Xhezair Shaqiri, i njohur me nofkën luftarake Komandant Hoxha, nuk po sheh marrëveshje politike, por dështim pas dështimit në Maqedoni.
Duke folur në emisionin “Rrokum Rroll” të Televizionit Rrokum, Xhezair Shaqiri, tha se deklaratat e liderëve shqiptarë për kerkesa maksimale në bisedimet mes liderëve politikë në Maqedoni, dolën se janë të pavërteta.
Sipas Shaqirit, liderët e PDSH e BDI kanë qenë vetëm si kukulla në këto bisedime, “që ishin veç mes dy partive të mëdha maqedonase”.
“Zaev sëpari duhet ta sqarojë rastin ‘Sopoti’ të inskenuar nga partia e tij”, tha Shaqiri.
“Janë me dhjetëra ish-ushtarë të UÇK-së të dënuar me shumë vite burg, e që tash po lirohet ndonjëri, por duke u amnistue, jo duke iu dhënë pafajësia”.
Ai kritikoi edhe shqiptarët që kanë aderuar në partinë LSDM të Zoran Zaevit.
“Ata kanë marrë guximin të anëtaresohen në një parti maqedonase, për t’i hutuar shqiptarët”, tha Shaqiri.
Komandant Hoxha tregohet i ashpër ndaj liderëve të partive më të mëdha shqiptare në Maqedoni.
“Ata janë përfituesit e vetëm të marrëveshjes së sotme”, tha ai.
Sipas tij, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi do të sigurojnë poste në qeverinë e re dhe më shumë mandate në zgjedhjet e ardhshme, por me vota të manipuluara.
Duke komentuar “bombat” e Zaevit, Shaqiri tha se elektorati ndoshta do të mashtrohet prapë nga Ahmeti e Thaçi.
Shaqiri paralajmëroi bashkimin në një front të të gjitha partive dhe formacioneve të reja politike shqiptare për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoni.
Ai akuzoi dy liderët e partive më të medha politike shqiptare në Maqedoni, se kanë marrë pjesë me poste të ndryshme në qeveritë të cilat kane vrarë e kanë kryer krime të ndryshme ndaj shqiptarëve. (ina)