Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, ka deklaruar se Lista Serbe ende nuk ka vendosur për hapat që do të ndërmarrë rreth pjesëmarrjes në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.Stjanoviq ka thënë se vendimi rreth kësaj çështjeje, do të merret pas takimeve tjera që do të zhvillohen ndërmjet kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq dhe serbëve të Kosovës.
Lista Serbe ka shprehur pakënaqësinë e saj me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për të shkarkuar tashmë ish ministrin për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq.
Ky i fundit i kishte quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë të cilët po përpiqeshin t’i pengonin pelegrinët serb të vizitojnë Gjakovën për Krishtlindjen Ortodokse, më 6 janar. Deklarata e tij kishte nxitur protesta të dhunshme në Prishtinë, në janar të këtij viti , të cilat quan deri te vendimi i kryeministrit Isa Mustafa për shkarkimin e tij nga posti.
Deri në marrjen e vendimit, Lista Serbe do të mbajë të ngrirë përfaqësimin në institucionet e Kosovës. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Lubomir Mariq, ministër i Administratës së Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës.
“Statusi ynë në fakt është i ngrirë, përderisa të mos marrim vendim në takimin e përbashkët i cili do të mbahet me të gjithë përfaqësuesit serb në Kosovë”, ka thënë ministri Mariq. Ky takim, sipas tij do të mbahet ditëve në vijim.
Sikurse ministrat, edhe deputetët nga Lista Serbe nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq, punën nuk e kanë ngrirë kryetarët e komunave ku kryetarë janë serbët.
Vlladeta Kostiq, kryetar i komunës së Graçanicës shpreson që përfaqësuesit serbë të vendosin në favor të pjesëmarrjes dhe vazhdimit të punës në institucione.
“Mund të flas vetëm në emrin tim, duke shprehur mendimin tim personal që shpresoj sinqerisht që ky rrëfim sa më shpejtë të përfundojë dhe që më në fund do të fillojmë të punojmë në mënyrë që përfaqësuesit serbë në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, të fillojnë me punën e tyre. E puna e tyre kryesore është që të mbrojnë interesat e bashkësisë serbe në Kosovë”, ka thënë Kostiq.
Ndërkohë, ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiq, këshillon Listën Serbe që pavarësisht situatës së krijuar pas shkarkimit të Aleksandar Jabllanoviqit, përfaqësuesit serbë të kthehen dhe të marrin pjesë aktive në punën e institucioneve të Kosovës. Mbi të gjitha, ai thotë se kjo Listë do të veprojë vetëm sipas direktivave të Beogradit.
“Këtë Listë e ka krijuar Beogradi, andaj nuk duhet pritur asgjë tjetër, ngase për çdo vendim të rëndësishëm do të konsultohet me Beogradin”, ka thënë Miletiq.
Sipas tij, kjo Listë do t’i mbronte interesat e serbëve, siç pretendon, vetëm nëse do të jetë brenda Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Përfaqësues të Listës kishin thënë se për pjesëmarrje ose jo në Qeverinë e Kosovës, do të vendosnin pas takimit të mbështetur nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili u mbajt në Bruksel më 9 shkurt.
Takimi i Brukselit tashmë ka përfunduar, por ende nuk është konfirmuar se kur do të mbahet takimi i kreut të Qeverisë së Serbisë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. (rel)