Komisioni Europian zhvilloi në Bruksel një samit për Ballkanin me pjesmarrjen e kryeministrave të Rajonit. Përpara nisjes së tij kryeministri Edi Rama është takuar me homologun serb Aleksandër Vuçiç.
Ata folën për projektet e përbashkëta të vendeve të Ballkanit të cilat janë diskutuar edhe në samit. Të dy kryeministrat dhanë mbështetjen e tyre për autostradën Nish-Prishtinë-Durrës, hekurudha që do të lidhë Beogradin me Budapestin dhe autostrada Adriatiko-Joniane që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Kroacinë në veri e Greqinë në jug të vendit tonë.
Duke folur për marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, Rama është shprehur se ato janë të rëndësishme për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik e social të Ballkanit dhe Europës në tërësi.
“Serbia dhe Shqipëria duhet të shohin përpara, duke bërë së bashku për Ballkanin atë që Gjermania dhe Franca bënë pas Luftës së Dytë Botërore për Europën. Është e rëndësishme të kuptojmë të gjithë se Ballkani ka nevojë për Bashkimin Europian po aq sa BE ka nevojë për Ballkanin”- ka nënvizuar Rama.
Kryeministri Vuçiç shprehu mbështetjen e qeverisë serbe për projektet dhe theksoi se “Bashkimi Europian duhet të kuptojë dhe mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se mbështetja projekteve në fjalë do të nxisin ekonomitë e të dy vendeve”.
Kryeministri serb konfirmoi vizitën e tij në Shqipëri në fund të muajit Maj.
Po në Bruksel Rama pati një takim edhe me shefen e diplomacise europiane, Frederica Mogherini. Zyra e saj përmes një njoftimi për median, thotë se është diskutuar rreth zhvillimeve politike në vend dhe reformat që Shqipëria po ndërmerr, sidomos pasi fitoi statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian vitin e kaluar.
Shqipëria, theksohet në njoftim, ka një perspektivë të qartë europiane dhe ne sot biseduam për mënyrën sesi mund të shkohet përpara në këtë proces.
“Unë e përshëndes angazhimin e fuqishëm të kryeministrit Rama në rrugën europiane të Shqipërisë, duke përfshirë punën e nevojshme për reforma” – thotë Mogherini.
Në Bruksel Rama pati takime edhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe atë të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç ku është diskutuar për avancimin e projekteve në infrastrukturë dhe turizëm.
/ Top Channel