Protestuesit janë nisur nga qyteti i Gjakovës, për tu mbledhur para Qeverisë së Kosovës.
Sot kanë paralajmëruar protesta për shkak të Kumanovës organizatat e dala nga lufta dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Po ashtu Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate ka sqaruar kërkesat e familjarëve.
Pas aksionit të Qeverisë së Gruevskit mbi shqiptarët në Lagjen e Trimave të Kumanovës, ku mbetën shumë të vrarë, të plagosur, të arrestuar, dhe shumë shtëpi të rrënuara, Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret as për identifikimin dhe kthimin e trupave të të vrarëve, e as për ndaljen e torturave ndaj të burgosurve.
Tashmë është e qartë se të burgosurit janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po kalojnë nëpër tortura çnjerëzore nga regjimi i Gruevskit. Madje, as në këtë gjendje atyre nuk iu mundësohet mjekimi.
Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se kërkesat e familjarëve të të burgosurve janë të drejta dhe legjitime. Prandaj, kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që urgjentisht të reagojë përballë Qeverisë së Gruevskit, duke kërkuar llogari për gjithë atë që ndodhi në Kumanovë; identifikim dhe konfirmim zyrtar për secilin nga të vrarët; si dhe të kërkojë që menjëherë të ndalen torturat ndaj të burgosurve”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes. /Indeksonline/