Maqedoni akuza për terrorizëm

kumanova shtepiAutoritetet maqedonase njoftuan se tridhjetë pjesëmarrës të grupit të armatosur në Kumanovë, janë marrë në pyetje nga organet hetuese dhe atyre u është caktuar masa e paraburgimit prej tridhjetë ditësh. Pjesëtarët e grupit akuzohen për terrorizëm.

Gjendja në Maqedoni pas ngjarjeve të përgjakshme në Kumanovë, megjithëse e qetë, vazhdon të jetë shqetësuese.

Komuniteti ndërkombëtar është shprehur i shqetësuar për shkak të ngjarjeve në Kumanovë dhe dëshiron që gjendja të mos shkallëzohet dhe të ruhet qëndrueshmëria e Maqedonisë.

Ambasadorët e SHBA-së, BE-së, përfaqësues të larë të zyrave të Natos dhe OSBE-së në Shkup janë takuar me Presidentin maqedonas Gjorgje Ivanov në lidhje me ngjarjet në Kumanovë dhe gjendjen e sigurisë në Maqedoni.

Presidenti Ivanov i ka njoftuar ambasadorët se të gjitha institucionet e sistemit të sigurisë kanë marrë udhëzime për veprime të duhura, me qëllim të pengimit të shkallëzimit të tensioneve dhe destabizlimit të vendit, ndërkohë që, sipas një komunikate nga zyra e tij, ka kërkuar mbështetjen ndërkombëtare për qëndrueshmërinë e vendit të tij. Këtu bën pjesë zhbllokimi, sipas autoriteteve maqedonase, i integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë, zvarritja e të cilave, siç vlerëosjnë ato, ka çuar në krizë politike.

Ndërkohë, ambasadorët e SHBA, BE, Natos dhe OSBE-së mendojnë se nuk duhet lejuar që ngjarjet në Kumanovë të dëmtojnë raportet në shoqëri, ndërsa presin nga drejtuesit e vendit dhe ata politikë që të angazhohen së bashku në dialog mbi të gjitha çështjet, përfshi dhe krizën  që po zgjatë dhe reformat e nevojshme. Ata besojnë se grupi i armatosur në Kumanovë ishte një dukuri e izoluar, meqë përfaqësuesë politik në vend dhe në rajon e dënuan dhunën.

Misioni i OSBE-së, përfaqësues të të cilit hynë në zonë menjëherë pas përfundimit të konfliktit, vlerëson se gjendja mund të kapërcehet duke siguruar një shpjegim të qartë të ngjarjeve përmes hetimeve të hollësishme nga ana e autoriteteve.

Ndërsa, komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian Johanes Hahn ka kërkuar që të gjenden përgjegjësit e ngjarjeve në Kumanovë, në mënyrë që të mos krijohen tensione ndëretnike dhe kjo gjendje të mos jetë arsye për moszgjidhjen e krizës politike.

Ai ka kërkuar, gjithashtu, nga të gjithë personalitetet me përgjegjësi në Maqedoni dhe fqinjësi, që të ragojnë në mënyrë të arsyeshme dhe transparente.

Ndërkohë, njohës të rrethanave politike dhe të sigurisë i marrin me mosbesim njoftimet qeveritare mbi ngjarjet në Kumanovë.

Hysni Shaqiri vlerëson se ndërhyrja e forcave policore në Kumanovë paraqiste rrezik të lartë për banorët për shkak të dendësisë së pupullatës në atë lagje. Ai thotë se politikanët e papërgjegjshëm, sidomos ata shqiptarë, kanë bërë që popullata jo vetëm e kësaj zone, të jetë në një pozitë të mjerueshme.

Zoti Shaqiri, i cili ka qenë deputet dhe nënkryetar i Parlametit të Maqedonisë, pjesëtar i ish-Ushrtisë Çlirimtare Kombëtare dhe vjen nga zona e Kumanovës, vlerëson se politika e këtillë e drejtuar nga ky pushtet dhe kryeministri Nikolla Gruevski e çojnë vendin drejt shkatërrimit.

Ai mendon se shqiptarët nuk kanë nevojë, as interes për ndonjë konflikt të armatosur.  Ai mendon se shqiptarët e Maqedonisë janë të diskriminuar edhe për shkak të statusit juridik-kushtetues të tyre në këtë vend.

Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim, pas një takimi sot të kryesisë qendrore, la të kuptohej se do të angazhohet për një proces transparent hetimor dhe gjyqësor për të përfshirët në përleshjet e 9 dhe 10 majit në qytetin e Kumanovës. Partia shqiptare në pushtet thotë se garanton që institucionet e shtetit do të ndihmojnë banorët në lidhje me dëmet materiale.

Ndërkaq, politikani i parë, i cili e vizioi lagjen e Trimave në Kumanovë është Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social Demokrate, i cili bëri thirrje për ndihmë banorëve të pastrehë. “Duhet patjetër të rregullohet dëmi material. E di se dhimbja shpirtërore, ndjenjat, traumat të cilat i kanë kaluar banorët këtu, deri sa pati përleshje, askush nuk mund t’ua kompensojë”, tha drejtuesi opozitar duke theksuar se është krenar për shkak të popullin i cili qëndron i bashkuar. Popullata shqiptare e lagjes e mirëpriti praninë e tij. (voa)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>