Rama në Top Story; dekriminalizimi, informaliteti, ekonomia, reformat…

top story ramaDekriminalizimi mbizotëroi seancën parlamentare edhe këtë të enjte, ku opozita akuzoi mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama se po përpiqen ta anashkalojnë këtë proces, pas prezantimit të një drafti paralel me atë të demokratëve nga ana e Qeverisë.

Por dekriminalizimi nuk është e vetmja sfidë aktuale e kësaj mazhorance. Informaliteti, reformat dhe ekonomia janë sfida të vështira. Për të folur për të gjitha këto dhe për të tjera çështje të aktualitetit politik, këtë të enjte në Top Story me gazetarin Sokol Balla, ishte i ftuar kryeministri Rama.

Intervista

Sokol Balla: Debati u dominua sot në Parlament nga akuzat që ju bën opozita për sabotim të një procesi të përbashkët për dekriminalizimin dhe për dështimin me qëllim nga ana e mazhorancës e punës së komisonit të krijuar për këtë çështje dhe e hartimit të një drafti ligjor në mënyrë të njëanshme. Taktika juaj është dështimi i këtij procesi të përbashkët?

Edi Rama: Nuk kemi asnjë arsye të pengojmë një proces që ka një rëndësi të veçantë për faktin se Shqipëria sot është e gatshme të përballet me një fenomen që prej vitesh ka qenë aty dhe duhet të marrë fund. Ne jemi angazhuar seriozisht në këtë proces, por ndryshe nga opozita ne kemi detyrën të bëjmë dhe jo vetëm të flasim, ndërkohë që opozita flet e flet dhe deri në 30 qershor, kur skadonte afati i komisionit, thjesht kishte bërë dy mbledhje dhe propagandë banale në tryezë. Unë e kam thënë që në mes të shtatorit se ne do të ishim gati me një draft për ta finalizuar këtë proces dhe kjo ka ndodhur. Opozita në mënyrë të njëanshme ka paraqitur një draft të vetin, ne kemi një tonin. Besoj që nëse ka vullnet për ta përmbyllur këtë proces, nga pikëpamja e substancës, baza për një dakortësi është e plotë.

Sokol Balla: Ja keni paraqitur komisionit këtë draft?

Edi Rama: Këtë draft e ka përgatitur qeveria dhe do të depozitohet së bashku me propozimin e një grupi deputetësh për ndryshimet kushtetuese. Këtë e kemi bërë sepse kemi bindjen që opozita kërkon ta mbajë peng procesin për ta përdorur të ashtuquajturin dekriminalizimin si kalë beteje në kushtet kur të gjithë kuajt i kanë ngordhur rrugës, të mbajë ndezur një debat që njollos Shqipërinë kur i përcillet partnerëve si një situatë krejtëisht e ndryshme nga ajo ç’është në të vërtetë, ndërkohë që ne duam të përballemi me problemin. Një krahasim i dy drafteve flet vetë për këtë me propozimet qesharake në draftin e opozitës. Ne i kemi dhënë përgjigje të duhur fenomenit për të cilin flasim dhe me draftin tonë sigurojmë që persona të dënuar për kategori të ndryshme veprash penale jo më pak se dy vjet, nuk mund të zgjidhen apo emërohen. Janë 73 vepra të ndryshme penale dhe legjitimiteti për t’u zgjedhur apo emëruar në administratën e shtetit përcaktohet sipas veprave, nga pamundësia e përjetshme për të patur një vend si i zgjedhur apo funksionar i shtetit, tek 20 apo 10 vjet.

Sokol Balla: Po por keni një marrëveshje të dhjetorit 2014 dhe ju e dini sesa e vështirë është të arrihet një marrëveshje në politikën shqiptare…

Edi Rama: Ne nga ana jonë e kemi arritur me lehtësinë më të madhe marrëveshjen dhe ka qenë një marrëveshje që ne e kemi marrë serioziësht, ndaj nuk duam që procesi të mbetet peng i propagandës, i konferencave të shtypit, shpifjeve e propagandës. Ne jemi gati të ballafaqojmë propozimet.

Sokol Balla: Nuk është më e ndershme që të shkojnë në komision këto dy draftet? Pak ditë më parë në Komisionin e Jashtëm të PE u tha që duhet një ligj i hartuar nga të dyja palët.

Edi Rama: Ne kemi bërë pjesën tonë në raport me fenomenin. E kemi bërë sepse e gjykojmë që kjo është gjëja e duhur. Rëndësi ka që ta finalizojmë dhe mbi draftin që kemi punuar jemi të gatshëm që të gjejmë konsensus me një kusht, që asnjë shpikje alla-shqiptarçe nuk pranohet.

