Gazsjellësi TAP, regjistrohen mbi 1000 të punësuar

niko-tapGazsjellësi TAP, i cili në vendin tonë do të kalojë në 38 komuna dhe është në fazën e parë të punimeve, deri tani numëron 1050 persona  të punësuar dhe gjatë 2 viteve në vijim do ndihen efektet pozitive, pasi do të bëhet edhe lëvrimi i fondeve për subjektet e prekur. Gjatë fundjavës, zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri ndoqën nga afër ecurinë e punimeve në rrethin e Korçës, në rrugën që lidh fshatrat Vithkuq e Shtyllas. Përfaqësuesit e qeverisë morën garancinë, se kompania do mbajë përgjegjësi sociale dhe do të përgjigjet për problemet në komunitet që mund të krijohen nga ndërhyrjet për ndërtimin e tubacionit që do të transportojë gaz që nga rajoni i Kaspikut.

Duke e cilësuar një projekt jo të thjeshtë, që mund të shoqërohet edhe me probleme, Peleshi tha se është e nevojshme që konsorciumi në radhë të parë të mbajë përgjegjësi sociale në raport me komunitetin, që preken nga ndërhyrjet për të krijuar terrenin e duhur të gazsjellësit TAP. “Ka nevojë edhe për një përgjegjësi sociale të konsorciumit në radhë të parë, në raport me komunitetet sepse nuk është një projekt i thjeshtë dhe duhet ta themi. Të përgatisim edhe veten tonë, edhe komunitetin se është një projekt i vështirë derisa të realizohet, do të krijojë problemet e veta në funksionimin e jetës së përditshme në komunitet por natyrisht që edhe përfitimi është disa-fish më i madh”, tha ai duke folur edhe për garancinë që ka dhënë kompania për të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë e veta sociale, në mënyrë që komuniteti në vazhdimësi ta shohë këtë projekt si përfitim dhe jo si një kosto”.

Edhe ministri Gjiknuri foli për kujdesin që duhet treguar ndaj komunitetit, pasi veç avantazheve nga ky projekt, duhet të shmangen efektet negative të investimeve. “Janë bërë shumë investime në pjesë të vështira, me terren të vështirë. Viti 2016-2017, do të jetë dhe viti kryesor ku do të disbursohet pjesa më e madhe e parave dhe do të ketë një ndikim të menjëhershëm në ekonominë shqiptare. Patjetër, qeveria shqiptare po bashkëpunon me kompaninë TAP edhe për të adresuar problemet e komunitetit. Këto ndërhyrje në infrastrukturë sjellin padyshim avantazhe por shoqërohej dhe me probleme dhe ne sot me zv/kryeministrin erdhëm për t’i parë, ashtu sikurse për të menduar se si mund të përmirësojmë efektet tek komuniteti në terma afatgjatë”, u shpreh Gjiknuri.

Punimet

Vetëm gjatë kësaj faze të projektit, TAP parashikon rehabilitimin e afërsisht 62 kilometrave rrugë, rehabilitimin e 42 urave si edhe ndërtimin e 2 urave të reja përgjatë gjurmës së gazsjellësit në qarqet e Korçës, Beratit dhe Fierit. Rehabilitimi i rrugëve dhe urave do të mundësojë vijimin e fazave të mëtejshme në ndërtimin e pjesës shqiptare të gazsjellësit TAP. Drejtuesit e TAP detajuan ecurinë për rrugët dhe urat ndihmëse, punime të cilat po zhvillohen ne përputhje me kalendarin e parashikuar për të krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për fazat e mëtejshme në ndërtimin e projektit. Shkëlqim Bozgo, menaxher i TAP-it për Shqipërinë u shpreh se ecuria e punimeve po shkon sipas planifikimeve. “Presim që nga fundi i janarit ose fillimi i shkurtit të vijnë në Shqipëri tubat e parë për të filluar transportimin e tyre nga muaji mars përgjatë korridorit të tubacionit. Synimi është nga mesi i vitit që vjen të fillojmë punimet reale për hapjen e trasesë së tubacionit dhe ndërtimit real të tij”, tha ai.

