Ligjvënësi amerikan Eliot Engel, i quan shpifje pretendimet se udhëheqësit e Kosovës po luajnë lojë të dyfishtë me Gjykatën e Posaçme.
Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, tha të mërkurën se drejtësia në Kosovë do të vihet në vend në gjykata, e jo përmes fushatave të shpifjeve. Në këtë mënyrë ai reagoi ndaj një shkrimi të autorit me prejardhje nga hapësirat e ish Jugosllavisë, Chuck Sudetic i cili akuzoi zëvendëskryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi se siç thuhet, po e rrezikon gjithë Kosovën për të shmangur përballjen e mundshme me Gjykatën e Posaçme.
Në një tekst me titullin “Banditët që e drejtojnë Kosovën” ai shkruan se Hashim Thaçi po e mashtron Amerikën dhe Evropën, duke bërë thirrje që të votohet Gjykata e Posaçme për krime lufte, por qëllimisht i ka nxitur disa prej deputetëve që ta bllokojnë miratimin e ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë ngritjen e saj. Ai citon diplomatë e ish-diplomatë perëndimorë pa i identifikuar ata të kenë folur për pasojat që do të ketë Kosova nëse nuk e themelon gjykatën. Ai citon një ish diplomat të ketë thënë se krimi i organizuar në Kosovë përfshinë transportim të paligjshëm të drogave, trafikim me njerëz, kontrabandë me mallra, trafikim të grave dhe prostitucion, shpëlarje parash, trafikim organesh etj. Sipas tij, nëntoka e Kosovës punon bashkë me grupe kriminale në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Bullgari, Turqi dhe Shqipëri.
Gazetari Sudetic është bashkautor i librit “Gjuetia” të ish-kryeprokurores së Hagës, Carla Del Ponte, në të cilin ajo ngrinte pretendime për përfshirje të ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.
Ligjvënësi Eliot Engel tha se shkrimi i gazetarit Sudetic, “i mbështetur në kërcënime e shantazhe anonime, thashetheme të pabaza dhe gënjeshtra të qarta dhe të ndyta, përbën një përpjekje transparente për t’i njollosur dhe diskredituar disa udhëheqës të Kosovës dhe për të minuar shtetin e ri, i cili po punon drejt forcimit të sundimit të së drejtës. Shumë nga akuzat në këtë artikull, të tilla si trafikimi i drogës, janë demaskuar për të satën here, madje edhe nga CIA në raportin publik të vitit 2000. Drejtësia do të vihet në vend në gjykata, e jo përmes fushatave të shpifjeve”, tha Engel.
“Ne amerikanët e dimë nga vet historia jonë se ndërtimi i demokracisë ishte diçka e vështirë që kërkon një punë me përkushtim të madh. Kosova po i tejkalon këto sfida tani, edhe pse zërat e mbërthyer nga e shkuara po punojnë për të minuar përparimin e Kosovës. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara dhe kampionët e lirisë në Evropë dhe gjetiu duhet të vazhdojnë të mbështesin Kosovën. Derisa shpifësit si Chuck Sudetic përsërisin të njëjtat pretendime të pabazuara, parapëlqej të punoj krah për krah me qytetarët e Kosovës dhe udhëheqësit e zgjedhur të tyre drejt një të ardhmeje edhe më të ndritshme”, thotë zoti Engel.
Shpifje e ka cilësuar shkrimin edhe Daniel Serwer, profesor në Shkollën Johns Hopkins për Studimet e Avancuara Ndërkombëtare në Uashington. Në një bisedë për Zërin e Amerikës ai tha se nuk sheh “ndonjë provë për këtë vlerësim në artikullin e tij, përveç personave të paidentifikuar dhe nuk mund të flas me siguri për burime pa emër”.
Zoti Serwer beson në përkushtimin e Kosovës për të ngritur Gjykatën e Posaçme, me gjithë vështirësinë për ta bërë një gjë të tillë.
“Nuk kam folur me ministrin e Jashtëm Thaçi gjatë muajve të fundit, që nga vizita e tij disa muaj më parë. Por ai ka bërë deklarata shumë të fuqishme në parlament si dhe për mediat, lidhur me nevojën e krijimit të kësaj gjykate. A është e mundur që ai në prapaskenë të jetë duke e penguar ngritjen e gjykatës? Shumica e politikanëve në Ballkan janë të aftë për gjëra të tilla. Nuk mund të them jo. Por mendoj se është me rëndësi të kuptohet që zoti Thaçi e ka mbështetur publikisht dhe me forcë krijimin e kësaj gjykate. Mendoj se për disa motive mjaft të arsyeshme, të gjitha këto akuza nuk do të sqarohen dot pa u shqyrtuar në një gjykatë të përshtatshme”, tha ai.
Shkrimi i gazetarit Sudetic që nxiti reagime edhe në Kosovë, nga disa vëzhgues të pavarur shihet si një formë trysnie për përshpejtimin e procesit të ngritjes së gjykatës së posaçme.
Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.
Opozita po bënë thirrje që të respektohet vendimi i deputetëve të parlamentit dhe të hiqet dorë nga themelimi i saj në formën si është ofruar aktualisht. Udhëheqësit e saj thonë se nuk janë kundër një gjykate për krime lufte, por kërkojnë që ajo të jetë gjithëpërfshirëse.
Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën. Ata thonë po ashtu se dështimi i Kosovës për të ngritur gjykatën mund të çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kjo do të jetë e dëmshme për shtetin e ri.
Qeveria po pret të sigurojë votat e mjaftueshme para se të ridërgojë në Parlament ndryshimet kushtetuese për të cilat nevojiten dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve si dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e pakicave kombëtare
Më 26 qershor, parlamenti dështoi të sigurojë këtë shumicë. (voa)