Sokol Balla: Çfarë kontestoni nga opozita?

Edi Rama: Jemi gati të bëjmë konsensus, por nuk mund të pranojmë budallallëqet e opozitës. Jemi të gatshëm që të dëgjojmë çdo sugjerim, kërkesë, vërejtje me kusht që ligji të qëndrojë brenda kornizës së standardeve ndërkombëtare. Ne e kemi bërë dekriminalizimin një gjë kaq bombastike, ndërkohë që italianët kanë 25 vjet që merren me penetrimin e mafias në Parlamentin e tyre. Fenomeni ekziston, problemi ekziston, ta trajtojmë ashtu siç duhet, jo duke sugjeruar gjëra që nuk i ka bota.

Sokol Balla: Ky veprim i juaji mos i jep pretekst opozitës për ta çuar këtë proces drejt dështimit?

Edi Rama: Mos humbasim kohë për një tjerrje pambuku. Unë kam bindjen e konfirmuar në dy vjet reforma të munguara në 20 vite rresht, që populli shqiptar është i qartë për gjërat dhe i mençur për të thënë kjo është e drejtë, kjo është e padrejtë.

Sokol Balla: Po e çoni procesin drejt një përfundimi që mund të mos marrë bekimin e ndërkombëtarëve?

Edi Rama: Ndërkombëtarët kanë inkurajuar një proces dhe faleminderit për këtë. Puna e ndërkombëtarëve duhet të ridimensionohet tek ne. Jemi këtu për të zgjidhur problemet tona dhe po ju them që asgjë në veprimtarinë time nuk përcaktohet nga ndërkombëtarët. Përcaktohet nga bindja ose jo e gjërave që duhet të bëjmë së bashku. Miqtë dhe partnerët janë të vyer, por secili në vendin e vet. Po e teprojmë ne duke thënë ndërkombëtarët. Ne nuk bëjmë reforma për ndërkombëtarët, gjithë këtë stërmundim për integrim sepse na e kërkojnë ndërkombëtarët. Nuk e bëjmë këtë proces ngaqë thonë ndërkombëtarët. Kjo është gjëja e duhur. Ne kemi ndërmarrë një nismë sepse nuk besojmë që opozita e ka seriozisht, por nëse ajo e ka s’ka asnjë problem, por ne nuk do të presim që opozita të vendosë se kur do ta bëjë. Morëm nismë sepse asnjëherë nuk erdhi një gjë nga ana e tyre.

Sokol Balla: Ju erdhi një draft…

Edi Rama: Drafti doli para një jave, ndërsa ne e kemi marrë këtë nismë dhe e kishim bërë të qartë që do ta votonim në mes të shtatorit. Jemi gati që të biem dakort për gjithçka që nuk cënon standardet ndërkombëtare dhe demokratike, gjithçka që nuk është shpikje alla-shqiptarçe dhe SHQUP-i.

Sokol Balla: Jeni gati të lëshoni pe për draftin? Ai neni për gjykatësit psh, dukej sikur ishte enkas për Ristanin, numrin dy të PD?

Edi Rama: Asgjë s’është enkas, pastaj ligji s’është vetëm për sot, është edhe për nesër.

Sokol Balla: Keni një mazhorancë të madhe, por nuk keni votat për ndryshimet kushtetuese, si do i siguroni këto?

Edi Rama: Nuk e dimë a i kemi apo jo votat për një shumicë kushtetuese sepse Parlamenti është i larmishëm. Interesi ynë është që kjo të jetë një zgjidhje e përbashkët dhe votë e përbashkët me opozitën. Në thelb shqetësimi është i njëjtë dhe draftet nuk janë të ndryshme në tërësinë e përmbajtjes, por në draftin tonë nuk ka asnjë shpikje alla-shqiptarçe, në draftin tjetër ka disa shpikje që ne nuk i pranojmë.

Sokol Balla: Anatemimi që i janë bërë një grupi deputetësh pas zgjedhjeve, rrjedha e ngjarjeve erdhi që të 4 këta deputetë, janë përfshirë në ngjarje që janë në proces, pra janë vërtetuar ato që ka thënë shtypi dhe opozita për të shkuarën e tyre kriminale. A ishit ju në dijeni për të shkuarën e tyre?

Edi Rama: Unë nuk kam patur dijeni që një deptuet, pasi fituam zgjedhjet do ndërmerrte një operacion mediatik bazuar mbi halucinacione për organizimin e vrasjes së tij dhe një shoku të tij në kryetari i Kuvendit, nuk kisha dijeni që një deputet tjetër do të shfaqej në një sherr ku do kërrciste dhe armët në mes të qytetit, nuk kam pas dijeni që një deputet i një partie tjetër të koalicionit do të shfaqej si i kërkuar nga drejtësia. Këto kanë ndodhur më pas. Ndërsa sa i takon deputetit që tha dorëheqjen, meriton respektin tim edhe për shpjegimet që dha. Ishte dorëheqje e vullnetshme pa asnjë lloj presioni që i bën nder atij vetë dhe që flet për një njeri që në momentin që flasim meriton të respektohet.

