Presidenti francez Francois Hollande dhe ai amerikan Barack Obama do të diskutojnë të martën për luftën kundër IS-it dhe gjendjen në Siri
Presidenti francez Francois Hollande do të takohet të martën me presidentin amerikan Barack Obama, si pjesë e një turneu ndërkombëtarë për të nxitur veprime kundër militantëve të Shtetit islamik dhe për një zgjidhje politike të luftës qytetare në Siri.
Shtëpia e Bardhë tha se të dy udhëheqësit do të diskutojnë “bashkëpunimin e mëtejmë” në kuadër të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që ka kryer sulme ajrore kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri për më shumë se një vit.
Avionët francez janë pjesë e këtyre përpjekjeve dhe zyrtarët i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se synimi për më shumë veprime nuk përfshinë zgjerimin e operacioneve me trupa tokësore në Siri. Presidenti Hollande tha të hënën se ushtria e tij do të intensifikojë sulmet në Siri.
Franca sponsoroi një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara javën e kaluar që u bën thirrje të gjitha vendeve që të punojnë për të “parandaluar dhe luftuar aktet terroriste” të Shtetit islamik dhe grupeve tjera dhe për të “çrrënjosur strehën e sigurt” që ata kanë krijuar në Sirinë Lindore dhe pjesët veriore dhe perëndimore të Irakut.
Rezoluta që dënon sulmet e këtij viti të Shtetit Islamik në Francë, Egjipt Tunizi dhe Liban, thekson se militantët paraqesin “një kërcënim global të pashembullt ndaj paqes dhe sigurisë”.
Para nisjes së tij për në takimin me presidentin Obama, presidenti Hollande priti të hënën kryeministrin britanik David Cameron, i cili tha se planifikon t’i kërkojë parlamentit të tij këtë javë miratimin e zgjerimit të përfshirjes së Britanisë në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, për të përfshirë sulmet ajrore në Siri. Cameron u bëri thirrje vendeve evropiane të shtojnë shkëmbimet e agjencive të zbulimit.
Gjermani është pjesë e koalicionit, por nuk është e përfshirë në sulme ajrore. Presidenti Hollande takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel të mërkurën para udhëtimit për në Moskë për bisedime me presidentin Vladimir Putin.
Rusia po kryen bombardime në Siri tash e gati dy muaj, por fushata e saj është përballur me kritika të qeverive perëndimore që thonë se sulmet janë përqendruar mbi kryengritësit që kundërshtojnë presidentin sirian Bashar al-Assad dhe jo mbi grupin Shteti Islamik.
Presidenti Obama tha të dielën se do të ishte e dobishme që Rusia të drejtohet mbi militantët dhe se ai mendon që rrëzimi i avionit rus të pasagjerëve në Egjipt, po shton ndërgjegjësimin e palës ruse se grupi Shteti Islamik është kërcënimi kryesor ndaj Rusisë në Lindjen e Mesme. (voa)