Shanset e qytetarëve nga Kosova për azil në Gjermani janë zero

Presidenti i Zyrës Federale Gjermane për Migracion dhe Refugjatë, Dr. Manfred Schmidt, për Deutsche Welle shpjegon rregullat për azil në Gjermani dhe çfarë parashikon ligji për rastet e kërkesave nga shtetasit e Kosovës. Ai thotë se shanset për azil të Kosovarëve në Gjermani janë zero.Zoti Schmidt, vetëm në dy muajt e fundit, sipas disa vlerësimeve, nga Kosova janë larguar më shumë se 30.000 kosovarë. Shumë prej tyre synojnë të vijnë në Gjermani, me shpresë se këtu do të gjejnë një jetë më të mirë. A mund të konfirmoni rritjen e numrit të kosovarëve që kanë ardhur këto ditë dhe javë në Gjermani dhe sa reale është shpresa e tyre që në Gjermani të gjejnë një jetë më të mirë?

Dr. Manfred Schmidt: Unë vërtetë mund të konfirmoj se këto ditë është shtuar dukshëm numri i kosovarëve që po vijnë në Gjermani. Në statistikat tona thuhet se prej muajit dhjetor deri në janar, pra brenda një muaji, është trefishuar numri i azilkërkuesve në sistemin tonë. Nëse krahasojmë periudhën e njëjtë me një vit më parë, kemi një rritje të kuotës prej 572 për qind të kosovarëve. Sa i përket pyetjes tuaj, se a mund të shpresojnë këta njerëz fillimin në Gjermani të një jete më të mirë, përgjigja është: Jo. Ne kemi ndryshuar procedurat tona dhe kërkesat e personave me nënshtetësi kosovare për azil po përpunohen me procedurë të përshpejtuar. Ne po përpiqemi që vendimi për secilin rast të merret sa më parë që është e mundur. Kuota e mundësisë për njohjen e së drejtë së azilit është gati 0,0 për qind. Pra kosovarët nuk kanë shanse që të fitojnë të drejtën e azilit në Gjermani. Ne (organet federale) kemi rënë dakord me landet që sa më parë të fillojmë procesin e kthimit të detyruar në Kosovë. Kjo do të thotë që këtyre personave do t’u ndalohet edhe hyrja në të gjitha vendet e Schengenit.

Zoti Schmidt, le t’i shpjegojmë gjërat një nga një. Shumë kosovarë nisen në Gjermani me qëllim që të kërkojnë azil. A kanë shanse ata për azil?

Dr. Manfred Schmidt: Nuk kanë shanse. Në Kosovë kemi një gjende të rëndë ekonomike dhe këtë e dimë edhe ne të gjithë. Por gjendja e rëndë ekonomike nuk mund të rezultojë me mbrojtje si refugjat në Gjermani, dhe në asnjë vend tjetër të Bashkimit Evropian.

Ju me siguri që e dini që Kosova është vendi më i varfër në Evropë dhe se papunësia është mbi 40 për qind. Ndërkohë që Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore. A nuk është ky një shkak i mjaftueshëm që këtyre personave t’u jepet azil për shkaqe ekonomike dhe a ekziston në përgjithësi azili i tillë?

Dr. Manfred Schmidt: Azili për shkaqe ekonomike nuk ekziston. Gjendja e rëndë ekonomike apo varfëria nuk janë shkaqe, të cilat, sipas Konventës së Gjenevës për Refugjatë, dikujt i mundësojnë strehim. Varfëria nuk është shkak për strehim në Evropë.

Zoti Schmidt, ju thatë se i keni thjeshtuar procedurat për shqyrtimin e kërkesave të kosovarëve, që vijnë në Gjermani dhe kërkojnë strehim. Si duket kjo procedurë, sa mund të qëndrojnë kosovarët këtu si azilkërkues dhe pas sa kohe ata kthehen në vendlindje?

Dr. Manfred Schmidt: Ne kemi reaguar ndaj kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme. Procedura është si vijon: fillimisht e përcaktojmë identitetin e personit. Bëhet vlerësimi i gjendjes së sigurisë, merren shenjat e gishtrinjve, bëhet fotografimi biometrik dhe më pas me kolegët tanë brenda 10 ditësh merret vendimi. Pasojnë përgjigjet negative, sepse të gjitha kërkesat janë të paargumentuara. Pas përgjigjes negative, ne kërkojmë prej tyre të largohen nga vendi. Për ata, të cilët nuk largohen vullnetarisht, pason kthimi i detyrueshëm.

A mund të llogarisin këta njerëz me mbështetje sociale, a kanë ku të sistemohen, a kanë për të ngrënë sa duhet, apo thjesht duhet të presin diku në kushte të papërshtatshme, deri sa t’ju vijë përgjigja negative?

Dr. Manfred Schmidt: Ata presin në vendstrehimet e landeve, ku janë pranuar për herë të parë. Ata natyrisht që atje do të marrin gjërat elementare për të mbijetuar. Atje qëndrojnë deri sa të mbërrijë përgjigja jonë negative dhe që atje ata duhet të largohen për në Kosovë.

Ju tërë kohën po flisni “deri sa nuk kemi vendosur negativisht”. A do të thotë kjo se vërtetë nuk do të pranohet asnjëri prej atyre që aplikojnë?

Dr. Manfred Schmidt: Ne nuk do të njohim asnjë prej këtyre kërkesave për azil.

Por zoti Schmidt, Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi ende nuk janë në listën e vendeve të sigurta, në dallim nga Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia. A ka ky fakt ndonjë rëndësi për kosovarët që vijnë dhe kërkojnë azil?

Dr. Manfred Schmidt: Kosova nuk është vend i pasigurtë, por ende nuk është radhitur ndër vendet e sigurta, si këto tri vendet e tjera që përmendni ju. Kjo do të thotë se edhe në rastin e qytetarëve të Bosnjes, Serbisë dhe Maqedonisë mund të vendosim kaq shpejt. Ne aktualisht jemi duke shqyrtuar mundësinë që edhe Kosova të radhitet ndër vendet e sigurta. Por fakti që ende nuk është radhitur ndër vendet e sigurta, nuk ka aspak ndikim në kërkesat e paargumentuara për azil dhe të gjithë do të refuzohen.

Zoti Schmidt, ju me siguri që e keni parë se në Gjermani dhe vendet e tjera po vijnë edhe familje me fëmijë të vegjël dhe me gra. Cilat janë kushtet ku sistemohen këta njerëz?

Dr. Manfred Schmidt: Ata vendosen në vendstrehimet e landeve. Ato janë vendstrehime të përbashkëta, me një hapësirë relativisht të ngushtë. Në këto vendstrehime paraprake atyre u duhet të presin edhe vendimin. Këto nuk janë vendstrehime të mira. Por atje natyrisht që ekziston përkujdesi elementar për ta. Theksoj, se nuk ka asnjë lloj mundësie që personat që kërkojnë azil të mbeten për një kohë më të gjatë në Gjermani. Nëse dikush do të vijë në Gjermani, kjo vlen edhe për kosovarët, ekziston mundësia e ardhjes legale. Nëse dikush gjen një vend legal pune në Gjermani, duhet të shkojë dhe të kërkojë vizë në ambasadën gjermane në Kosovë. Në këtë mënyrë sigurohet ardhja legale në Gjermani. Por jo përmes azilit dhe ardhjes ilegale në Gjermani. /Deutsche Welle/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>