Sokol Balla: Por organet e qeverisë tuaj kanë qenë në dijeni për të shkuarën e tyre ama?

Edi Rama: S’kisha dijeni kur kam bërë listën e deputetëve. Nëse do të ktheheshim sërosj në 2013 unë përsëri do të bëjë të njëjtën gjë sepse nuk kam vendosur në listën e deputetëve dhe nuk i kam propozuar kryesisë së partisë një listë as me kriminelë, as me persona që kanë patur të bëjnë me krimin. I kam propozuar njerëz që kanë qenë deputëtë më parë, opozitarë si gjithë të tjerët dhe kanë qenë të respektuar në komunitetitet e tyre. Kush bën sot virgjëreshën, dhe kush vë alarmin sot, dhe kush mendon që shqiptarët kanë harruar ata që kanë nxjerrë pistoletën në mes të stadiumit dhe doli kryeministri dhe tha që pistoleta ishte lodër gabohet. Ne kemi një standard të qartë, kush mendon se me kostumin e ministrit mund të parkojë makinën ku të dojë, të sillet me detyrën si të dojë, të shkelë ligjin, merr atë që kanë marrë ata që sot janë të përjashtuar nga PS dhe janë në punët e tyre me drejtësinë. Ky është standard krejt i ri dhe virgjëreshat thonë që ata s’i kapin dhe ne i kapim. Një qeveri gjykohet jo nga çfarë ndodh, por si reagon ndaj atyre që ndodhin. Unë e kam thënë, ne nuk jemi të ndarë engjëj në të majtë dhe djajtë në të djathtë.

Sokol Balla: Pse po dalin djajtë vetëm majtas?

Edi Rama: Mund t’ju sjell dhe përveç deputetëve që shkrehin armët në stadium, atyre që rrihnin arbitra, truprojes së djalit të kryeministrit që shkrehte armën ndaj kamarierit, drejtorit të tatimeve që ishte i dënuar. Ndryshimi nuk është se ne jemi engjëj dhe mes nesh s’ka patur dhe s’do të ketë njerëz që shkelin ligjin. Ndryshimi është që ne kemi tjetër kuptim për arsyet pse jemi në politikë dhe Qeveri, ata kanë kuptim krejt tjetër. Të gjitha këto nuk e fshehin dot të vërtetën që lanë një vend me qindra-mijra njërëz që vidhinin energjinë, që ndërtonin ku të donin dhe si donin, qindra-mijëra që vjedhin ujin si të duan, me mijëra as nuk janë regjistruar ndonjëherë dhe që shesin e blejnë në mënyrë krejt informale, pa llogaritur kaosin me universitetit. Në gjithë këtë lesh e li, gjithë terreni i gjithë këtij kaosi vlerash dhe standardesh e hierakrish, ku kush ishte me ta ishte i ndershëm, tifoz i lënduar që kishte të drejtë ta bënte të vdekur abritrin, ndërsa kush nuk ishte me ta merrte plumbin në ballë në mes të Bulevardit. Nuk kemi arsye që të mendojmë se ata meritojnë minimumin e besimit të shqiptarëve, sepse ata nuk kanë reflektuar për atë që kanë bërë, morën 1 mln shuplaka në 2013, në 2015 dhe më shumë në 2017. Nga njëra anë kemi një qeveri që mundohet të bëjë shtet dhe nga ana tjetër një opozitë që nuk do të bëhet shtet. I japin zë njerëzve që çohen dhe thonë që boll kam paguar taksa, ndërkohë që ata nuk janë regjistruar asnjëherë.

Sokol Balla: Ka patur një debat në distancë mes disa deputetëve dhe këshilltarit të Presidentit dhe një ish-zyrtari të policisë, Zagani, vetë Presidenti Nishani ka thënë se dëshmia e këshilltarit të tij dhe e Zaganit duhen marrë seriozisht. Çfarë mendimi keni për akuzat për trafik droge ndaj ministri Tahiri?

Edi Rama: Në 2013, 323 hektarë të mbjella, nga këto, goditur vetëm 7 përqind, në 2015 44 hektarë, 8 herë më pak dhe të mbjella në zonat më të thella dhe 43.2 të asgjësuara. Tani e kuptoni ndryshimin apo jo? Si nata me ditën. Nuk janë shifra të miat apo të Ministrisë së Brendshme, janë shifra të Guardia di Finanza që ka prej vitesh një praktikë të vendosjes në tryezën e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë të fotografimeve ajrore. Ne kemi reaguar me forcë dhe nëse kultivimi është ulur, ai do të ulet.

