Me procedurë të përshpejtuar, qeveria greke po miraton reformat e premtuara. Por pikat e rëndësishme lihen për t’u miratuar në momentin e fundit.
Edhe në kohën para Krishtlindjeve, Athina mbetet e mbërthyer nga ethet politike: po këtë javë, ndoshta pasdite vonë të martën (15.12.) parlamenti do të miratojë një paketë tjetër reformash, në mënyrë që Greqia të mund të marrë një kredi të re në shumën prej një miliardë dollarësh. Puna nuk pret, sepse që të enjten (17.12.) në Bruksel mblidhet grupi i punës i ministrave të Financave të Eurozonës dhe për të dhënë aprovimin për kredinë e re.
Gjithsej trembëdhjetë masa do të miratohen këtë javë. Këtu bëjnë pjesë reforma, për të cilat nuk ka më diskutime, për shembull reforma e pagave në shërbimet publike dhe masa racionalizimi në spitalet publike. Por disa masa janë lënë mënjanë deri në fund. “Me gjithë kritikat, ndoshta edhe donatorët e dinë: në radhë të parë, kjo qeveri ka arritur të zbatojë disa masa, megjithëse nën presion. Së dyti: ajo ka një shumicë të vogël si mbështetje në parlament: 153 nga gjithsej 300 mandate, dhe prandaj nuk mund t’i zbatosh të gjitha menjëherë- aq më tepër kur disa gjëra shumë të vështira, me në krye reformën e pensioneve, janë në radhë vetëm në vitin 2016.”
Privatizimet – pikë qendrore
Sipas planit, qeveria duhet të themelonte që këtë javë një grup Task Force, i cili do të qe ngarkuar me rithemelimin e fondit të privatizimeve TAIPED. Veç kësaj, duhej të kishte përfunduar privatizimi i ofruesit shtetëror të energjisë elektrike ADMIE. Të dyja këto pika mosmarrëveshjeje nuk janë të përfshira në tekstin e ligjit. Por një privatizim i rëndësishëm, gjithsesi përfundoi: qeveria e Athinës, operatori i aeroporteve nga Frankfurti Fraport dhe partneri i tij grek i biznesit nënshkruan marrëveshjet për veprimtarinë në 14 aeroporte rajonale në Hellas, pasi kjo marrëveshje fillimisht u zvarrit në vitin 2015.
Për koncesionin që u jep operatorëve, shteti merr një shumë prej 1,234 miliardë eurosh. Objektivi i Greqisë për të siguruar 50 miliardë euro nga privatizimet, është ende një rrugë e largët. Megjithatë kjo shifër mund të negociohet.
Qeveria gjithsesi hoqi nga rruga pengesat e sindikatave të shërbimeve publike dhe ka vënë në rrugë reformën e premtuar të pagave. Ideja themelore është: shërbyesit e shtetit nuk paguhen më thjesht nga vjetërsia në punë, por edhe në bazë të kualifikimit. Dhe nga kjo reformë e synuar, 55 përqind e nëpunësve shtetërorë do të marrin rritje page, bëjnë të ditur mediat greke. (dw)