Grupi i punës ka diskutuar rreth zbatimit dhe ngecjeve të Marrëveshjes së Ohrit. Para përfaqësuesve të partive politike, diplomati holandez Piter Fejth prezantoi analizën e tij, akoma të papërfunduar, rreth zbatimit të këtij dokumenti i parashikuar të përfundonte zbatimin që në vitin 2005. Ai është angazhuar nga Komisioni Evropian për të analizuar zbatimin e Marrëveshjes Kornizë, që rekomandohet tashmë në disa raportet e fundit të progresit. Fejth nuk deshi të komentojë mbi epilogun e takimit të sotëm, por kërkoi durim deri nesër.
“Kishim një takim të mirë. Nesër do t’ju informojmë më hollësisht, prandaj do të doja t’ju lusja që të bëni durim. Nesër do t’ju informojë zëvendëskryeministri Xhaferi, prandaj të presim deri nesër”, tha Piter Fejt, përfaqësues special i BE-së.
Analiza përfundimtare duhet të publikohet në një konferencë të gjerë ndërkombëtare në nëntor, ndërsa varësisht nga rekomandimet, Qeveria do të miratojë konkluzione në dhjetorin e këtij viti. Edhe zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi ka prezantuar plan-veprimin e Qeverisë për zbatimin e reformave evropiane, konkretisht hapat që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Ohrit. Diskutimi për Marrëveshjen e Ohrit ka qenë episodik, ndërsa ditëve në vijim, partitë do t’u kthehen çështjeve me përparësi, Kodit Zgjedhor dhe mediave. Nga ana tjetër, mbetet në status-quo çështja e Komisionit Hetimor për vërtetimin e përgjegjësisë politike për skandalin e përgjimit. Për shkak të mosmarrëveshjeve elementare mes partive, nuk është parashikuar takim tjetër për këtë çështje.
Benjamin Arifi