Raporterët e Komisionit të Venecias kanë nisur sot në Tiranë takimet për paketën e ndryshimeve kushtetuese të reformës në drejtësi.
Axhenda dy ditore e tyre filloi në orën 11:00 me takimin me ekspertë të nivelit të lartë vendas dhe të huaj të Komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi.
Në takimin që zgjati rreth dy orë ekspertët e nivelit të lartë i njohën raporterët me mendimet e tyre për çështje të ndjeshme, si votimi i anëtarëve të institucioneve të drejtësisë.
“Qëllimi i këtyre takimeve është që ata të kuptojnë më mirë pozicionin tonë edhe të dëgjojnë shpjegimet për zgjidhjet që ne kemi propozuar – tha pas takimit eksperti Gent Ibrahimi -. Sesa të kënaqur ishin, do ta marrim vesh kur të shkruajnë opinionin përfundimtar të cilin po e presim me padurim të gjithë. Nga çështjet që kanë qenë objekt i opinionit të tyre, një pjesë u trajtuan sot dhe pjesa tjetër do të trajtohen nesër në takimin e radhës. Kjo ishte radha jonë që të flisnim dhe shpjegonim zgjidhjet tona, radha e tyre vjen më vonë në formën e një opinionin të shkruar. Aty do t’i marrim përgjigjet dhe do të kuptojmë sa bindës kemi qenë”.
Burime nga brenda takimit thanë se për votimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, raporterët e Venecias nuk kanë dhënë një mendim, por ata kanë dhënë propozime për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë dhe Këshillin Gjyqësor, përcjell “Ora Neës”. Sipas raporterëve, dy anëtarë të këshillave duhet të jenë propozim i opozitës, ndërsa tre të shumicës qeverisëse.
Gjithashtu ata kanë propozuar që të mos ndërpritet mandati i Prokurorit të Përgjithshëm aktual.
Në mesditë, raporterët e Komisionit të Venecias patën një drekë pune me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, kurse pasdite u takuan me ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, e më pas me përfaqësuesit politikë dhe grupin e ekspertëve të opozitës.
Të premten është programuar një takim me presidentin Bujar Nishani, ndërsa në orën 19:00 ekspertët do të dalin në një konferencë për media.
Opinionin përfundimtar mbi draftin e rishikuar, Komisioni i Venecias do ta përgatisë gjatë muajit shkurt dhe do ta prezantojë në mars.
(16:19) Reforma në drejtësi, ekspertët e Komisionit të Venecias takojnë Manjanin
Gjatë vizitës dyditore në Tiranë, delegacioni i Komisionit të Venecias është takuar pasditen e sotme me ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani.
Mësohet se ekspertët do të njihen me projektin e propozuar nga Ministria e Drejtësisë lidhur me ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi. (shekulli)