Vendimi i Qeverisë së Kosovës për integrimin e pjesëtarëve të të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile” në institucionet e Kosovës, nga opozita shihet si veprim që do ta largojë edhe më tej veriun e vendit.
Janë 483 persona të cilët, sipas vendimit të Qeverisë, do të integrohen në ministri dhe agjenci të ndryshme.
Përfaqësuesit e opozitës nuk presin që pjesëtarët e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, do të jenë lojalë ndaj shtetit të Kosovës. Përkundrazi, sipas tyre, ata duke qenë pjesë e institucioneve të Kosovës, do të jenë në funksion të politikës së Beogradit. Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca vlerëson se nuk është problem çfarë logosh apo uniformash bartin personat që integrohen në institucionet e Kosovës, por kujt do t’i japin llogari ata.
“Serbia e ka aplikuar një lloj politike që t’i marrë kompetenca, uniformat, pozicionet, e të gjitha, t’i pranoj, mirëpo ato pozicione unë mendoj se ajo do t’i vendos në funksion të pengimit të autoritetit të Prishtinës për të pasur ndikim atje”, tha Konjufca për Radio Kosovën.
Nga ana tjetër, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, thotë se para se Qeveria të marrë vendim për integrimin e pjesëtarëve të “Mbrojtjes Civile”, në institucionet e Kosovës, duhet t’u krijojë qytetarëve siguri që të kthehen në pronat e tyre. Ajo e quan veprimin e Qeverisë, paaftësi për integrimin e veriut.
“Qeveria me paaftësitë e veta dhe me bisedimet që po i kushtojnë shtetit të Kosovës po tregon se është e paaftë dhe po tregon se po dëshiron ta ndajë atë pjesë të vendit dhe ndoshta me argument të plota, sepse po shihet dita ditës se nuk ka bërë asgjë për ta integruar komunitetin atje, por përkundrazi po tenton që njerëz që kanë bërë krime, tani t’i legjitimojë duke i veshur edhe uniformat. Siç thotë populli, kjo i bjen ‘me fut ujkun në torishtë’”, tha Haxhiu për Radio Kosovën.
Përndryshe, Glauk Konjufca e sheh si problem faktin që me Ligjin për amnisti i cili është miratuar në vitin 2013, amnistohen të gjithë ata që kanë cenuar rëndë sovranitetin e Kosovës, duke përfshirë djegien e pikave kufitare, sulmet ndaj Policisë së Kosovës, vrasjen e policit Enver Zymberi e vepra të tjera.
“Kjo shumë njerëz të rrezikshëm i vendos në pozicionin që kanë kompetenca të fuqishme në Republikën e Kosovës, por nuk janë lojalë ndaj Republikës sonë dhe kjo bën që ata të punojnë në largimin e mëtutjeshëm të veriut të Kosovës, ndaj autoritetit të Prishtinës”, tha Konjufca.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, mori vendim të shpërbëjë të ashtuquajturën “Mbrojtja civile” që ka vepruar jashtëligjshëm në veri të Kosovës. Ministrja e Dialogut, Edita Tahiri ka thënë se është një listë e ministrive dhe agjencive që janë të gatshme t’i integrojnë 483 pjesëtarë të të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”. Qeveria parasheh edhe marrjen në shfrytëzim e të gjitha objekteve që janë shfrytëzuar nga kjo strukturë. Në këtë mënyrë, sipas ministres Tahiri, bëhet shtrirja e sovranitetit të Kosovës në veri të vendit. (rtk)