Embargoja ruse, Panariti: Vendim politik; ndikimi në ekonomi, i papërfillshëm

panariti ministerMinistri i Bujqësisë, Edmond Panariti, në një intervistë telefonike për Top Channel thotë se embargoja ruse ndaj produkteve shqiptare ka sfond të qartë politik, por se ndikimi i saj në ekonomi është i papërfillshëm.

“Kësaj here është e qartë që bllokimi është politik, megjithatë më e rëndësishme është që kjo nuk e pengoi Shqipërinë – pavarësisht se siç thashë, prej një viti ndodhemi në embargon e Rusisë, – pra nuk e pengoi Shqipërinë të dyfishojë eksportet shqiptare. Në Qarkun e Beratit kemi dyfish të eksporteve, krahasuar me një vit më parë”, thotë Panariti për Top Channel.

Konflikti nisi një vit më parë, kur Moska vendosi të ndalë eksportet shqiptare, e motivuar nga shkelje të karakterit teknik, siç shpjegon ministri Panariti. Falsifikimi i certifikatave shqiptare nga disa firma në vendet e BE-së për të futur produktet e tyre në tregun rus si produkte shqiptare, penalizoi Shqipërinë.

Por eksportet shqiptare me Rusinë janë të papërfillshme. Në vitin 2013, sipas INSTAT, eksportet me Rusinë si përqindje ndaj totalit janë 0.08 % ndërsa në vitin 2014, 0.17 %. Ministri Panariti thotë se Shqipëria synon zgjerimin e hartës së eksporteve me vende të reja.

“Në shtator, unë do të udhëtoj drejt Ukrainës për të nënshkruar një marrëveshje për eksportet masive të prodhimeve të freskëta shqiptare, perimeve dhe frutave drejt tregut ukrainas, përfshirë edhe produktet e përpunuara nga agroindustria shqiptare”, vijon Panariti.

Por krahas tregjeve të reja, të paeksploruara ende, ministri thekson se sfidë mbeten tregjet europiane, që kërkojnë standardet më të larta të cilësisë e sigurisë.

“E para, sepse Shqipëria është projektuar tashmë drejt anëtarësimit të plotë në BE, po ajo që ka rëndësi është që tregjet e BE paguajnë shumë më tepër se tregjet rajonale apo tregjet e lindjes për çdo njësi prodhimi”, thotë ministri i Bujqësisë.

Veç cilësisë një tjetër avantazh i prodhimeve bujqësore shqiptare është edhe dalja në treg të paktën një muaj krahasuar me vendet e Europës kontinentale dhe shteteve fqinje.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>