Bazuar në informatat të cilat deri me tash i kanë institucionet e Kosovës, gjatë përleshjes së armatosur në Kumanovë të Maqedonisë, janë vrarë 9 dhe janë arrestuar 21 shtetas të Kosovës.
Autoritetet e Maqedonisë nuk kanë bashkëpunuar mjaftueshëm lidhur me shkëmbimin e informacioneve, ndërkohë që Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe Policia e Kosovës nuk kanë poseduar asnjë informatë të mëhershme, e cila do të paralajmëronte përleshjen në Kumanovë.
Kështu kanë thënë drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Kosovës, në raportimin e tyre para Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka theksuar se Kosova ka qenë në pozitë të palakmueshme për sa u përket informatave nga Maqedonia dhe se një situatë e tillë po vazhdon ende. Për më tepër, sipas tij, autoritetet e Kosovës nuk kanë mundësi që në mënyrë zyrtare t’i njoftojnë as familjet e personave të vrarë, lidhur me vrasjen e të afërmve të tyre.
“Të vetmet informacione që ne i kemi marrë kanë qenë ato që kanë të bëjnë me verifikimin e identitetit të personave dhe kjo është bërë pas një presioni që ne kemi bërë ndaj autoriteteve maqedonase, pas kërkesave të pareshtura, pothuajse në baza ditore, pas incidentit”.
“Përfundimisht, i kanë dërguar informacionet, shënimet gjenerale, të atyre njerëzve në përgjithësi, të cilat ne, përmes sistemeve tona i kemi verifikuar dhe kanë rezultuar si të tilla”, ka theksuar Maxhuni.
Ai ka shtuar se në bazë të verifikimit të informacioneve që i kanë bërë autoritetet e Kosovës, e të cilat i kanë marrë nga autoritetet maqedonase, rezultojnë të jenë 9 shtetas të Kosovës të vrarë dhe 21 të arrestuar.
Ndryshe, mediet në Kosovë, menjëherë pas ngjarjeve në Kumanovë, patën raportuar se Agjensioni Kosovar i Intelegjencës, paraprakisht e kishte lajmëruar kreun e Kosovës, lidhur me konfliktin e mundshëm në Maqedoni.
Anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë insistuar në atë se ka pasur paralajmërime për incidentet e mundshme në Maqedoni dhe kanë shprehur habinë se si nuk janë vërejtur lëvizjet e qytetarëve nga Kosova në Maqedoni.
Ministri i Punëve të Brendshme në qeverinë e Kosovës, Skënder Hyseni, të hënën, e ka mohuar një gjë të tillë.
Ai ka theksuar se as ministria që ai drejton e as policia, nuk kanë pasur asnjë informacion të mëhershëm, që do të shërbente për të tërhequr vëmendjen për ato që më pas kanë ndodhur.
Ministri Hyseni, ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar të asaj që ka ndodhur në Kumanovë.
“Ajo që ka ndodhur atje është nën përgjegjësinë ekskluzive të autoriteteve të Maqedonisë dhe unë sërish po insistoj – është qëndrim i imi personal në këtë rast- që do të duhej lejuar një hetim ndërkombëtar, kompleks, që të evitohen të gjitha mundësitë e spekulimeve, të natyrës çfarë i kemi parë”, tha ministri Hyseni.
Ai ka shtuar se është i gatshëm ta ndajë me qytetarët e Kosovës çdo informacion të cilin e kanë institucionet e Kosovës dhe sipas tij “Kosova, qeveria dhe institucionet, nuk fshehin asgjë dhe nuk kanë sponsorizuar asgjë.
“Qeveria e Kosovës dhe unë si ministër , insistojmë që krizat qeveritare në një vend fqinj, nuk e kemi ndërmend që t’i importojmë në Kosovë, sepse kjo është e rrezikshme politikisht dhe në mënyrë strategjike e gabueshme”, ka thënë Hyseni.
Por, Aida Dërguti, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe anëtare e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjensionit Kosovar për Intelegjencë , ka theksuar se menjëherë pas ngjarjeve në Kumanovë, AKI-ja i ka konfirmuar këtij komisioni se me datën 23 shkurt të viti 2015, ‘raporti për këtë grup i është dorëzuar kryeministrit dhe presidentes, ashtu siç e kanë obligim ligjor”.
“Ndërkohë, kanë thënë, gjithashtu, se për ngjarjet. do të thotë, për zhvillimet e mëhershme kanë qenë në dijeni ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Drejtësisë, si dhe drejtori i policisë…. Meqë kryeministri e ka pasur këtë raport, që nga data 23 shkurt, a u është drejtuar juve si ministër i Punëve të Brendshme, që të ndërmerrni diçka në këtë drejtim, për indiciet që i ka ky raport?”, ka pyetur Dërguti, ministrin e Brendshëm, Hysenin.
Ky i fundit ka thënë se është në diskrecionin e plotë të kryeministrit dhe të presidentes, por edhe të një anëtari të komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, se çfarë ndan me dikë dhe çfarë nuk ndanë.
“Është në të drejtën ekskluzive tuajën por edhe në përgjegjësinë e juaj në këtë rast, si anëtare e komisionit, se çfarë bën publike nga mbledhjet e mbyllura të trajtimit të AKI-së. Aty ju e mbani përgjegjësinë”.
“Pavarësisht nga kjo që thoni se ju kanë thënë juve dhe unë nuk mund ta marr si valide këtë që e thoni, sepse mënyra se si e trajtuat, e keni humbur besueshmërinë time që të besoj në ato që i thoni se Ministria e Punëve të Brendshme ka qenë e njoftuar. Ministria e Punëve të Brendshme as nuk ka pasur raport e as nuk ka pasur asnjë njoftim nga ato që janë dhënë në opinion”, theksoi Hyseni.
Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të hënën ka thënë se për shkak të shprehjes së shqetësimeve në Kuvend, lidhur me gjendjen shëndetësore të shtetasve të Kosovës të arrestuar në Maqedoni, të ndërlidhur me rastin e Kumanovës, institucionet e Kosovës janë duke tentuar që të aranzhojnë një vizitë të një organizate joqeveritare, për shtetasit e Kosovës të arrestuar në Maqedoni.
“Ne jemi duke tentuar që ta autorizojmë Këshillin për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, që t’i lejohet që t’i vizitojë të burgosurit atje dhe në të njëjtën kohë të na e sjellë një raport neve, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Keni parasysh se që nga dita e premte – duhet të dihet publikisht – jemi duke pritur një përgjigje zyrtare nga autoritetet maqedonase”, ka theksuar Veseli.
Ai ka shtuar se lidhur me këtë e kanë kontaktuar ambasadorin e Maqedonisë në Prishtinë, por edhe autoritetet e Ministrisë së Drejtësisë të Maqedonisë. (rel)