Zyrtarë dhe ekspertë nga Mali i Zi, Shqipëria, dhe Maqedonia shikojnë mundësitë e kooperimit ndërsektorial dhe ndërkufitar në menaxhimin e ujërave dhe burimeve natyrore.
Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ shpk (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit, GIZ GmbH) prej vitit 2012 ka zbatuar projektin për “Ruajtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të biodiversitetit në liqenet e Prespës, Ohrit dhe atë të Shkodrës”, CSBL, me iniciativa, procese dhe projekte të vendeve kufitare që kanë të bëjnë me menaxhimin e ujrave dhe burimeve natyrore.
Këto liqene ndahen mes shteteve fqinje, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë duke përfaqësuar një pjesë unike dhe mjaft të spikatur të trashëgimisë natyrore të Evropës. Në këtë fazë të parë të projektit, Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, BMZ, ka shpenzuar një formd preh rreth 2 milion eurosh. Manjola Lala, zyrtare e marrëdhënieve me publikun për këtë projekt, thotë se mbështetja gjermane në të tre vendet lidhet me ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të këtyre burimeve natyrore të çmuara e njëkohësisht vulnerable.
Mbështetja në dy fazat 5 milionë euro
“Krahas vënies në zbatim të një menaxhimi të përshtatshëm të ekosistemit në nivel kombëtar, është me rëndësi thelbësore, që këto tre vende të koordinojnë përpjekjet e tyre dhe të bashkëpunojnë në nivel rajonal në zbatimin e përbashkët të kuadrit rregullator të BE-së në menaxhimin e burimeve ujore dhe ruajtjen e natyrës, i cili është i detyrueshëm për tre vendet në rrugën e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian”.
Ditët e fundit në Tiranë ishin në një diskutim të përbashkët zyrtarë dhe ekspertë nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia në një hapësirë debati dhe shkëmbimi idesh mbi praktikat dhe përvojat më të mira botërore në menaxhimin e baseneve të lumenjve, si dhe për të rënë dakord lidhur me hapat e mëtejshëm që do të përmirësojnë menaxhimin ndërkufitar të burimeve në të tre liqenjtë, në përputhje me objektivat e BE-së në mbrojtjen e mjedisit dhe të biodiversitetit. “Synimi ishte ndërtimi i një plani të përbashkët veprimi në përcaktim të masave që duhen zbatuar për të garantuar konsolidimin e strukturës organzative të institucioneve dhe për të rritur kapacitetet në menaxhimin ndërkufitar të burimeve natyrore”-thotë Lala për Deutsche Welle-n.
Për vijueshmërinë e projektit, BMZ parashikon mbështetjen e një faze të dytë të CSBL, me një investim 3 milion euro, duke e ҫuar faturën e ruajtjes dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve në tri liqenet në 5 milion euro.
Projekte për menaxhimin e një sistemi unik ujor
Inxhinieri Arjan Jovani, drejtor i Departamentit të Sigurisë së Digave të kaskadës së lumit Drin i shikon të lidhura tre liqenet me ujërat e lumit Drin. Sipas tij, ujrat e Prespës rrjedhin përmes nëntokës së zonës në drejtim të liqenit të Ohrit në zonën e Tushemisht dhe nga Ohri del Drini i Zi, i cili mbërrin në Kukës dhe pasi bashkohet me Drinin e Bardhë, i cili vjen nga Kosova, kalon tre liqenet e hidrocentralit të Fierzës, Komanit dhe Vau të Dejës për t’u bashkuar me lumin e Bunës në dalje të liqenit të Shkodrës. Pra, projektet për menaxhimin e rezervave ujore të këtyre tre liqeneve duhet të shikohen si projekte për menaxhimin e një sistemi unik ujor që fillon nga Prespa dhe përfundon në Shkodër, thotë inxhier Jovani për Deutsche Welle-n.
“Ndaj projektet rajonale kanë një rëndësi të jashtëzakonshme në menaxhimin e rezervave ujore. Mjafton të përmendesh bashkëpunimin shumëplanesh të vendeve të Danubit, të cilat e kanë kthyer në një sistem ujor shumë të dobishëm për të gjithë zonën ku kalon ky lum. Në planin konkret projektet shumëpaleshe rajonale në menaxhimin e rezervave ujore kanë rendësi edhe sepse rezervat ujore të këtyre vendeve mund të përdoren për energji, turizëm, peshkim, transport dhe zhvillim urban, me ndikim në zhvillimin ekonomik të të gjitha vendeve tona”.
Eksperti Jovani përmend dhe njërin prej projekteve kryesore të GIZ, përgatitjen e një modeli hidrologjik të pellgut ujëmbledhës të lumit Drin, i cili fillon nga Prespa dhe përfundon në Shkoder dhe ku përfshihen 4 shtete (Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi dhe Kosovë). Përmes ndërtimit të këtij modeli dhe monitorimin dhe menaxhimin e të dhenave hidrologjike të këtij pellgu bëhet e mundur një menaxhim shumë më i mirë i këtyre ujrave, duke bërë të mundur edhe zvogëlimin e rrezikut të përmbytjeve.
“Shpërndarja e informacionit në kohë reale përmes teknologjive moderne të informacionit bën që në rastet e prurjeve të mëdha në kaskadën e Drinit Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, KESH, e ka shumë të nevojshëm informacionin mbi prurjet që vjen nga Maqedonia. Po kështu Shqipëria ka detyrim të shkëmbejë informacion me Malin e Zi për rastet kur mund të ketë shkarkime të mëdha nga hidrocentrali i Vaut të Dejës. Pra, mosbashkëpunimi rajonal ka pasoja të konsiderueshme”- thotë për Deutsche Welle-n, inxhinier Jovani. (dw)