Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ndodhet prej disa ditësh në Nju Jork për të nderuar rolin e shqiptarëve për shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Presidenti Nishani vizitoi kryeqytetin e Nju Jorkut, Albany, ku mori pjesë në një numër ceremonish solemne që kishte organizuar me këtë rast legjislatura e këtij shtetit.
Gjatë fjalimit në Asamblenë e Nju Jorkut Presidenti Nishani tha se në përfundim të luftës “Shqipëria numëronte një numër disa herë më të madh hebrenjsh në territorin e saj sesa në fillim të Luftës dhe shihet si vendi i vetëm në Evropë që shënon një rekord të tillë”. Me këtë rast, të dyja dhomat e Asamblesë së Nju Jorkut miratuan një rezolutë për rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Po gjatë ditëve të qëndrimit në Nju Jork Presidentit Nishani iu dorëzua medalja e Nderit e Fondacionit ndërkombëtar Raul Wallenberg, për rolin e Shqipërisë në shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke marrë medaljen, Presidenti Nishani tha se ajo i takon të gjithë shqiptarëve, të cilët pa marrë në sy rrezikun strehuan dhe shpëtuan me qindra hebrej gjatë luftës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës gjatë programit televiziv Ditari, presidenti Nishani foli për sfidat në sistemin e drejtësisë si dhe për procesin e dekriminalizimit.
Zëri i Amerikës: Zoti President! Gjatë qëndrimit tuaj në Nju Jork, përveçnderimit të përpjekjeve të Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ju patët takime me komunitetin shqiptar dhe me disa figura të tij. Çfarë roli ka ky komunitet për Shqipërinë? A mendoni se Shqipëria ka bërë sa duhet për të tërhequr energjitë e komunitetit shqiptaro-amerikan për zhvillimin e vendit?
President Bujar Nishani: Së pari, unë do të desha të ndalem tek vlerësimi dhe nderimi i rolit prej dekadash dhe, pse jo, historik të diasporës shqiptare në Amerikë, nisur nga figurat e para të diasporës shqiptare si Noli, Konica e mjaft të tjerë burra të shquar, të cilët punuan gjithmonë për çështjen kombëtare shqiptare. Pastaj është diaspora antikomuniste në Amerikë, e cila gjithmonë përkrahu popullin shqiptar dhe nxiti administratën amerikane, që të ishte pranë popullit shqiptar për të kaluar vitet e errëta të komunizmit në Shqipëri. Po ashtu pas rënies së sistemit komunist në Shqipëri diaspora shqiptare luajti një rol të jashtëzkonshëm për të lobuar pranë administratës amerikane, e cila duhet të ishte pranë Shqipërisë në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e lirisë dhe ekonomisë së tregut. Momentet e veçanta të historisë së kombit shqiptar, të çlirimit të Kosovës dhe pavarësisë së saj gjithashtu patën përkrahjen dhe angazhimin e diasporës shqiptare. Sot ka gjenerata të reja, të cilët jo vetëm janë bërë pjesë e rëndësishme e jetës në Amerikë, por edhe pjesë e administratës në SHBA. Ne gjithmonë e kemi një obligim të rëndësishëm ta vëmë në dukje ekzistencën dhe aktivitetin e tyre.
Për të ardhur tek pjesa e dytë e pyetjes tuaj; unë jam absolutisht i pakënaqur me aq sa shteti dhe institucionet shqiptare dhe shoqëria jonë në tërësi bën jo vetëm për të evidentuar këtë kontribut të jashtëzakonshëm, por edhe për të bërë pjesë më aktive diasporën shqiptare, kapacitetet intelektuale të saj, dëshirën dhe vullnetin e saj edhe përparimin e mëtejshëm të institucioneve në Shqipëri.
