Tri çështje kontestuese në projektligjin për Gjykatën Speciale

gjykataLigji për Gjykatën Speciale për Krime Lufte, i negociuar ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Zyrës Ligjore të Bashkimit Evropian, nuk i është proceduar ende Kuvendit të Kosovës.

Kjo ka lënë të nënkuptohet se kanë mbetur ende disa çështje për t’u sqaruar, para se ai të vlerësohet i hartuar dhe i gatshëm për procedurën e miratimit.

Tashmë, sipas njoftimeve ende jo zyrtare, fjala “gjenocid” nuk figuron më në këtë projektligj.

Por, ai thuhet se duhet të përpunohet deri në detaje në mënyrë që të garantojë funksionim të drejtë dhe të paanshëm të Dhomave të Veçanta që do të themelohen në të ardhmen, e të cilat do të drejtohen nga prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Këto dhoma, kryesisht pritet të hetojnë raste të supozuara të krimeve të luftës që pretendohet se i kanë kryer disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj disa civilëve serbë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, numëron tri çështje kryesore të cilat, sipas tij, duhet të garantohen me këtë projektligj.

Fillimisht, ai përmend afatin kohor të funksionimit të Gjykatës Speciale për krime lufte.

“Të jetë një draft-ligj i cili i qartëson gjërat, formën dhe funksionimin e kësaj gjykate. Të përcaktojë qartë kohëzgjatjen e kësaj gjykate se sa, prej kur dhe cila do të jetë periudha kohore – me qëllim që të jetë ky rasti i fundit dhe të mos përdoret shpatë mbi kokën e Kosovës, jo ka pas krime apo nuk ka pas krime”, ka theksuar Grabovci për Radion Evropa e Lirë.

Së dyti, Grabovci thotë se duhet të përcaktohet qartë edhe barazia e palëve në proceset gjyqësore, duke marrë parasysh vetëm dëshmitë e dëshmitarëve kredibil, dhe jo dëshmitë e atyre, që sipas tij, për përfitime personale apo për një strehim në ndonjë shtet tjetër, shpifin kundër figurave të luftës në Kosovë.

Kurse së treti, sipas deputetit Grabovci, duhet të përcaktohet edhe e drejta e kthimit të arkivit të kësaj gjykate në Kosovë.

“Do të jemi insistues që edhe arkivat e kësaj gjykate duhet t’i kthehen herëdo kurdo Kosovës, sepse vlerësojmë se është një pjesë e historisë së vendit tonë, shtetit tonë, popullit tonë dhe gjeneratave që do të vijnë nuk guxojmë t’u bëjmë padrejtësi dhe t’ua mohojmë që të njihen, të informohen me një pjesë të historisë së popullit të vet, të kombit të vet”, ka thënë Grabovci.

Nga Komisioni për Legjislacion, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës,Armend Zemaj ka konfirmuar për programin tonë se Qeveria e Kosovës nuk i ka proceduar ende Kuvendit draft-ligjin për Gjykatën Speciale.

“Komisioni deri më tani nuk ka marrë asnjë dokument zyrtar që është në formën e projektligjit për t’iu nënshtruar debatit për seancë plenare”, ka thënë Zemaj.

Ndërkohë, partitë opozitare vazhdojnë të kundërshtojnë themelimin e kësaj gjykate. Përderisa Lëvizja Vetëvendosje nuk e kishte përjashtuar as protestën si mjet kundërshtimi, dy partitë tjera në opozitë nuk e konfirmojnë e as mohojnë mundësinë e protestave.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi ka thënë se aktiviteti politik kundër kësaj gjykate është duke vazhduar, kurse për hapat tjerë, sipas saj, opinioni do të njoftohet në ditët në vijim.

“Veprimet tona janë parlamentare dhe i thërrasim edhe të gjithë deputetët e tjerë që kjo e keqe të parandalohet. Ashtu siç kemi thënë në vazhdimësi, konsiderojmë që gjykata nuk duhet të sillet fare për miratim në Kuvend, sepse është një proces krejt jolegjitim, i cili shkon jashtëzakonisht shumë në disfavor të sovranitetit të vendit tonë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Donika Kadaj Bujupi.

Gjykata Speciale pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1999 – 2000.

Në bazë të këtyre supozimeve, një Task Forcë ndërkombëtare e kryesuar nga prokurori amerikan Clint Williamson kishte zhvilluar edhe një hetim të gjerë që zgjati tri vjet.

Ndërsa, në Kosovë ka shumë dilema rreth kësaj gjykate, dhe nga faktori ndërkombëtar janë përsëritur mesazhet politike se dështimi eventual i Kosovës që ta themelojë atë, do ta çonte çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>