Lavrov kritikon BE-në

LavrovMinistri i Jashtëm rus Sergei Lavrov kritikoi Bashkimin Evropian për publikimin e një liste të zyrtarëve evropianë që ndalohen të udhëtojnë në Rusi. Ai i bëri komentet sot në Moskë gjatë një takimi me homologun e tij italian Paolo Gentiloni për të diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe.

Ministri i Jashtëm i Italisë Paolo Gentiloni tha pas një takimi me biznesmenët italianë në Moskë se krijoi bindjen që ata duan ta vazhdojnë punën e tyre në Rusi dhe të kërkojnë atje mundësi të reja.

“Është e qartë se ata dëshirojnë ta vazhdojnë punën e tyre këtu. Sigurisht, ekzistojnë vështirësi por është gjithashtu e qartë se situata e re na jep mundësi të reja,” tha zoti Gentiloni.

Duke folur në prani të ministrit italian, ministri rus Sergei Lavrov tha se Rusia është e zhgënjyer me reagimin e Evropës ndaj masave të Moskës për të ndaluar dhjetëra zyrtarë evropianë të vizitojnë Rusinë. Ai kritikoi Bashkimin Evropian  për publikimin e kësaj liste që duhej të mbetej konfidenciale.

“Ne e dorëzuam këtë listë me kërkesë të BE-së mbi bazën e konfidencialitetit. Por ajo menjëherë u publikua nga mediat. Bashkimi Evropian i cili normalisht nuk komenton për rrjedhjet e informacionit, e bëri listën subjet komentesh.  Pra, unë shoh këtu shkelje të normave etike,” tha ministri rus.

Zoti Lavrov shpjegoi gjithashtu se ata që janë në listën e personave të ndaluar për të udhëtuar në Rusi kanë mbështetur ngjarjet që çuan në përmbysjen e Presidentit ukrainas Viktor Janukoviç në shkurt të vitit 2014.

Rusia fajëson për krizën në Ukrainë atë që ajo e quan ndërhyrje amerikane në një rajon që Moska e ka parë tradicionalisht si sferën e saj të ndikimit.

Kriza në Ukrainë i ka zhytur marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit në pikën e tyre më të ulët që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Por Shteteve të Bashkuara u duhet bashkëpunimit rus për të zgjidhur një sërë çështjesh të tjera globale, si Irani dhe konflikti sirian. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>