Kosovë, gati për autopsinë e dytë të viktimave të “Kumanovës”. Priten ende raportet e para

ardhja-trupave-pajeteProkuroria e Shtetit në Kosovë ka miratuar kërkesën e familjarëve të kosovarëve të vrarë në Kumanovë, që trupave të pajetë t’u kryhet një autopsi e re nga Mjekësia Ligjore kosovare.

Top Channel ka mësuar se, 3 nga 9 të vrarët janë masakruar deri në shpërfytyrim dhe do të jetë pikërisht autopsia e re, ajo që pritet të japë përgjigje ndaj dyshimeve të familjarëve, nëse ndonjë prej tyre është vrarë dhe masakruar, pasi është kapur i gjallë.

“Medoemos, që autopsia tregon çdo gjë. Çdo gjë do të filmohet, çdo gjë do të shenjëzohet dhe ajo do të tregojë gjithçka. Ajo që do të mësohet, në formën e një raporti të autopsisë së dytë, do t’i prezantohet prokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës”, tha Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore.

Gërxhaliu tha se, ekipet e tij janë gati për nisjen e autopsisë, por shtoi se janë duke pritur raportet mjekoligjore maqedonase, për të parë dhe krahasuar ndërhyrjet, që kanë bërë gjatë autopsisë së parë.

“Stafi  i mjekëve të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, sapo mori vendimin që, me të ardhur raportet e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup, ne jemi të gatshëm në çdo minutë, të hyjmë dhe t’i kryejmë brenda ditës, autopsitë e të gjithëve, në departamentin tonë”, tha më tej Arsim Gërxhaliu.

Mësohet se Ambasada e Kosovës në Maqedoni është duke punuar me autoritetet në Shkup, që të merren sa më parë raportet e Institutit të Mjekësisë Ligjore atje, e t’u dorëzohen mjekëve në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Trupat e pajetë të 9 të vrarëve në Kumanovë u kthyen në Kosovë mëngjesin e së premtes, ku u pritën me flamuj kombëtare nga të afërm dhe shumë qytetarë, në pikën kufitare në Hanit të Elezit.

/ Top Channel

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>