Edhe propozim-ligji i ri për noteri nuk e njeh gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni. Sipas këtij propozim-ligj, por edhe sipas ligjit aktual parashihet që të gjitha aktet noteriale të hartohen vetëm në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik.
Ligji për Noter, Neni 38, paragrafi 2 dhe 6:
“Të gjitha aktet noteriale duhet të shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik. Anëtari i ndonjë komuniteti jo maqedonas, shtetas i Republikës së Maqedonisë, i cili si palë tek noteri nuk kupton ose nuk e fletë gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik ka të drejtën e përkthyesit.”
Ndërkohë eksperti për çështje juridike, Osman Kadriu thotë se ligji aktual për noter dhe propozim ligji i ri janë kundër kushtetues.
“Kështu siç përpilohet ky ligj, me plotë përgjegjësi konstatojë, si jurist me përvojë që kam përcjell çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe konform kushtetutës, ligji në fjalë është kundër kushtetues. Jam i mendimit që kundër ligjit në fjalë duhet të iniciohet procedurë para Gjykatës Kushtetuese pasi ligji është kundër kushtetues, por me vetë faktin se edhe në Gjykatën Kushtetuese nuk garantohet dhe nuk zbatohet gjuha shqipe si gjuhë zyrtare mund të presim që edhe kjo gjykatë të refuzojë kërkesën për kushtetutshmërinë e ligjit në fjalë”, deklaroi Osman Kadriu, ekspert i çështjeve juridike.
Sipas ekspertit për çështje juridike, Osman Kadriu, propozim Ligji i ri për Noterët por edhe ai në fuqi duhet të korrigjohen me urgjencë pasi janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit, amendamentin 5 të Kushtetutës dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Valmir Kuçi