Sokol Balla: Edhe avionët me drogë do ulen?

Edi Rama: Fakti që ndërmerren këto lloj aksionesh të çmendura është sepse hapësirat janë ngushtuar maksimalisht dhe nuk është si më parë që autobotet kalonin në autostradë dhe i nderonte policia. Janë interesa të mëdha, ajo bima… janë paratë që digjen bashkë me bimët që asgjësohen dhe këto interesa krijojnë një kundrareagim të fortë nga segmente të caktuara të politikës, medias dhe fatkeqësisht zëdhënësja më e madhe e tyre është PD.

Sokol Bala: Keni edhe një deputet i afërt i juaji që kërkon legalizimin…

Edi Rama: Ajo është çështje tjetër që nuk ka lidhje me kultivimin. Por ky nuk është rast tipik shqiptar. Kudo ku luftohet droga, dalin nga radhët e policisë, nga radhët e shërbimeve të gjoja luftëtarëve, por heroi që kreu i shtetit sugjeroi që duhet marrë seriozisht, është një i kërkuar nga policia, i arrestuar për bashkëpunim me një person tjetër të Guardia di Finanza në dekonspirimin e operacioneve kundër drogës. Ky person është arrestuar. Gjykata i ka dhënë detyrim paraqitjeje dhe sot është në kërkim azili në një vend tjetër. Ca për t’i shërbyer kauzës së të humburve këtej dhe ca për të siguruar azilin atje tregon përralla. Si është e mundur që një njeri në kërkim ta promovojnë si hero. Ai është një kriminel. Ky është një vend ku nga një anë ka një koshere grenzash, një miks politik, mediatik dhe ekonomik sepse interesat që po preken në këto dy vite janë interesa të mëdha që nuk janë prekur kurrë.

Sokol Balla: Thoni që ka qarqe mediatike dhe politike të lidhura me trafik droge?

Edi Rama: Secili ka të vetat dhe ëhtë një koshere që përpiqet të ngatërrojë dynjanë duke thënë që në qeveri na paska ardhur krimi. Po si ka ardhur krimi kur rezultatet luftës ndaj krimit të kësaj qeverie janë më të lartat në 20 vite? Si qenka rritur krimi kur shumica dhe qeveria godasin pa asnjë tolerancë brenda vetes?! Si paska ardhur krimi?!

Sokol Balla: Rikthehemi në këtë pjesë të dytë me kryeministrin Edi Rama. Intervista jonë po ndiqet aktualisht në Twitter dhe një nga reagimet e shumta është ky: “Zagani na qenka fajtor, derisa të provohet pafajësia, ndërsa Ndoka është i pafajshëm, derisa drejtësia të provojë të kundërtën”…

Edi Rama: Nuk dua të zgjatem shumë me këtë, por ai i pari është fajtor sepse ka shkelur vendimin e gjykatës dhe është arratisur në drejtim të paditur, ndërkohë që lidhjet e tij me agjentët e Guardia di Finanza-s janë të provuara ashtu si dhe dekonspirimet e tij. Ndërsa i dyti, ish-deputeti Ndoka ka deklaruar se largohet për t’i shkuar deri në fund një çështjeje drejtësie, për ta provuar pafajësinë e tij përpara syve të të gjithëve dhe për këtë duhet përgëzuar. Dua të them se këto dy raste nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Sokol Balla: Në fakt është vërejtur edhe mosdakordësia mes ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe propozimit të deputetit, Koço Kokëdhima, për legalizimin e kanabisit.

Edi Rama: Argumentet lidhur me legalizimin e kanabisit për përdorim, siç është bërë edhe nga shumë shtete të tjera sot, nga SHBA-të, Italia e disa vende latine, për qëllime mjekësore, pa kaluar edhe te pjesa kreative, që ka fituar terren në shumë shtete; kanë marrë hov mbi shprehjen se represioni nuk është zgjidhja për ta ndaluar përfundimisht këtë ves, por këto janë argumente për të cilat nuk i ka ardhur koha në Shqipëri të diskutohen. Si argumente nuk janë as kriminale, as të dënueshme dhe as për t’u konsideruar ilegjitime. Kemi parë shumë vende të botës që e kanë legalizuar për çështje mjekësore, ashtu sikurse ka edhe vende që e kanë legalizuar për përdorim, në mënyrë që ta heqë njëherë e mirë nga duart e kriminelëve. Këto janë argumente demokratike dhe deputetët kanë të drejtë të japin opsionet e tyre, por qëndrimi ynë është i qartë dhe i prerë: Jemi ende larg kohës, kur mund ta çelim këtë diskutim, sepse në radhë të parë duhet të çmontojmë rrjetin dhe aktivitetin kriminal.