Zëri i Amerikës: Zoti Nishani, gjyqësori mbetet një nga sistemet më të diskutuara në Shqipëri, nga njëra anë lidhjet dhe ndikimet politike, dhe nga ana tjetër korrupsioni. Pak ditë më parë ambasadori gjerman në Tiranë deklaroi se gjyqtarët e nisin ditën e punës duke marrë zarfet, pra ryshfetet. Madje një vit më parë edhe ju keni folur për gjyqtarë, që mendojnë për zarfet. Megjithatë deri tani nuk kemi parë ndonjë gjyqtar, që të dënohet apo ndëshkohet për rryshfet apo korrupsion…
President Bujar Nishani: Ashtu është dhe në fakt shqetësimi im i përhershëm ka qenë që ne duhet të largohemi përfundimisht nga retorika. Retorika nuk është e nevojshme, retorika nuk sjell ndryshimin, retorika nuk bën realisht reformat. Shqipëria ka nevojë për reforma të thella në shumë fusha, por veçanërisht në fushën e drejtësisë, posaçërisht në atë të gjyqësorit. Dhe unë e kam theksuar gjithë kohës që kam qenë në zyrën e presidentit të Republikës dhe do të vazhdoj ta them se baza për të filluar dhe për të realizuar një reformë në sistemin e drejtësisë është vullneti, kryesisht vullneti politik. Ndaj unë i kam thirrje vazhdimisht vendim-marrësve; legjislativit, qeverisë, klasës politike në tërësi që të shpalosë një vullnet të qartë e të vërtetë për të nisur një reformë në sistemin e drejtësisë, për t’u shkëputur një herë e mirë nga idetë e pasjes së influencave të politikës dhe të njerëzve me pushtet në legjislativ apo ekzekutiv mbi sistemin e drejtësisë gjithmonë në interes të objektivave të ndryshëm politikë për ta bërë gjyqësorin një instrument në shërbim të shtetit të së drejtës. Nëse nuk do të paraqitet një vullnet i qartë e i fortë për të ndërmarrë reforma, çdo angazhim tjetër do të mbetet në kuadrin e retorikës.
Zëri i Amerikës: Ambasadorja e BE-së në Tiranë u shpreh ditët e fundit se KLD nuk po merr pjesë në diskutimet për reformat në drejtësi. Si iu përgjigjeni këtyre kritikave?
President Bujar Nishani: nuk e kam dëgjuar këtë deklaratë, për hir të të vërtetës, duhet t’iu them që sapo mori ftesën për të marrë pjesë në komision janë deleguar dy përfaqësues nga KLD; gjyqtari Dritan Hamitaj dhe kryeinspektorja e KLD zonja Marsida Xhaferllari.
Zëri i Amerikës: Zoti Nishani, ka kritika që Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka marrë masa për gjyqtarë të korruptuar. Në Këshill ka patur dhe raste që janë denoncuar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë, duke qenë se nuk justifikojnë dot të ardhurat e shumta, por Këshilli nuk ka vepruar. Si e gjykoni ju këtë?
President Bujar Nishani: Unë nuk e kam parë punën e KLD si një punë të përsosur. Jam munduar gjithmonë si një prej antarëve të këtij Këshilli shpesh herë pa të drejtë vote në vendim-marrjen e Këshillit, por si një nga drejtuesit e KLD për të inkurajuar antarët e KLD që të jenë të përgjegjshëm dhe të angazhuar thellësisht. Unë e kam mbështetur angazhimin e tyre dhe për hir të të vërtetës, vetëm gjatë këtyre dy viteve të fundit ka patur një numër të caktuar gjyqtarësh, të cilët jo vetëm janë përjashtuar nga sistemi gjyqësor. Ka patur prej tyre të cilët i janë deleguar hetimit penal, një pjesë e tyre tashmë janë edhe të dënuar. Por gjithsesi ajo që unë kërkoj dhe do të vazhdoj të kërkoj nga antarët e KLD është që të dalin përtej angazhimeve të tyre në raportet personale që kanë ata me gjyqtarë të caktuar apo t’i qëndrojnë fort presionit që vjen nga politika, i cili për fat të keq vazhdon të jetë i pranishëm në forma dhe në mënyra të ndryshme përmes presionit, përmes korruptimit administrativ dhe jo vetëm financiar të antarëve të KLD por edhe nëpërmjet formave dhe metodave të tjera që vijnë nga pushteti, i cili ka se çfarë ofron në këmbim të favoreve. Unë do të vazhdoj të inkurajoj antarët e KLD, do të mbështes të gjithë integritetin e tyre për të qenë në lartësinë që u kërkon atyre opinioni publik.
