Ekipi i përgjysmuar i Katica Janevës nuk e dha betimin solemn. Asnjë nga shtatë prokurorët e zgjedhur, nuk u paraqit në takimin e caktuar në Këshillin e Prokurorëve. Në vend të prokurorëve, në Këshill arriti një letër nga ministri i Drejtësisë Adnan Jashari, e nënshkruar edhe nga 4 partitë politike që negociojnë në Përzhino. Në letër kërkohet që Këshilli i Prokurorëve t’i zgjedhë të 14 ndihmësit që kërkon Janeva, e jo vetëm gjysmën e tyre. Kryetari i prokurorëve Petar Anevski e ka ridërguar letrën tek prokurorja speciale.
“Letrën e dërgova që të veprohet sipas saj. Ajo të drejtohet me shkresë dhe ne të veprojmë sipas asaj shkrese. Nëse gjatë ditës ose nesër dorëzon shkresë me kërkesa të caktuara, ne do t’i shqyrtojmë dhe do të thërrasim mbledhje urgjente të Këshillit…”, tha Petar Anevski, kryetar i Këshillit të prokurorëve.
Pyetje: Nëse ajo ua kthen dhe insiston që të emërohen edhe 7 ndihmësit tjerë. Thatë se nesër keni mbledhje, si do të veproni? Do t’i emëroni apo jo?
“Nuk e di si do jetë, do vendosim kur të vijë koha. Edhe njëherë, do i themi argumentet tona, çdokush do votojë personalisht. Le të bëhet ashtu si do dalë”, u përgjigj Petar Anevski, kryetar i Këshillit të prokurorëve.
Sipas informatave jozyrtare të Alsat M, për pjesën e mbetur të ekipit të Janevës mund të votohet më vonë pasdite ose në mbrëmje. Deri në këtë moment nuk mundet të marrim qëndrim zyrtar nga institucionet kompetente. Para disa ditëve, i njëjti Këshill i Prokurorëve vendosi në kundërshtim me kërkesën e Janevës dhe votonte vetëm për 7 nga 14 ndihmësit e propozuar. Më pas, vijuan kritika të ashpra nga faktori ndërkombëtar, dhe Janeva akuzoi për shkelje të Ligjit të Prokurorisë speciale. Këshilli arsyetohej se ka vepruar në mënyrë ligjore dhe e ka shkurtuar listën sepse kanë pasur mungesë të prokurorëve.
Alsat-M