Sokol Balla: Kalojmë te rrjedhja në shtyp e një dokumenti të OSBE-së që kaloi me një mbrojtje të dobët nga ju, duke deklaruar se këto janë fakte të mbledhura nga shtypi. Por shumë kolegë të mi kanë vërejtur se këto gjëra nuk janë publikuar ndonjëherë në shtyp.

Edi Rama: Nuk dua të komentoj për këtë, sepse si kryeministër mendoj se etikisht është një çështje, që duhet diskutuar mes nesh fillimisht dhe me organizatën më pas. Por roli i mediave, që e publikuan atë dokument, ka qenë skandaloz dhe kriminal. Për arsyen e thjeshtë, sepse e publikuan si raport konfidencial të OSBE-së, në një kohë që nuk ka qenë i tillë. Të marrësh përsipër të publikosh një dokument të asaj natyre, duke qenë i qartë se ajo që shkruhej aty ishte produkt i shtypit shqiptar dhe thashethemeve të tij, dhe ta quash raport konfidencial, në një kohë që nuk shkruhet aty, është kriminale, sepse i jep legjitimitet një misteri, sikur zbulon fije të jashtëzakonshme që gjithë këta njerëz janë lidhur me krimin.

Sokol Balla: Top Channel ka nxjerrë para pak vitesh një copë letër “Presheva Talking Points”, që në fakt rezultoi i vërtetë…

Edi Rama: Ama e vërtetuat, sepse etika e një medieje, kur ka një dokument të tillë, është që të marrë verifikimin përpara se ta botojë, duke u këshilluar edhe me vetë organizatën. Nuk duhej shitur si diçka e provuar, një gjë që nuk është e verifikuar, sepse ajo përhapet në Kosovë, Greqi, Itali, Maqedoni e në botë, duke përhapur një imazh tepër të keq për Shqipërinë. Sigurisht që politika nuk është arena ku vallëzojnë ëngjëjt, e si çdo fushë tjetër ka edhe pjesën e vetë të pakontaminuar, sikurse edhe atë të kontaminuarën, ka edhe pragmatistë e të korruptuar, si çdo fushë tjetër, por nëse do të bënit një skanim moral dhe etik, mos mendoni kurrë se media do të dilte më pak e ndotur moralisht dhe etikisht se politika.

Sokol Balla: Morali është individual, ndërsa sa i përket shkeljes së ligjit, atëherë kapini dhe nxirrini para ligjit shkelësit.

Edi Rama: Lidhur me raportin, jo publikimi që është legjitim, por mënyra e publikimit është kriminale. Është mashtrim i opinionit publik, sepse ke marrë një dokument dhe i ke vënë epitetin konfidencial. Nuk është raport sekret, diçka e pavërtetuar e tillë.

Sokol Balla: Edhe OSBE e quajti material për konsum të brendshëm, duke i bërë një mbrojtje të vakët.

Edi Rama: Nuk dua t’i bëj koment qëndrimit të OSBE-së.

Sokol Balla: Po raporti konfidencial që doli në lidhje me një aferë në CEZ, që përfshinte edhe aleatin tuaj më të madh? A nuk ju duket kjo si një sulm i koordinuar për të përçarë qeverinë?

Edi Rama: Nuk besoj se ka ndonjë komplot të madh kundër qeverisë këtu, por ka një paaftësi të madhe që kthehet në një barrë të madhe ndaj popullit me keqinformimin që bëhet. Duket sikur kush do që ta nxijë Ilir Metën, ka të gjitha mundësitë që ta bëjë, kush do që të përfitojë nga kjo politikisht, e bën sipas dëshirës së vet. Por askush nuk ka dhënë një version zyrtar mbi çështjen, sepse shefja e zyrës sime në këtë diskutim të përhapur nga BIRN, ka thënë se “nuk është përmendur specifikisht emri i Ilir Metës”.

Sokol Balla: Një koment i juaji, zoti kryeministër, për deklaratën e Enno Bozdos, për daljen e këtij raporti nga Kryeministria dhe jo nga BIRN-i?

