“Mirë se vini në Shqipëri”
Dy ditë para ndeshjes miqësore Kosovë-Shqipëri, grupi i tifozëve nga Prishtina “Plisat” kanë nisur të vendosin rreth 5000 flamuj kombëtarë në rrugët e kryeqytetit kosovar.
Vendosja e flamujve kuq e zi po bëhet për të nderuar Kombëtaren shqiptare pas kualifikimit Europianin e Francës.
Ditë më parë, në rrjetin social Facebook, udhëheqësi i “Plisave”, Albert Kastrati ka shkruar se “Plisat” e konsiderojnë vetën pjesë të Kombëtares, po aq sa Kombëtarja është pjesë e Prishtinës.
“Festën tonë të madhe dhe rrugëtimin tonë të përbashkët drejt Francës, t’a bëjmë ashtu siç na ka hije, të gjithë shqiptarët të bashkuar”, ka shkruar Kastrati.
I pari i “Plisave” ka bërë thirrje që tribuna jugore e stadiumit të Prishtinës të jetë e gjitha kuq e zi. Kjo pasi ndeshja e së premtes është festë dhe për ta përshendetur Kombëtarën në rrugën e saj drejt Parisit.
Slogani me të cilin “Plisat” po presin Kombëtaren është “Mirë se vini në Shqipëri”, të cilin e ka shpërndarë në rrjetin social Facebook edhe kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana me mbishkrimin “S’ka nevojë për më shumë fjalë! Bravo Plisat”.
/ Top Channel