Projekti

Gazsjellësi Trans Adriatik ka filluar ndërtimin në seksionin që kalon në Shqipëri në mesin e këtij viti dhe do të zgjasë afërsisht 3.5 vjet, i ndjekur nga fillimi i funksionimit gjatë vitit 2018. Projekti parashikon që tubacioni, i cili do të përshkojë Shqipërinë, Greqinë dhe Italinë, do të ketë valvula bllokimi, nga të cilat 10 do të jenë në Shqipëri, që do të shërbejnë për raste të emergjencave apo mirëmbajtjes. Në dy anët e tubacionit do të mbillen breza me pemë në gjatësinë e 3 metrave, ndërsa për banorët që kanë tokat e tyre bujqësore ngjitur me tubacionin nuk rekomandohet mbjellja e bimësisë që ka rrënjë të thella. Në lidhje me ndërtimet që do jenë pranë kalimit të tubacioneve të gazsjellësit, shtëpitë duhet të jenë minimalisht 200 metra larg nga tubacionet e gazsjellësit. Përjashtim mund të bëjnë vetëm raste të caktuara që kanë efekt në komunitet dhe që mund të ndërtohen vetëm pasi të jetë dhënë mendimi i autoriteteve që nuk kanoset asnjë rrezik. Këto raste përjashtuese mund të lidhen me ndonjë rrugë apo pus që kërkohet të ndërtohet. Toka do të merret për strukturat e përhershme të projektit dhe për të lejuar operimin, mirëmbajtjen dhe qasjen emergjente gjatë gjithë jetës operative të projektit.

Kontrata me farmacitë,  shtyhet afati për në mars

Farmacitë që tregtojnë barna të rimbursueshme, do të lidhin kontrata me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, duke nisur nga muaji mars, ndryshe nga sa parashikonte afati brenda këtij muaji. Kjo shtyrje është vendosur, me propozim të Shoqatës së Farmacistëve dhe grupeve të interesit në mënyrë që farmacistët të mos bëjnë inventarë dy herë në vit, ashtu sikurse ka ndodhur deri më tani, ku një inventar bëhej në fund të vitit dhe një tjetër në mars, pak para se të hynte në fuqi lista e re e barnave të rimbursueshme. Por, në lidhje me këtë ka reaguar Urdhri i Farmacistëve, i cili i ka dërguar një letër ministrit të Shëndetësisë dhe drejtores së FSDKSH pasi ky miratim është bërë në mënyrë të njëanshme. Ndërkohë, është ngritur grupi i punës që do të merret me hartimin e listës së re të barnave të rimbursueshme. Lista e re e barnave të rimbursueshme do të përcaktohet në bashkëpunim me shefat e shërbimeve.

Rreth dy javë më parë, Fondi, përmes një projekt-kontrate bëri edhe propozimet për funksionimin e farmacive në vend, një pjesë e të cilave, pasi janë diskutuar nga Urdhri i Farmacistëve nuk kanë marrë miratimin. Kështu, përpos rregullave që janë në fuqi për funksionimin e farmacive dhe barnave që ato tregtojnë, në vitin  2016 do të shtohen edhe 5 kërkesa të reja. Farmacia që lidh kontratë për herë të parë, duhet të ndërtohet në mënyrë të tillë që të krijojë mundësi hyrjeje të përshtatshme për invalidët para dhe tetraplegjikë, ndërsa sa i takon sipërfaqes, ajo nuk duhet të jetë më e vogël se 50 metra katror. Gjithashtu, farmacia që lidh kontratë për herë të parë, duhet të jetë në një distancë jo më të vogël se 150 metra nga farmacia ekzistuese me kontratë dhe nëse do të kërkohet ngritja e një subjekti pranë Qendrave Shëndetësore, distanca duhet t’i kalojë 30 metra.

Po ashtu, kontrata pasqyron masa më të ashpra në rregulloren e për tregtimin  e barnave dhe sanksione, të cilat përputhen me ato që kanë hyrë në fuqi nga ligji procedurave tatimore, 1 muaj më parë. Ndër detyrimet specifike, kontrata e hartuar nga Fondi, përcakton se nëse recetat që vijnë nga mjeku, qoftë edhe me mungesën e njërit prej 18 elementeve, duhet të kthehen mbrapsht, duke mos u rimbursuar për pacientët. Një tjetër detyrim për punonjësit e farmacisë është zbatimi i çmimit të shitjes së barnave dhe të kërkojnë rimbursim për barnat e listës. Ndërsa, pacientët e siguruar, duhet ta kenë gjithmonë me vete Librezën e Shëndetit, duke arkëtuar nga të ata,vlerën e tarifës së recetave me rimbursim të pjesshëm, vlerë e cila i mbahet nga rimbursimi. Për recetat e invalidëve të luftës dhe veteranëve me sëmundje kronike, farmacistët duhet të lëshojnë barin, sipas dy mënyrave. (shekulli)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>