Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni ende mban në fuqi masat e nivelit të lartë të gatishmërisë, pas ngjarjes së Kumanovës.
MPB ka theksuar se masat e sigurisë vlejnë në gjithë vendin, ku policia është në gatishmëri të përballet me çdo sfidë të sigurisë.
“Udhëzime dhe paralajmërime për aksione të mundshme hakmarrëse lidhur me aksionin policor në Kumanovë më 9 maj dhe niveli më i ngritur i masave të sigurisë që përmbahen në telegramin me instruksione që MPB e dërgoi deri tek personat udhëheqës në ministri, edhe më tej janë në fuqi” konfirmoi për “Meta” zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Edhe në vendet fqinje ka gjendje të lartë gatishmërie dhe kjo situatë po ndiqet në Kosovë, ku autoritetet theksuan se kanë ngritur nivelin e sigurisë për shkak të sulmeve të mundshme, masat të ngjashme ndërmarrin edhe organet maqedonase të sigurisë. Masat e larta të sigurisë janë edhe në zonën kufitare Maqedoni – Kosovë, ku policitë kufitare të të dyja vendeve po bashkëpunojnë dhe ndjekin situatën. (INA)