Edi Rama: E dini atë shprehjen që çdo njeri mban përgjegjësi për fytyrën e tij? Atë e tradhton fytyra, sepse është hallexhiu i radhës që punon te SHQUP-i. Unë kam një pamundësi të plotë për ta ndarë fjalën, fytyrën, veprën e dikujt kur bëj një gjykim. Ajo është fytyra e një njeriu, që është sjellë aty për të bërë një punë dhe, si gjithë të tjerët, nuk kanë fare të drejtën dhe mundësinë të mendojnë. Ai është përçues, thjesht ka ardhur aty për ta thënë këtë gjë. S’ka faj ai, fajin e keni ju që i ftoni këta karagjozë dhe i lejoni të flasin ato gjëra që janë hartuar nga zyrat e tyre. Kjo është PD-ja e vërtetë në fakt, një grup njerëzish që u thonë ‘bëj detyrën duke thënë kështu’, e me këtë ata sigurojnë bukën e gojës. Të thuash që ky gënjen është diçka që nënvlerëson edhe gënjeshtrën. Ai është tërësisht me një vakuum në kokë dhe vjen këtu të deklarojë diçka, por i paaftë të formulojë çfarë mendon vetë për një ëështje të tillë.

Sokol Balla: Meta deklaroi se ishte larë në të njëjtin det me ju. Ju u përgjigjët një ditë më vonë se, me të do të takoheshit kur të mbaronin pushimet. A jeni takuar?

Edi Rama: Vera ka kaluar dhe bashkë me të kanë ikur edhe retë, që ngritën avujt e kësaj vere.

Sokol balla: Si shkoi takimi i parë me Metën, pas 3 muajsh pa u takuar me të?

Edi Rama: Kush tha që nuk jam takuar? Marrëdhëniet e mia me të janë shumë të mira dhe aspak problematike, sa për të lexuar mediat apo intervistat, që të kuptojmë që mes nesh paska probleme.

Sokol Balla: A kanë ndërkombëtarët probleme me Ilir Metën, si njeri politik?

Edi Rama: Ndërkombëtarët kanë shumë respekt, për mënyrën sesi Ilir Meta drejton Kuvendin e Shqipërisë.

Sokol Balla: Keni lënë përshtypje këto muajt e fundit se takoheni më shpesh me Vuçiçin, sesa me Metën.

Edi Rama: Duhet të bënit një batutë më të mirë sesa kaq.

Sokol Balla: Ndërkohë, ju dhe qeveria juaj “po i bëni një make up Serbisë”, sipas Presidentit të Republikës.

Edi Rama: Nuk do ta besoja se Shqipëria është duke u bërë “make up” për Serbinë, por fakti që e pash dhe e dëgjova vetë, faktikisht e paska thënë, më tmerron, por jam zotuar se nuk do të bëja replika në publik me institucionin e Presidentit të Republikës, jo me Bujarin si individ.

Sokol Balla: Keni një deklaratë të Presidentit drejtuar jush, në lidhje me mënyrën sesi po e drejtoni marrëdhënien mes Shqipërisë e Serbisë, kur në mes është edhe Kosova.

Edi Rama: Po të ma kishit thënë ju apo ndonjë gazetar tjetër, do të thoja çfarë batute jeni duke bërë, por meqë e pash vetë çfarë tha, po i qëndroj vendimit tim për të mos replikuar me institucionin e Presidencës në publik, për t’i dhënë fund një epoke të kaluar, kur kryeministri i thoshte Presidentit dhe kryeprokurores “horr dhe lavire bulevardi”. Çfarë ka bërë Shqipëria në politikën e jashtme në këto dy vite dhe në raport me rolin e saj në rajon, por edhe çuarjen përpara të axhendës së bashkëpunimit rajonal, është një model për të cilin duhet të jem unë krenar, por edhe ne të gjithë krenarë. Kemi marrë një imazh të ri si komb dhe si shtet, që ka interesa dhe që i mbron ato pa bërë konjukturat e rastit. Afrimi ynë me Serbinë dhe ndërtimi pak nga pak i partneritetit serioz me Serbinë do të sjellë përfitime për shqiptarët dhe serbët, ashtu siç kanë përfituar edhe deri më sot, si një nga zgjidhjet më të mira për gjeneratat e ardhshme.

Sokol Balla: Do ta ftonit kryeministrin serb Vuçiç për ndeshjen e tetorit?

Edi Rama: Unë e kam ftuar dhe ai e ka pranuar ftesën për të qenë i pranishëm në “Elbasan Arena”. Madje ai tha se “ne do të fitojmë në Tiranë”, ndërsa unë iu përgjigja se “nuk e vendoste ai se kush do të fitonte, as që do të fitonte ai, por do të fitonin djemtë në fushë dhe ne do të duartrokisnim fituesin”. Ka pranuar dhe deri më tani është në fuqi ardhja e tij.

Sokol Balla: Por për Presidenten Jahjaga nuk e keni bërë një ftesë të tillë.

Edi Rama: Nuk ka asnjë problem dhe janë të ftuar të vijnë të gjithë liderët e rajonit.

