Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për kohë të pacaktuar votimin e amandamentit kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.
Shtyrja e seancës dhe votimit erdhi me kërkesë të shefit të Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci.
Ai e ka arsyetuar këtë kërkesë me faktin se ende nuk është përkthyer drafti final i Ligjit për Gjykatën Speciale i cili është negociuar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Draft-ligji duhet të na vijë nga Brukseli. Ai duhet të përkthehet në të gjitha gjuhët dhe t’u shpërndahet deputetëve. Kështu që propozojmë që kjo seancë plenare të shtyhet derisa t’i kemi materialet e nevojshme për t’i analizuar”, ka thënë Grabovci.
Pas propozimit të PDK-së, grupet tjera parlamentare nuk u deklaruan, përveç Lëvizjes Vetëvendosje.
Glauk Konjufca, deputet i Vetëvendosjes tha se shtyrja do të duhej të ishte deri në pafundësi, në mënyrë që kjo gjykatë të mos themelohet fare.
“Lëvizja Vetëvendosje është vetëm për dy alternativa të mundshme – Gjykata Speciale ose nuk duhet të vijë fare në Kuvend ose do të duhej të shtyhej deri në pafundësi. Cilado prej këtyre alternativave për Vetëvendosjen do të ishte e pranueshme”, ka theksuar Konjufca.
Procedura e votimit solli 78 vota për, 2 abstenime dhe 1 votë kundër.
Pas seancës, deputetja Vjosa Osmani nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, subjekt ky politik në koalicion me Partinë Demokratike, ka thënë se Kuvendi duhet të marrë vendim pozitiv në lidhje me Gjykatën Speciale.
Sipas saj, dështimi eventual do të sillte skenarë shumë më të rrezikshëm për vendin.
“Nëpërmjet votimit të Gjykatës Speciale ne jo vetëm që e kryejmë një obligim ndërkombëtar por po ashtu parandalojmë që të ndodh edhe një skenar shumë më të keq, një draft nga Këshilli i Sigurimi i Kombeve të Bashkuara i cili parasheh kushte shumë, shumë më të këqija sesa këto që janë paraqitur në amandamentin kushtetues i cili do të duhej të votohej sot”, është shprehur Osmani.
Edhe, Sllavko Simiq nga Lista Serbe, subjekt që po ashtu bën pjesë në koalicionin qeverisës ka thënë se shtyrja mund të jetë e kuptueshme për shkak të mungesës së materialit.
Por, sipas tij, me rëndësi është se ka vota për themelimin e gjykatës.
“Ajo që tani është me rëndësi, ky Kuvend ka vota të mjaftueshme në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe Gjykata Speciale të themelohet sa më parë”, ka thënë Simiq.
Ndërkohë, partitë opozitare vetëm e kanë rikonfirmuar qëndrimin e tyre kundër gjykatës speciale.
Kryetari dhe deputeti i partisë Nisma, Fatmir Limaj ka vlerësuar se koalicioni qeverisës të premten nuk i kishte numrat, kështu që kishte shpikur problematikën e harmonizimit të ligjit dhe çështjeve teknike në mënyrë që të vazhdojnë propagandën edhe për disa ditë.
Limaj tha se deputetët nuk duhet ta votojnë këtë gjykatë pavarësisht kërcënimeve e shantazheve, që sipas tij po u bëhen.
“Dua të besoj se frymëzimi i vetëm pse deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do të votojnë është kjo: Ne nuk kemi mandat të votojmë kundër sovranitetit të shtetit tonë dhe pikë. Në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim”, ka deklaruar Limaj.
Kundër themelimit dhe ri-procedimit të amadamenteve në Kuvend është shprehur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes deputetes Donika Kadaj Bujupi.
“Jemi shumë të kënaqur që është shtyrë seanca, mirëpo konsiderojmë se ajo nuk duhet vetëm të shtyhet por nuk duhet të vijë fare si çështje në Kuvend”, ka theksuar Kadaj Bujupi.
Sidoqoftë, përveç arsyetimit të dhënë nga PDK-ja në seancën plenare, besohet se deri te shtyrja e votimit erdhi edhe si rrjedhojë e disa mospajtimeve përbrenda Grupit Parlamentar të PDK-së, ku disa deputetë të kësaj partie ishin shprehur kundër.
Pozicionimi kundër speciales në PDK, vlerësohet se është shtresuar pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe dënimit të shqiptuar ndaj të ashtuquajturit, “Grupit të Drenicës”, ku bëjnë pjesë kryesisht ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët aktualisht bartin poste në Partisë Demokratike të Kosovës.
Gjykata Speciale pretendon që të hetojë tutje supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1999 – 2000. (rel)