimtare të kostove, që kanë shkaktuar për banorët, bizneset dhe mjedisin përmbytjet e ditëve të fundit, një gjë mbetet e qartësuar: në Shqipëri shkaqet nuk janë thjesht dukuritë natyre dhe ndryshimet klimatike, por dhe vazhda e gabimeve njerëzore në rreth dy dekadat e fundit.
Çfarë do mbjellësh, do të korrësh!”
Prof. Kristo Goga, ekspert në inxhinierinë hidroteknike, mendon se katastrofat natyrore prekin vazhdimisht pjesë të ndryshme të globit. Sipas tij, në Shqipëri pasojat e tyre amplifikohen dhe rëndohen më shumë nga neglizhenca dhe indiferenca e vendimarrësve, si dhe nga mungesa për një kohë të gjatë e investimeve për ndërtimin dhe fuqizimin e një infrastrukture mbrojtëse dhe parandaluese për raste të tilla. Duke shikuar pamjet e sipërfaqeve të mëdha të tokave nën ujë vërtetohet fakti i degradimit të sistemeve të kullimit, thotë prof. Goga për Deutsche Welle-n.
“Mjafton vetëm ky aspekt që të kuptosh se ku ka shkuar puna. Duke mos bërë investime, ose duke shpenzuar ndonjë fond sa për dukje, infrastruktura e kullimit është në pikë të hallit. Atëherë çfarë duhet të presim? Duhet të presim që uji që përmbyt qindra e mijëra hektarë të largohet me shumë ngadalësi, duke zëvendësuar makineritë bujqësore me gomone ose varka, duke shkatërruar prodhimet, duke dëmtuar përmbajtjen e tokës, duke shkaktuar kasaphanë në vendqëndrimet e bagëtive etj. Hidrovoret duhet të jenë të gatshme që më 1 tetor, po kështu dhe argjinaturat mbrojtëse. Po në dy dekadat e fundit këto detyrime për pushtetin lokal dhe atë qendror neglizhohen. Çfarë do mbjellësh do korrësh!”
Prof. Kristo Goga shton dhe pakujdesin që ka në projektimin e autostradave dhe ngritjeve të veprave të artit përgjatë tyre, që sipas tij, nuk parashikojnë raste të katastrofave natyrore që shoqërohen me daljen nga shtrati të lumenjve, gjë që shkakton kosto shumë të lartë në riparimin dhe normalizmin e tyre.
Prof. Sazan Guri i kthyer nga një inspektim në qarkun e Fierit dhe të Beratit thotë se pasiguria nga përmbytjet është e vazhdueshme në Shqipëri. Arsyeja kryesore është gabimi njerëzor nga niveli qytetar e deri tek vendimmarrja e politikbërja e kahershme, thotë ai për Deutsche Welle-n. “Eshtë e pafalshme që ka vijuar pa pushim zënia e hapësirave të rrjedhjes së lumenjve me ndërtime urbane. Ka madje dhe ndërtime industrialo – blegtorale pranë argjinaturave mbrojtëse. Kur bie shi presin mbrojtje nga argjinaturat, kur ka diell i dëmtojnë dhe i vjedhin. Nuk mund të harrojmë fenomenin agresiv për prerjen masive të pyjeve. Ka një shprehje të goditur popullore që thotë: ‘Atë që i bën lumit në kodër, prite në fushë…'”
Prof. Guri shprehet se në përballimin e katastrofave në Shqipëri është zakon që të bëhet shumë politikë. Sipas tij, ata që harxhojnë më tepër fjalë e deklarata 35tike janë politikanët, ndërkohë që në plan të parë duhet të jenë ekspertët, grupet e specialistëve, të cilët kanë aftësinë të tregojnë me korrektësi atë që ndodh, si dhe atë që pritet të ndodhë.
“Ky do të ishte orientimi më i mirë i publikut në raste të tilla. Ky do të ishte motivimi më i mirë për të përballuar sa më shpejt dhe me sa më pak dëme rastet e emergjencave, duke krijuar sinergji pozitive në tejkalimin e situatave kritike.”
Koordinimi me pushtetin vendor
Zamir Muça, kordinator për marrëdhëniet me publikun në Kryqin e Kuq Shqiptar, ka ndjekur nga afër situata të tilla problematike prej rreth 25 viteve. Për përmbytjet e fundit ai tregon se në veprim nuk janë vetëm strukturat e brendshme të KKSH, por dhe partnerët ndërkombëtarë të kësaj organizate, për të përballuar një operacion mbështetje për dymijë familje të prekura në pesë qarqe të vendit, plus dhe 500 të tjera që mbështeten nga një kompani e telefonisë mobile. Rëndësi të dorës së parë ka koordinimi me pushtetin vendor në mënyrë që ndihma të shkojë te njerëzit në nevojë, thotë ai për Deutsche Welle-n. “Të ndihmosh në rradhë të parë do të thotë të jesh i përgatitur për të realizuar përgjegjësitë që ke marrë. Nuk ka rëndësi nëse je një shoqatë humanitare apo një institucion, por duhet investuar për të ruajtur dinjitetin e atij që është në nevojë, në mënyrë të veçantë në kushtet në të cilat ndodhet. KKSH ka përvojë të vyer në përgatitjen dhe ndërhyrjen në raste katastrofash. Prej kohësh jemi të fokusuar edhe për ndërgjegjësimin e vetë komunitetit për rrezikun që atij i kanoset nga katastrofat natyrore dhe për mënyrën se si ai vetë mund të kthehet në një kontribues për mirë në lehtësimin e pasojave”. (dw)