Sondazhi në Shqipëri, treguesi i besimit në nivele negative. Më shumë se gjysma e sipërmarrësve të huaj kanë pohuar se kushtet e të bërit biznes në Shqipëri nuk janë të favorshme
Treguesi i besimit të sipërmarrjes së huaj që vepron në Shqipëri është në nivele negative, sipas një ankete të realizuar nga shoqata e investitorëve të huaj, e cila ka anëtare bizneset më të mëdha dhe më të rëndësishme nga vende të ndryshme të botës. Më shumë se gjysma e tyre kanë pohuar se kushtet e të bërit biznes në Shqipëri nuk janë të favorshme
Gjykatat, ndryshimet e shpeshta të kuadrit ligjor dhe procedurave për taksat, informalitetit dhe konkurrenca e paligjshme janë tre problemet kryesore të të bërit biznes në Shqipëri. Në anketën e zhvilluar nga shoqata e investitorëve të huaj, në periudhën mars-prill të këtij viti, e cila u bë publike sot, kompanitë e pyetura i kanë identifikuar ato si cështjet më madhore. Në një shkallë vlerësimi nga 0 në 100, ku 100 është ai më negativi, ato kanë marrë mbi 65 pikë.
Thuajse në të njejtat nivel nga 58 deri 60 pikë, renditen më pas si cështje po ashtu problematike edhe korrupsioni, mungesa e qartësisë së legjislacionit dhe procedurave të taksimit, apo dhe politikat stimuluese të investimeve. Ndërkohë, çështje si “Lejet e biznesit “, “Qasja në financim”, “Inspektimet për çështjet e Mjedisit”, “Rregulloret e punës” dhe “Qasja në Energji dhe Telekomunikacioni” nuk janë problematike për mjedisin e biznesit në Shqipëri. Ato janë vlerësuar me 16 deri në 30 pikë.
Më shumë se gjysma e atyre që u pyetën, 51 përqind, konsiderojnë se kushtet për të bërë biznes në Shqipëri nuk janë të favorshme, përkundrejt vetëm 18 përqind që mendojnë të kundërtën. Ndërsa 31 përqind, pret një përmirësim të këtyre kushteve në gjysmën e dytë të vitit. Sipas anketës, treguesi i besimit të biznesit, i cili tregon mesataren midis situatës aktuale dhe pritshmërive për të ardhmen e afërt, qëndron në nivele negative.
Sipas investitorëve të huaj, taksat dhe qasja me organet tatimore nuk është ajo e duhura. Perceptimi i tre, sipas anketës, është se vetëm më pak se gjysma e inspektimeve tatimore apo kontrolleve zhvillohen për shkaqe të arsyeshme ligjore. Sipas tyre kush përdor ryshfetin apo lidhjet politike arrin t’i shmangë kontrollet apo gjobat. Në rast të ankesave, ata theksojnë se shpesh bëhen objekt i inspektimeve. Sipermarrësit e huaj, arrijnë madje deri aty sa, sipas anketës, janë të gatshëm të paguajnë më shumë taksa nëse niveli i korrupsionit do të ishte më i ulët.
Në të njejtën kohë investitorët e huaj theksojnë se legjislacioni dhe procedurat tatimore janë shpesh të komplikuara dhe të paqarta, dhë ndërsa e vuajnë përshtatjen me normat fiskale, theksojnë se nuk kanë parë asnjë përfitim të dukshëm nga fakti që i paguajnë rregullisht taksat. Shumica dërrmuese e tyre madje theksojnë se vazhdojnë të kenë problem me rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. (voa)