Kosova shpalli të dielën ditë zie në nderim të viktimave të sulmeve të së premtes në Paris
Në Kosovë e diela është ditë zie, e shpallur nga presidentja e vendit Atifete Jahjaga, në nderim të viktimave të sulmeve të së premtes mbrëma në Paris.
Flamujt janë ulur në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
Të dielën në katedralen Nënë Tereza në Prishtine është mbajtur meshë e përshpirtshme në nderim të viktimave.
Natën e së shtunës, ndërtesa e qeverisë së Kosovës ishte ndriçuar me ngjyrat e flamurit të Francës.
Ngjarjet e se premtes në Paris janë dënuar ashpër nga udhëheqësit politikë në Kosovë, Bashkësia Islame dhe shoqëria civile.
Në reagime thuhet se në Paris u sulmuan liria, demokracia dhe vlerat qytetëruese, ndërsa shprehet bindja se Franca dhe bota demokratike nuk do të përulen para dhunës e terrorizimit.
Përfaqësues të shoqërisë civile ndezën qirinj në nderim të viktimave, ndërsa shumë veta vunë lule para ambasadës franceze në shenjë nderimi dhe solidarizimi. (voa)