Tani pritet hartimi i ndryshimeve të neveojshme kushtetuese dhe aktuve e vendimeve të parlamentit për të bërë të zbatueshëm ligjin
Në Shqipëri shumica dhe opozita arritën sot marrëveshjen për ligjin për dekriminalizimin, i cili do të duhet të shmangë përfshirjen në politikë apo emërimin në poste të larta zyrtare persona me një të kaluar të errët. Ky ligj do të duhet të shtrijë efektet dhe mbi të zgjedhurit aktualë si në parlament ashtu dhe në pushtetin vendor. Pas miratimit ai do të duhet të shoqërohet nga ndryshime në kushtetutë dhe një sërë aktesh të tjera apo vendime të parlamentit.
Pas thuajse gati një viti nga marrëveshja e dhjetorit të 2014 palët kryesore në parlamentin shqiptar i dhanë fund një cështjeje që ka qenë objekt debatesh dhe akuzash për përfshirjen e elementëve me të kaluar kriminale në politikë apo dhe në poste zyrtare. Në mbyllje të mbledhjes së komisionit të posacëm parlamentar të ngritur për këtë qëllim që të gjithë u shprehën të kënaqur.
Por ndërsa për opozitën kjo shihet si një fitore e saj përballë një shumicë që sic thotë ajo është bërë palë me krimin, për përfaqësuesin socialist Taulant Balla ligji shënon fundin e përbaltjeve politike: “Sot është një ditë e mirë për politikën shqiptare, sepse më në fund është mbyllur një proces i keqpërdorur për arsye politike në dëm të Shqipërisë sonë. Nga sot asnjë aktor politik shqiptar nuk mund të bëjë politikë në Europë duke sharë Shqipërinë si një shpellë kriminelësh, ku gjoja institucionet janë në xhepat e krimit”
Teksti i marrëveshjes detajon të gjitha kategoritë që preken, që nga deputetët, ministrat apo përfaqësuesit e zgjedhur vendor deri të institucionet e tjera të shtetit, duke penalizuar jo vetëm ata që janë dënuar në Shqipëri por dhe ata që kanë marrë një dënim qoftë edhe jo të formës së prerë, në gjykatat e vendeve të Bashkimit europian, Shteteve të Bashkuara e Kanadasë. Ai parashikon një numër të madh veprash penale kryerja e së cilave bëhet shkas për të mos lejuar ushtrimin e funksioneve publike, si për gjatë gjithë jetës, ashtu dhe për afate të ndryshme kohore në varësi të veprës penale.
Ligji do të ketë efekte të menjëhershme, deklaroi deputet demokrat Oerd Bylykbashi: “Përsa i përket atyre që janë sot në funksion, do të operohet sigurisht menjëhërë. Të gjithë personat dhe rastet e verifikuar deri më tani do ti nënshtrohen verifikimit dhe cdo person, edhe pse ka një funksion publik të zgjedhur apo të emëruar, nuk fshihet pas mandatit, të cilin do ta humbasë sapo të dalin konkluzionet. Në të ardhmen edhe nëse është zgjedhur, do ti verifikohet situata, do ta lërë mandatin menjëherë”.
Palët nuk ranë dakort me kërkesën e opozitës për testin e përdorimit të substancave narkotike, dhe për këtë cështje fjalën e fundit do ta thotë parlamenti, i cili gjithashtu do të duhet të miratojë dhe aktet zbatese si dhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Sipas zotit Bylykbashi, ligji mund të bëhet efektiv që në fillim të vitit të ardhshëm. (voa)