Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha të martën se institucionet e vendit janë angazhuar fuqishëm për të luftuar terrorizmin dhe radikalizmin. Ai i bëri këto komente në hapje të konferencës së tretë ndërkombëtare “Germia Hill”, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në bashkëpunim me Aspen Institute, me temën “arkitektura e sigurisë së Evropës Juglindore nën dritën e sfidave më të gjera botërore”.
Kryeministri Mustafa tha se parandalimi i ekstremizmit dhe radikalizmit që çon në terrorizëm mbetet përparësi e institucioneve të Kosovës. “Janë arrestuar shumë avokues të ISIS-it, janë thyer rrjetet e rekrutimit, janë mbyllur shumë organizata Jo qeveritare që e kanë keqpërdorur Kosovën për objektiva radikale, dhe janë marrë masa ligjore ndaj fondeve që dyshohet se janë përdorur për këto aktivitete. Qytetarët e Kosovës nuk e harrojnë për asnjë moment përkrahjen dhe solidarizimin e komunitetit ndërkombëtar në kohën kur ata ishin objekt i dhunës, krimit, terrorit dhe shpopullimit. Ne e vlerësojmë lartë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendeve demokratike dhe paqedashëse”, tha kryeministri Mustafa duke nënvizuar se angazhimi i Kosovës në luftimin e këtyre dukurive ka bërë që ulet numri i qytetarëve që u bashkohen grupeve të ndryshme radikale në Lindjen e Mesme.
“Sekretari i Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, theksoi se ne jemi udhëheqës në rajon në ndërmarrjen e shumë masave për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit dhe terrorizmit. Sipas shërbimeve tona, numri i qytetarëve të Kosovës në konfliktet në Siri dhe Irak ka rënë nga rreth 300 sa do të kenë qarkulluar andej e këndej gjatë viteve të fundit, në më pak se 70 veta, që mund të gjinden tani atje”, tha kryeministri Mustafa.
Që nga viti 2012 Kosova është përballur me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në luftërat në lindjen e mesme, dhe kjo dukuri ka ngritur shqetësime të mëdha te autoritetet në vend.
Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet nga 60 deri në 100 veta. Mbi 50 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.
Që nga viti 2013 e deri tash autoritetet kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza. Në muajin mars të vitit të kaluar, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja. (voa)