Debati i kandidatëve republikanë për president

debati kandidatetKandidatët presidencialë në SHBA po bëhen gati për zgjedhjet paraprake që do të zhvillohen pas dy ditësh në New Hampshire. Ata kanë ashpërsuar qëndrimet dhe gjuhën e përdorur ndaj njëri-tjetrit.

Në debatin e fundit përpara votimit, kandidatët mbajtën qëndrime të forta për politikën e jashtme dhe sulmuan ashpër rivalët.

Më agresiv ishte guvernatori i New Jersey, Chris Christie, i cili sulmoi senatorin e Floridas, Marco Rubio, që në fillim të debatit.

“Nuk të është dashur ndonjëherë të marrësh vendime për të cilat duhet të mbaje përgjegjësi.”

Jeb Bush, i cili ka filluar të rifitojë pikë në sondazhe, gjithashtu sulmoi Marco Rubion.

“Marco Rubio është një politikan me dhunti dhe që mund të ketë aftësitë për t’u bërë President i Shteteve të Bashkuara. Por, e kemi provuar tashmë me Barack Obamën llojin e elokuencës fluturake, dhe përfunduam pa një udhëheqës, por me dikë që synon të përçajë vendin.”

Zoti Rubio është tashmë ndër favoritët e republikanëve tradicionalë, në veçanti pasi doli papritur i treti gjatë testit të parë të votimit brenda partisë në shtetin Iowa.

Donald Trump udhëheq sondazhet në New Hampshire dhe i duhet të sigurojë një rezultat të fortë atje pas zhgënjimit të vendit të dytë në Iowa. Ai këmbëngul se ka aftësitë për t’u bërë president.

Për çështjen kryesore të politikës së jashtme të shtruar gjatë debatit, për lëshimin e raketave nga Korea e Veriut, asnjë nga kandidatët nuk dha ndonjë përgjigje befasuese për reagimin ndaj këtij vendi të izoluar. Zoti Trump tha se Kina, partnerja kryesore tregtare e Koresë së Veriut, duhet të ndërhyjë.

Në kampin demokrat, sondazhet i japin një avantazh të thellë Bernie Sanders në New Hampshire, përballë Hillary Clinton. Ai vazhdon t’i afrohet asaj edhe në sondazhet në rang kombëtar. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>