Si ishin paguar 7,5 milionë eurot, skema e dorëzimit të parave në Shkup dhe Tetovë

vetura audiSipas dëshmisë të publikuar nga Gjykata e  Nju Jorkut janë të qarta edhe skemat e aktit korruptiv të dorëzimit të parave në mënyrë ilegale për aferën “Magjar Telekom”.

Dëshmitari kyç ish-shefi i shërbimit sekret maqedonas, Slobodan Bogoevski, në rolin e ndërmjetësit ka shpjeguar skemën e dërgesës, por televizioni Telma është thirrur edhe në burime të tjera.

Në dëshmi shpjegohet se drejtorët e bordit të “Magjar Telekom” si pjesë e Deutsche Telekom janë tre protagonistët që korruptuan dhe joshën me 7,5 milionë euro ish-kryeministrin Vllado Buçkovski dhe krerët e BDI-së, Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferri. Këta të fundit kanë marrë 5 milionë euro, derisa pjesa tjetër prej 2,5 milionë euro për Buçkovskin. Bogoevski atëkohë ishte shef i shërbimit sekret në Maqedoni, ndërsa në këtë rast korruptiv kryente rolin e ndërmjetësit, ku gjithçka realizohej përmes një biznesmeni grek dhe një korrieri me origjinë nga Maqedonia.

Si përcilleshin paratë

Një veturë zyrtare e Qeverisë ka realizuar transportimin e parave. Gjithçka realizohej përmes vendkalimit kufitar Bogorodicë me Greqinë, ka përshkruar dëshmia. Paratë ishin paguar në tre këste, në maj dhe dhjetor 2005, ndërsa kësti i fundit është paguar disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të pranverës së 2006, para se të bie nga pushteti LSDM dhe kur më pas VMRO-DPMNE erdhi në pushtet duke marrë si partner PDSH dhe jo BDI që kishte fituar zgjedhjet.

Paratë nga Magjar Telekom shkonin përmes biznesmenit grek Dimitrios Kondominas, i cili me bizneset e tij tashmë 16 vite është i pranishëm në tregun e Maqedonisë dhe si një partner i mirë me të gjitha qeveritë.

Rreth 10 milion euro nga “Magjar Telekom” kanë mbërritur me avion special në Selanik, ku aty i kishte pritur Kondominas. Më pas ai 5 milion euro i`a ka dërguar siç thuhet binomit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferri, 2,5 milionë euro ish-kryeministrit Vllado Buçkovski dhe 2,5 milionë euro i ka mbajtur për vete.

Korrieri që ka dërguar paratë nga kufiri drejt Shkupit në dëshmi përmendet Bekim Zemoski, një gasterbajter me shtetësi të Maqedonisë, që një kohë ishte pjesë e stafit të ekspertit gjerman Teo Vajgel, i angazhuar në kabinetin e Buçkovskit.  Zemoski ka mohuar se ka qenë i përfshirë në këtë biznes të paligjshëm, por dëshmia ate e piketon si personin që për çdo dërgesë ka pasur përqindjen e tij.

Paratë nga vila e Kondominas niseshin drejt kufirit Bogorodicë, ku aty siç thuhet prisnin veturat qeveritare, të cilat duke shmangur kontrollet qeveritare vazhdonin drejt Shkupit dhe më pas Tetovës.

Në realizimin e këtij transporti merrnin pjesë njerëz të besueshëm të stafit të sigurisë së ish-kryeministrit Buçkovski. Paratë që vazhdonin për Tetovë përfundonin në një seli alternative të BDI, theksoi dëshmitari, duke shtuar se bëhej fjalë për një shtëpi luksoze dhe të siguruar mirë, që ishte në pronësi të Abdilhalim Kasamit, ish-shefit financiar të BDI-së.

Por gjithë kjo dëshmi e publikuar nga Gjykata e Nju Jorkut është hedhur poshtë nga emrat e lartpërmendur, të cilët kanë theksuar se do të ngrenë kallëzim penal. (INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>