Maqedonia ka nevojë për Marrëveshjen e Ohrit

Në përvjetorin e 14-të të marrëveshjes së Ohrit gjithnjë e më tepër del nevoja për implementimin e plotë të këtij dokumenti, i cili ndaloi konfliktin luftarak të vitit 2001 në Maqedoni.

shkupiNga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit thonë se marrëveshja kornizë e Ohrit mbetet dokumenti i paqes që mban gjallë procesin e demokratizimit, mirëkuptimit dhe tolerancës në Maqedoni. Sipas Sekretariatit, marrëveshja kornizë e Ohrit duhet të mbetet vizioni për një ardhmëri të përbashkët të të gjithëve, pa dallim etnie, feje apo grupi social.

Edhe në këtë përvjetor, në opinion ka dilema të mëdha se a është realizuar apo jo tërësisht Marrëveshja e Ohrit dhe fryma e saj. Në përgjithësi vlerësimet e analistëve flasin se dokumenti që parandaloi konfliktin e asaj kohe nuk ka arritur që të mbyllë çështjet për të cilat nuk kanë rënë dakord dy etnitë më të mëdha në vend- maqedonasit dhe shqiptarët.

Zyberi: Dokumenti i Ohrit u zbeh, duhet Marrëveshje e re

Një nga protagonistët e periudhës së arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, Naser Zyberi thotë se kjo marrëveshje si e tillë, në distancën pas shumë vitesh e ka humbur peshën dhe rëndësinë e saj .

“Implementimi i saj u stërzvarit tejmase, u deformua fryma e dokumentit gjatë implementimit si në Kushtetutë po ashtu edhe në fakte relative”. Sipas Zyberit, në kohën kur është miratuar marrëveshja e Ohrit ajo ka qenë një akt shumë i rëndësishëm për ardhmërinë e vendit, por sot ky dokument është i zbehtë, i deformuar dhe si i tillë është i pamjaftueshëm për t’i zgjidhur problemet e shqiptarëve në Maqedoni. Ai thotë se shtrohet nevoja për një marreveshje të re, më të nevojshme se marrëveshja e Ohrit.

Çdo shtet normal duhej të krenohet me këtë Marrëveshje

Profesori universitar, Lubomir Fërçkovski, i cili poashtu ka marë pjesë në përpilimin e Marrëveshjes së Ohrit vlerëson se ky dokument është një rrëfim i sukseshëm për politikbërjen në Maqedoni. “Çdo shtet normal do të duhej të krenohet me marrëveshjen e Ohrit. Ndërsa tek ne po ndodh e kundërta. Shumë politikanë, por edhe institucione turpërohen nga ky dokument. Kjo flet për ekzistimin e një politike të ulët në Maqedoni”, thotë Fërçkovski.

“Marrëveshja e Ohrit si dokument e ndërton dhe nuk e shpërbën shtetin, të drejtat etnike nuk i lidh me të drejtat territoriale me çka ruhet karakteri unitar i shtetit, njëherësh marrëveshja e Ohrit i rrit në masë të madhe të drejtat e bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoni” , vlerëson Fërçkovski.

A siguron barazi Marrëveshja e Ohrit ?

Analisti Nijazi Muhamedi thotë se marrëveshja e Ohrit përveç që nuk është realizuar, teoretikisht dhe politikisht e konsolidon shtetin kombëtar maqedonas dhe e bën këtë mbi baza të ideologjisë nacionaliste maqedonase.

“Marrëveshja e Ohrit nuk mbështetet në parimet e një marrëveshjeje të barabartë , karakteri unitar gjegjësisht ai kombëtar maqedonas i shtetit është i pashkelshëm. Është turp historik të thuhet se kjo marrëveshje i bën të barabartë shqiptarët me maqedonasit apo është një kompromis midis dy popujve”, vlerëson Muhamedi.

Maqedonia ka nevojë të identifikohet me strategji të re demokratike

Analisti politik Denko Malevski thotë se Maqedonia duhet të ketë shumë kujdes për balancimin delikat etnik në të gjitha vendimet politike. Marrëveshja e Ohrit duhet të jetë një instrument që do të ndihmonte në këtë balancim. Sa është arritur kjo nuk mund të thuhet saktë, thotë ai.

“Marrëveshja e Ohrit e vendosi demokracinë maqedonase në drejtim të ri . Nëse së shpejti realizohet një stil konsensual i ri në politikën maqedonase, i cili do të kujdesej për balansimin delikat etnik në të gjitha vendimet politike, Maqedonia do mund të përparonte drejt konsolidimit demokratik”, thotë Malevski. Sipas tij Maqedonia ka nevojë për një lëvizje politike, e cila do ta largonte pa rezerva sistemin e vjetër dhe do të identifikohej me një strategji të re demokratike.

Partitë opozitare të pakënaqura me implementimin e Marrëveshjes

Partia opozitare shqiptare PDSH në përvjetorin e 14-të nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit vlerëson se ajo nuk i avancoi të drejtat e shqiptarëve, por përkundrazi është shndërruar në pengesë kryesore për realizimin e tyre.

“Për çdo ditë konstatohet një e vërtetë e madhe, fakti që deri tani marrëveshja e Ohrit nuk është implementuar. Për çdo ditë del në pah nevoja imediate për një marrëveshje të re, me të cilën do të realizohen kërkesat për te drejtat e shqiptarëve për barazi të plotë në këtë shtet”, thuhet në reagimin e PDSH-së.

Edhe Partia për Lëvizjen e Turqve, PLT vlerëson se ende ekzistojnë probleme serioze në implementimin e marrëveshjes së Ohrit. Sipas saj, partitë në pushtet për fat të keq ende nuk e kanë kuptuar vlerën e vërtetë dhe rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.

“14 vite pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit , statusi i etnisë turke në këtë vend nuk është për t’u lakmuar. Administrata shtetërore është partizuar dhe politizuar, në këto kushte statusi i turqve nuk mund të jetë i mirë”, thuhet në reagimin e PLT-së.

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 nga liderët e katër partive me të mëdha në Maqedoni dhe presidentit të atëhershëm të vendit. Ndërsa si garantues të marrëveshjes nga bashkësia ndërkombëtare nënshkrimet e tyre i depozituan përfaqësuesi i BE-së, Francois Leotard dhe ai i SHBA, James Pardew. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>