Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka pritur këtë të mërkurë në një takim homologun grek Nikos Kotzias, me të cilin në deklaratën për shtyp ka shprehur vullnetin për zgjidhjen e kontesteve dypalëshe.
“Kemi diskutuar hapur për një sërë çështjesh. Çdo problem do ta zgjidhim brenda normës së të drejtës ndërkombëtare. Ne jemi vende të NATO-s dhe Shqipëria synon anëtarësimin në BE”, ka thënë Bushati. Ai i ka cilësuar dialogun dhe bashkëpunimin dypalësh si të domosdoshëm mes dy fqinjëve.
“Për të gjitha çështjet nuk jemi mjaftuar vetëm tek listimi, por kemi skicuar edhe rrugëdaljet e mundshme”, ka thënë Bushati.
Shefi i diplomacisë shqiptare ka shtuar më tej se, në takimin me homologun Kotzias ka diskutuar edhe për çështjet e sigurisë në rajon dhe atë të krizës ekonomike greke.
Bushati ka përshëndetur vizitën e Kotzias në Kosovë, duke shprehur mbështetjen që së shpejti Athina të njohë “realitetin e ri”.
Pasi ka vlerësuar praninë e komunitetit shqiptar në Greqi si një unazë që lidh dy vendet, Kotzias ka shprehur mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Ne duam të jemi sa më kreativë për integrimin e Shqipërisë në BE. Çdo gjë që ndodh në Ballkan duhet të përfshijë edhe Shqipërinë, si për projektet energjitike, ashtu edhe për projekte të tjera. Bashkëpunimi nuk është i rëndësishëm vetëm për dy popujt, por për gjithë Europën juglindore”, ka thënë Kotzias.
Ai ka nënvizuar se, me ministrin Bushati ka nënshkruar disa marrëveshje dhe do të rishikojnë marrëveshjen e miqësisë, me qëllim përmirësimin e saj.
“Do të shohim si të zgjidhim në mënyrë të përbashkët çështjet ekzistuese, përfshirë atë të detit”, ka thënë Kotzias.
Më pas, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, përfshirë atyre grekë, që kanë bërë një krahasim mes shelfit kontinental Shqipëri-Itali dhe atij Shqipëri-Greqi, ministri Bushati ka thënë:
“Çështja e përcaktimit të shelfit kontinental Shqipëri-Itali nuk është e njëjtë me atë Shqipëri-Greqi, sikurse s’është e njëjtë me atë Greqi-Itali. Çështja e detit është një ndër temat për të cilën kemi diskutuar me ministrin Kotzias. Për disa prej tyre kemi qëndrime të ndryshme, por po kërkojmë një zgjidhje që është sipas së drejtës ndërkombëtare, me frymë europiane dhe, nëse propozimet e ekspertëve nuk përafrojnë qëndrimet, e drejta ndërkombëtare do të na orientojë drejt një zgjidhjeje. Ne kemi interesin strategjik që ta zgjidhim këtë çështje, sepse kemi ekonominë detare, dhe asnjëherë nuk kemi kërkuar një zgjidhje të njëanshme. Prandaj, pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme, mund t’ju them se pikat tona të përbashkëta janë më shumë sesa ato të ndarjes”.
Ndërsa Kotzias, duke iu përgjigjur pyetjeve për ligjin e luftës dhe çështjen çame ka vlerësuar se, nuk ekziston një ligj i tillë me Shqipërinë.
“Nuk ekziston një ligj lufte me Shqipërinë. Anëtarësia në NATO na bën jo vetëm miq, por dy shtete partnere dhe aleate. Ne nuk jemi në gjendje lufte dhe duhet ta konfirmojmë këtë. Sa për të drejtat e pronësisë, çdo qytetar shqiptar duhet të shkojë në gjykatat greke dhe i mbështetur mbi të drejtën të kërkojë pronën e tij. Nuk duam të minojmë miqësinë tonë. Duhet të mësojmë nga historia, të mbështetemi në histori, të mos përsërisim gabimet e së shkuarës dhe të mos mbetemi të burgosur në këtë histori. Ne duam të ndërtojmë me Shqipërinë të ardhmen, që u përket të dy vendeve dhe popujve, kryesisht në gjenerata të reja”, ka thënë Kotzias.
/ Top Channel