Sokol Balla: Thuhet se ju e keni një armik në vëzhgim Presidentin dhe dyshohet se e keni vënë në përgjim.

Edi Rama: Nuk dua të bëj replika, por besoj se kjo është një ëndërr e keqe, prej së cilës Presidenti i ka të gjitha rrugët për t’u çliruar, sepse aty i ka dhe mund t’i bëjë hetimet nëpërmjet Shërbimit të Inteligjencës apo prokurorit të Përgjithshëm.

Sokol Balla: Në Presidencë ka pasur përgjithësisht emra që kanë ardhur nga e djathta, ndërkohë që nga e majta kanë qenë vetëm zoti Rexhep Mejdani dhe Ramiz Alia, për shumë pak kohë. A do të ketë një President Shqipëria, të paktën të propozuar nga e majta?

Edi Rama: Është shumë herët të flasim për këtë, sepse çdo mundësi për të dalë në një intervistë në një media të tillë, me një audiencë kaq të madhe, do të ishte më mirë ta shfrytëzonim të flisnim për çështje që i përkasin më shumë popullit, si varfëria, ekonomia etj., dhe jo të merremi me gjëra të tilla, kur ka ende kohë për të shkuar deri atje.

Sokol Balla: Siç e lamë, në fund do të flasim për ekonominë. Keni paralajmëruar dhe tashmë ka nisur operacioni ndaj informalitetit. Reagimet janë nga shkelësit?

Edi Rama: Po e kemi nisur dhe i kemi pritur reagimet, madje prisnim edhe më shumë, sepse ato vijnë nga një shtresë që i prishet rehati pas një kohe të gjatë informaliteti dhe shkeljesh ndaj shtetit. Një dyqan paguante detyrimet dhe tjetri në krah nuk paguante asgjë, e për më keq, i pari trajtohej si budalla nga qeveritë e mëparshme, ndërsa ata të dytët si të mençur. Ne përfaqësojmë popullin e drejtë dhe të ndershëm dhe do t’i shkojmë deri në fund. Thika do t’i shkojë deri në palcë këtij kanceri të shkaktuar nga ata që kanë përfituar në informalitet, sepse kështu do të verifikohet edhe vërtetësia e këtij operacioni. Ne jemi të parët që po bëjmë inventarin e një shtëpie të lënë rrëmujë prej 20 e kusur vitesh.

Sokol Balla: Por ju duhet ta konsideroni biznesin si partner dhe jo si rival.

Edi Rama: Ne po vendosim rregull në një shtëpi që është bërë corap në 20 e kusur vite. Kjo do mund, do kohën e vetë dhe sakrificat e veta. Por ata që respektojnë rregullat të quhen budallenj dhe ata që i shkelin ato të quhen si të zgjuar ka marrë fund. Koha e rrumpallës ka marrë fund dhe kanë fituar c’kanë fituar, tashmë duhet të konkurrojnë në mënyrë të ndershme. Ekonomia është më e vështira për të krijuar lumturi e kënaqësi për të krijuar kushtet e mira dhe vendet e reja të punës. Së pari jemi në përfundim të shlyerjes së borxheve, nga një shtëpi ku i zoti kishte luajtur kumar gjithë pasurinë e shqiptarëve. Trashëguam një vend të zhytur në borxhe të fshehura dhe të marra me dhunë nga qeveria nga xhepat e atyre që duhet të furnizonin spitalet, shkollat etj etj… Nuk ishin pak por 720 milionë dollarë, që për buxhetin e Shqipërisë janë jashtëzakonisht shumë.

Sokol Balla: Sa ishte borxhi në 2013 dhe sa është sot?

Edi Rama: Ne nuk kemi rritur borxhe, por kemi legalizuar borxhet. Kemi hyrë në një program me FMN që është partneri më i vështirë për çdo qeveri. Nëse do të kishim një gropë në të ardhurat…