Zëri i Amerikës: Këshilli i Lartë i Drejtësisë, u bë disa muaj që funksionon pa nënkryetar, një figurë kushtetuese dhe kyçe këtij institucioni. Kur pritet që ju të bëni emërimin e tij?
President Bujar Nishani: Nënkryetari i KLD ka një detyrë specifike thjesht administrative. Nuk ka të bëjë me punën përmbajtësre të KLD. Ai është një antar si gjithë antarët e tjerë, por është i ngarkuar me drejtimin e administratës. Për fat të mirë, qysh para dy vjetësh është futur funksioni i sekretarit të përgjithshëm, i cili tashmë e zëvendëson krejtësisht nga pikëpamja administrative mungesën e nënkryetarit të KLD. Presidenti do të zbatojë detyrën dhe tagrin e tij kushtetues për ta zgjedhur nënkryetarin e KLD. Por, ashtu si të gjithë jemi të njohur ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka hedhur poshtë dhe e ka quajtur të pabazuar bazën ligjore me të cilën parlamenti mori vendimin për të shkarkuar dy antarët e KLD. Unë besoj që parlamenti do të reflektojë ndaj këtij vendimi të Gykatës Kushtetuese, sepse në fund të fundit, të gjithë jemi të obliguar para këtyre vendimeve. Procedura që u realizua është tashmë pa asnjë bazë ligjore dhe asnjë akt procedurial nuk mund të jetë në fuqi pa një bazë ligjore të caktuar. Ky është thelbi i doktrinës së të drejtës.
Zëri i Amerikës: Zoti Nishani, muajt e fundit në Shqipëri është debatuar gjatë për atë që quhet si dekriminalizim i politikës. Por ndërsa palët në Shqipëri përfshihen me polemika, ambasadorët e huaj janë më konkretë dhe kanë shprehur shqetësim për disa emra, që janë përfshirë dhe në listat e kandidatëve për zgjedhjet vendore. Ju si e shihni këtë situatë?
President Bujar Nishani: Krijimi i kësaj situate është një akt shqetësues dhe na bën me turp që të gjithëve. Nuk mund të parashikohej dhe as të mendohej që në këto vite të demokracisë shqiptare, pas kaq kohësh ne të diskutonim për dekriminalizimin e politikës, parlamentit, institucioneve kaq të larta të shtetit. Si kemi mbërritur në këtë pikë është e turpshme, e papranueshme. Menjëherë duhet reflektim për t’u korigjuar dhe në radhë të parë nga vendim-marrësit e politikës dhe të partive politike. Ne i falenderojmë partnerët dhe miqtë tanë përmes ambasadorëve që kemi në Shqipëri, por janë shqiptarët, institucionet shqiptare, klasa politike, vendim-marrësit shqiptarë, të cilët duhet të zgjidhin dhe të marrin vendimet e duhura. Vetëm ne mund të bëjmë korigjimet. Prandaj unë kam inkurajuar dhe do të vazhdoj të kërkoj me forcë nga drejtuesit e partive politike, nga klasa politike që jo vetëm të distancohen por menjëherë të nxjerrin jashtë radhëve të përfaqësimit të politikës së tyre në parlament dhe në administratën shtetërore të gjithë që kanë rekorde kriminale, pasi është e papranueshme kjo jo vetëm në funksionimin e administratës dhe të vendim-marrjes, por edhe për imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.