20 vjetori i Marrëveshjes së Dejtonit

Marreveshja e DejtonitBashkimi Evropian shënoi 20 vjetorin e bisedimeve të paqes për Bosnje-Hercegovinën përpara nënshkrimit të marrëveshjes së paqes në Dejton në dhjetor të vitit 1995. Shefja e Bashkimit Evropian për politikën e Jashtme, Federica Mogherini, komisioneri i BE-s për zgjerim Johannes Hahn dhe Kryetari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës Dragan Çoviç ishin mes të pranishmëve në një konferencë të mbajtur në Bruksel me titull: “E ardhmja evropiane e Bosnjë-Hercegovinës 20 vjet pas marrëveshjeve të Paqes të Dejtonit dhe Parisit”.

 

Marrëveshja e Dejtonit i dha fund luftës tre vjeçare mes serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve, në të cilën u vranë rreth 100.000 njerëz, shumica e tyre boshnjakë myslimanë.

“Ky vit shënon 20 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së paqes së Dejtonit e cila përmban një kushtetutë që solli paqen e shumëpritur në Bosnje-Hercegovinë. Ajo tani ka dy entitete dhe tre kombësi përbërëse. Paqja është një bazë e mirë për ndërtimin i një sistemi që është i pranueshëm për të gjithë dhe ku nuk ka mbizotërim të një grupi të vetëm”, tha në konferencë kryetari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Dragan Çoviç.

Marrëveshja e paqes për të cilën u ra dakord në Dejton të Ohajos në nëntor të vitit 1995 dhe u nënshkrua në Paris më 14 dhjetor, e la vendin thellësisht të ndarë dhe jofunksional, duke e ndarë Bosnjën në dy entitete autonome, Republikën Serbe dhe Federatën Boshnjako-Kroate, dhe krijoi një sistem shumë të decentralizuar të bazuar në kuota etnike.

Marrëveshja i dha fund konfliktit të armatosur, por ajo është fajësuar nga shumë njerëz në Bosnje si element pengues i integrimit dhe zhvillimit, dhe ka përjetësuar ndarjet kohës së luftës.

“20 vite janë kohë e gjatë, por ndoshta jo e mjaftueshme për eleminimin e të gjitha toksinave të një lufte civile. Klima e përgjithshme politike në Evropë tani nuk mund ta lehtësojë këtë detyrë, sepse kontinenti ynë në përgjithësi është duke përjetuar një prirje mjaft të trishtuar, një shikim nga brenda, dhe shumë shpesh ne shikojmë njëri-tjetrin me frikë dhe dyshim. Ne nuk kemi nevojë të nxjerrim linja të reja ndarëse brenda Evropës në bazë të përkatësisë etnike, kombësisë apo fesë. Historia juaj na tregon se sa e rrezikshme mund të jetë kjo”, tha shefja e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Frederica Mogherini.

Edhe pas dy dekadave të paqes dhe miliarda dollarëve në ndihmë të huaj, partitë nacionaliste vazhdojnë të mbajnë pushtetin dhe vëzhguesit thonë se qëllimet e tyre të luftës nuk kanë ndryshuar.

Boshnjakët kryesisht myslimanë duan një shtet të centralizuar, shumë kroatë ende ëndërrojnë të kenë entitetin e tyre brenda vendit, ndërsa serbët u rezistojnë çdo përpjekjeje për të ristrukturuar shtetin dhe shpesh kanë kërcënuar se do të shkëputen nga federata.

Të shqetësuar nga pakënaqësitë në rritje, veçanërisht në mesin e të rinjve të Bosnjës, Perëndimi po përpiqet të nxisë ndryshime në kornizën e marrëveshjes së Dejtonit duke ua kujtuar zyrtarëve vendas perspektivën e largët të Bosnjës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Rruga evropiane është një ndërtim i natyrshëm i forcimit të stabilitetit dhe paqes e cila u mundësua në sajë të marrëveshjes së Dejtonit. Unë jam i inkurajuar nga nxitjet e reja gjatë vitit të fundid për të shtuar përpjekjet e Bashkimit Evropian për të ndihmuar vendin të përparojë drejt rrugës së tij evropiane, për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve të vendit”, tha komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerimin, Johannes Hahn.

Tre nënshkruesit e Marrëveshjes së Dejtonit, udhëheqësi boshnjak Alija Izetbegoviq, presidenti i Serbisë Sllobodan Millosheviq dhe ai i Kroacisë, Franjo Tugjman kanë vdekur. Pavarësisht mangësive të të saj, Marrëveshja e Dejtonit i dha fund luftës së përgjakshme në Bosnje dhe ka kontribuar në përmirësimin e marrëdhënieve ndër-etnike atje. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>