Ministrat evropianë të financave diskutojnë për Greqinë

eu flamuriMinistrat evropianë të financave u mblodhën në Bruksel për një takim të ngutshëm, ku qeveria greke pritej të bënte propozime të reja për të siguruar një marrëveshje ndihme dhe për të shmangur daljen e vendit nga Eurozona. Përballja e sotme mund të përcaktojë gjithashtu nëse bankat greke do të rihapen gjatë kësaj jave, apo do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura.

Një zyrtar i lartë i Eurozonës tha se Greqia do t’u paraqesë një propozim të ri kreditorëve evropianë “ndoshta” të mërkurën.

Zyrtari, i cili nuk deshi të identifikohet, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Greqia do të paraqesë një kërkesë të re dhe një skicë propozimesh për ndihmë financiare.

Trysnia mbi Athinën është rritur, ndërkohë që një nga huadhënësit e saj kryesorë, Banka Qendrore Evropiane, ka vendosur të mos rrisë sasinë e fondeve emergjente për bankat greke. Pa ndihmë nga jashtë, këto banka pritet të mos kenë më para të mërkurën, në një kohë që Greqia përsëri nuk do të jetë në gjendje të shlyejë pagesën ndaj kreditorëve evropianë këtë muaj.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker i tha sot Parlamentit Evropian se qeveria greke duhet të dalë me propozime për të zgjidhur krizën e borxhit.

“Topi është në fushën e qeverisë greke dhe qeveria greke duhet të shpjegojë në Bruksel sot, se si e sheh daljen nga kjo gjendje. Presidenti i Komisionit Evropian dhe Komisioni Evropian janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë që të nevojshme në një afat kohor të arsyeshëm për të arritur një marrëveshje.”

Zoti Jucker tha se është kundër atyre të cilët bëjnë thirrje që Greqia të detyrohet të dalë nga Eurozona, por kritikoi gjithashtu autoritetet e Athinës për retorikën që kanë përdorur.

“Nxjerrja e Greqisë nga bashkimi monetar madje nga Bashkimi Evropian nuk është diçka që ne e dëshirojmë. Komisioni Evropian do të vazhdojë të punojë për një hapje të vërtetë negociatash me Greqinë,” tha zoti Juncker.

Komisioneri i BE-së për ekonominë, Pierr Moskovici tha se një dalje e Greqisë nga Euroja do të ishte një dështim i tmerrshëm, kolektiv.

“Presioni është sidomos mbi grekët, bankat janë të mbyllura dhe situata është e vështirë. Mendoj se qeveria greke ka interes të dalë sa më shpejt me zgjidhje serioze dhe të besueshme,” tha komisioneri.

Bankat greke qëndruan sot të mbyllura për të nëntën ditë. Disa njerëz të intervistuar në rrugët e Athinës thonë se do të përpiqen të jenë të durueshëm, ndërsa kryeministri i tyre negocion për një marrëveshje në Bruksel.

“Do të ishte një mrekulli nëse bankat hapen për dy ditë. Nuk besoj se kjo do të ndodhë. Duhet një periudhë kalimtare në mënyrë që bankat të mund të rifitojnë besimin e popullit, që njerëzit të mos vërsulen për të kërkuar paratë,” thotë inxhinieri Pavlos Kristou.

“Nuk dua të them diçka të keqe. Unë e dua vendin tim. Për fat të keq qeveria e ka sjellë vendin në prag të shkatërrimit. Të shkretët të rinjë që jetojnë me pensionet e prindërve. Çfarë do të ndodhë me këta fëmijë të varfër?” thotë Nikos.

Nëse bankat greke mbeten pa para dhe vendit do t’i duhet të shtypë monedhën e vet, kjo mund të çojë në daljen e Greqisë nga Euroja dhe ajo do të ishte vendi i parë që do ta bënte këtë duke krijuar një precedent dhe duke ngritur dyshime në lidhje me qëndrueshmërinë afatgjatë të bashkimit monetar evropian. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>