Amerikanët mund të hanë tani vezë pa u ndjerë fajtorë, sipas rekomandimeve të reja ushqimore të publikuara nga Departamenti amerikan i Bujqësisë dhe Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Humanitare.
Në udhëzimet e para të publikuara që nga viti 2011, qeveria hap gjithashtu dritën jeshile për ushqime të tjera me kolesterol të lartë, dhe pirjen e deri pesë kafeve në ditë.
Në vitin 1977, udhëzimet rekomandonin mënjanimin e kolesterolit, gjë që ndikoi negativisht në shitjet e vezëve.
“Shtetet e Bashkuara u janë bashkuar shumë vendeve të tjera dhe grupeve të ekspertëve si Shoqata Amerikane e Zemrës dhe Kolegji Amerikan i Kardiologjisë që nuk kanë një kufi maksimal për konsumin e kolesterolit në udhëzimet e tyre ushqimore”, – thotë Mitch Kanter, Drejtor Ekzekutiv në Qendrën për Vlerat Ushqimore të Vezës.
Rekomandimet sugjerojnë gjithashtu për herë të parë, që kaloritë ditore nga sheqeri të mos e kalojnë 10 përqindëshin e kalorive të nevojshme ditore.
Kaloritë që vijnë nga yndyrnat me bazë shtazore dhe nga disa lloje vajrash, si ai i kokonatit, apo që gjenden në ushqime si mishi i kuq, gjalpi, djathi, qumështi dhe akulloret, sipas udhëzimeve të reja, duhet të mos kalojnë 10 për qind të kalorive ditore.
Në përgjithësi udhëzimet sugjerojnë që amerikanët të largohen nga dietat që përqëndrohen tek proteinat shtazore dhe të konsumojnë ushqime me bazë bimore. Jo vetëm që kjo do të jetë më mirë për njerëzit, por konsumi i më shumë frutave, zarzavateve dhe arrave, do të ketë më pak dëm për planetin, thuhet në udhëzime.
Për herë të parë rekomandimet nuk sugjerojnë më se ngrënia e mëngjesit është një mënyrë për të qëndruar në formë të mirë fizike.
Heqja e paralajmërimeve për kolesterolin shihet nga kritikët e rekomandimeve si një shembull i dhënies së këshillave mbi diçka që më vonë provohet të mos jetë e vërtetë.
Sekretarja e Shëndetësisë Sylvia Burwell dhe Sekretari i Bujqësisë Tom Vilsack thanë se rekomandimet kanë ndryshuar bazuar në njohuritë shkencore, por kanë qënë konsistente për konsumin e më shumë frutave, zarzavateve dhe drithërave dhe pakësimin e konsumit të yndyrnave të saturuara, kripës dhe sheqerit.
Udhëzimet e qeverisë publikohen çdo pesë vjet dhe ndihmojnë në vendosjen e standarteve ushqimore për shkollat dhe programet e ndihmave federale. (voa)