Sokol Balla: E keni 160 mln euro…

Edi Rama: …nëse do të kishim një gropë që do të ishte krijuar nga arsyet që thotë opozita, apo edhe nga media që as duan t’ja dinë fare për të bërë një hulumtim të vërtetë të vërtetës, sot do të ishim në divorc me FMN, por nuk është kështu, sepse është një partneritet me një program. Këtu është një program financiar dhe Fondi mbi bazën e një programi ka kontribuar financiarisht. FMN nuk bën shaka me lekët e veta, nëse do të ishte kështu do të ishim në divorc me të. Është e qartë që kemi bërë një plan dhe ajo që është hendeku mes planit që ishte parashikimi ynë dhe të ardhurave është një hapësirë ku ajo që mungon shpejgohet në pjesën dërrmuese të vetën me çështje që nuk kanë lidhje me qeverinë shqiptare. Që nga rënia e naftës, inflacioni, rënia e interesave, që në ekonomi kanë bërë mirë, ndërsa si të ardhura nuk kanë sjellë sipas parashikimeve tona. Morëm një situatë me një stanjacion dërrmues, me një rritje të vazhdueshme të papunësisë reale, me borxhe që këtë vit i mbyllim dhe nuk kemi më punë me to dhe jemi sot me një ekonomi që është rritur 2.82 përqind në tremujorin e parë, synojmë këtë vit rritjen me 3 përqind. Nuk është e mjaftueshme që të ndjehet realisht në familje, por të mos harrojmë që për të shkuar aty ku duan njerëzit, nuk është as e lehtë dhe as pa mundime. Të gjithë këta përbërës të tjerë, energjia që vidhej, kontributet që nuk paguheshin, kush i paguan në fund si kosto? Pensionistët, ata që janë kontributorët realë dhe gjeneratat e tjera. Ky është një proces rimëkëmbje i një vendi që është në operacion akoma.

Sokol Balla: Sa vende të reja pune janë krijuar nga 2013 e sot?

Edi Rama: Janë sot të regjistruar në librat e shtetit 531 mijë njerëz. Janë 106 mijë më shumë sesa në 23 qershor, njerëz që janë në librat e shtetit në sektorin jobujqësor. Ju siguroj që objektivi ynë është i arritshëm duke marrë parasysh që kjo periudhë që ka shërbyer për të rimëkëmbur imazhin e Shqipërisë, ka përgatitur kushtet që të nisin investimet e mëdha. Para pak javësh kemi shpallur në Financial Times konkursin për zonën e parë ekonomiko-industriale në Spitallë. Kemi oferta serioze nga kompani të mëdha për këtë. Kemi investitorë të mëdhenj në fushën e naftës, në fushën e energjisë. Jemi të qartë në këtë pikë dhe unë jam i pari që besoj se për të arritur të transformojmë ekonominë duhet punë, sakrifica. Është hera e parë që ka një proces serioz shtetbërje. Sot kemi gjykata të korruptuara që nuk u japin kolateralin bankave dhe pengojnë zhvillimin ekonomik.

Sokol Balla: Këtë do ta zgjidhë reforma në drejtësi?

Edi Rama: Reforma në drejtësi është një masë që do të çlirojë zhvillimin në ekonomi.

Sokol Balla: Përmendet disa faktorë që thatë që ndikojnë në mosarritjen aty ku doni në ekonomi…

Edi Rama: Ne jemi brenda objektivave tona, por unë jam i bindur që koha do ta provojë që nëse do të vëmë në binarë shtetin dhe në binarët e ligjshmërisë sektorët e ekonomisë, do të rriteshim ekonomikisht shumë më shumë.

Sokol Balla: Në një e-mail, që u bë publik ju i drejtoheshit ministrave….do bëni apo jo ndryshime në Qeveri?

Edi Rama: Ajo që unë kam patur qëllim që në fillim dhe që mendoj se po shkon ashtu siç duhet, është që për herë të parë Shqipëria të ketë një Qeveri që është skuadër. Jemi në kushtet e një dokumenti dhe kam edhe të tjera unë që komunikoj me ministrat, por ai është nxjerrë nga konteksti. E-maili për të shtyrë përpara punën e skuadrës.

Sokol Balla:  Pra nuk do ketë ndryshime?

Edi Rama: Jo.

Sokol Balla: Shteti që i paguajmë taksa, presim që shtetit të zbatojë detyrimet që ka ndaj nesh. Duket sikur shteti është shumë i shpejtë tek dajaku, por shumë i ngadaltë tek shërbimet dhe detyrimet që ka ndaj nesh.

Edi Rama: Sikur shteti të ishte në gjendje që të kryente shërbimet pa patur nevojë për të vënë rend ligjor në çdo sektor, atëherë pse duhej rendi ligjor në çdo sektor. Shtetet që kryejnë shërbimet me shpejtësi janë shtete që i kanë zgjidhur problemet e individit në raport me shtetin. Që ne të ulim taksat më shumë, të rrisim rrogat dhe pensionet, duhet që të administrojmë kontribute dhe nëse nuk kontribuojnë të gjithë, por vetëm një pjesë, atëherë edhe aftësia jonë është e përgjysmuar. Ne jemi përqendruar që ditën e parë tek policia. Në fushatën e 2013-ës, qoftë në takime dhe anketime, për të renditur problemet kryesore, kryesori ishte rendi. Sot jemi në kushtet kur kemi një polici që reagon. Nuk është policia që unë dhe ministri duam, që shqiptarët duan. Është e sigurtë që policia ka ende probleme, por reagon.

Marrë me shkurtime nga Top Story

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>