Në seancën e sotme parlamentare, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe drafti i qeverisë për të është bërë objekt debati e replikash. Maxhoranca pretendon se është drafti i dakordësuar pikë për pikë me opozitën, kjo e fundit thotë se është tjetër version.
Në fjalën e tij, Saimir Tahiri, duke mbrojtur draftin për Byronë Kombëtare të Hetimit, theksoi faktin se pavarësisht se emërimi i drejtorit të Byrosë do të bëhetnga ministri i Brendshëm ai merr miratimin paraprak të Prokurorit të Përgjithshëm.
Sipas Tahirit, Byroja është shërbim i policisë gjyqësore. “Veprimtaria proceduriale penale e Byrosë Kombëtare të Hetimit drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori. Ky i fundit është autoriteti përgjegjës vendimmarrës në lidhje me vendimet e Byrosë, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe legjislacionit në fuqi”, tha Tahiri.
Më pas ai shtoi se sipas draftit të dakordësuar, prokurorët kanë akses të plotë në të dhënat dhe informacionet që lidhet me çdo hetim të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe mbajnë marrëdhënie të përhershme me Byronë.
“Prokurorët e caktuar mund t’i sugjerojnë drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit trajnime dhe procedime disiplinore të nevojshme për punonjësit e Byrosë”, tha Tahiri.
Ai i kërkoi opozitës të mos abuzojë me rekomandimet e Venecias, dhe se disponon e-mailet e tyre për pikat e dakordësuara.
Rama: Drafti i Byrosë është i dakordësuar me PD-në
Kryeministri Edi Rama në seancën kuvendore theksoi se drafti i Byrosë Kombëtare të Hetimit të miratuar në qeveri është 100% ai i dakordësuar me Partinë Demokratike.
Ai i ka kërkuar kundërshtarit të tij politik, Sali Berisha që të mbajë një qëndrim për Byronë, duke u shprehur se demokratët po vënë në pozitë të vështirë partnerët ndërkombëtare.
“Byroja Kombëtare e Hetimit kalon me shumicë të thjeshtë, po ishte kërkesë e ndërkombëtarëve që për shkak të programit që BE ka lançuar për financimin e policisë së shtetit dhe për shkak të marrëveshjes me FBI-në, të përfshiheshin dhe ekspertë dhe përfaqësues të PD-së dhe ne ramë dakord. Jeni përfshirë dhe dakordësuar pikë për pikë. Drafti i Byrosë Kombëtare të Hetimit që qeveria shqiptare ka sjellë në Parlament është drafti me të cilin jeni dakordësuar ju. Pasi kemi miratuar draftin 100% të dakordësuar me ju, keni dalë dhe keni thënë një gënjeshtër dhe më të madhe. Që ky është drafti që më nxori mua cullak. Unë për të dalë cullak nuk kam nevojë të bëj drafte me ju”, tha Rama.
Berisha: Drafti i BKH-së, ndesh me Venecian
Ish-kryeministri Berisha deklaroi se varianti i miratuar nga qeveria për Byronë e Hetimit nuk është ai i dakordësuar nga opozita. “Dhe unë këtu, cilitdo që të dojë, mund t’i jap dokumentin”, ka thënë Berisha në fjalën e tij në Kuvend.
Berisha ka theksuar se, nuk mund të ketë një forcë tjetër politike më të interesuar se opozita për funksionimin e shtetit ligjor.
“Atëherë ne përcaktuam qëndrimin tonë të hapur se do të marrim pjesë në këtë reformë. Oferta jonë u kuptua jo si një akt përgjegjshmërie shumë të lartë, por ju e hodhët poshtë me cinizëm ekstrem”, ka thënë Berisha duke iu drejtuar mazhorancës.
“Futët në grup kunatin e Mimi Kodhelit dhe zonja në fjalë u ngrit këtu dhe mbrojti kunatin. Ai do merrte në darkë ato që i thoshte kunata, që ia kishte thënë Edi Rama gjithë ditën. Eksperti tjetër ishte ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, që më vonë erdhi dhe shprehu përkatësinë ndaj PS-së. Vunë në krye Xhafën, i cili porositi: më kini kujdes kunatin. Cilin kunat? Sokol Berberin, ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese. Sokol Sadushi, me t’u ulur aty tha, Shqipëria ka nevojë për një Gjykatë të Lartë Administrative, sepse unë dua të jem kryetar i saj”, ka thënë Berisha.
Paloka: Drafti, jo ai i dakordësuar
Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka ka deklaruar në Kuvend se drafti i Byrosë së Hetimit i miratuar në qeveri nuk është ai i dakordësuar mes palëve.
Sipas Palokës, nuk mund të ketë Byro Hetimi në varësi të kryeministrit dhe ministrave të tij dhe kjo është logjikë e thjeshtë. “Sepse i bie që Saimir Tahiri të hetojë Edi Ramën, apo Edi Rama vetën e tij. E kemi kërkuar këtu dhe çfarë ndodhi? Pasi na u tha se nuk vjen projektligji pa ardhur përgjigja nr. 2 e Venecias, papritur u mblodhën mbrëmë dhe miratuan një projektligj. Jo ai për të cilën nuk flasim ne. Tani na thonë ‘Hë, e doni ju?’. Është lojë për “kokëderra”, “çorbëderra”, po ne këtej nuk i themi derrit dajë, kështu që nuk mund t’i themi atij projektligji që kanë miratuar këta dje me emër tjetër”, tha Paloka.
Batuta mes Ramës dhe Berishës në Kuvend
“PD-ja po bën një çorap që as vetë nuk e di se çfarë do për sa i përket Byrosë së Hetimit”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, pas fjalës së Sali Berishës në foltoren e Kuvendit, ku po diskutohet krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
“Të gjithë po prisnin të flisje për Byronë e Hetimit, por në fakt fole për atë të politikës. Nuk është faji jonë që e ke bërë partinë si kopsht pa drekë”, i tha Rama, ish-kryeministrit Berisha.
Për sa i përket vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerri, në Tiranë, Rama tha se vizita ishte e planifikuar. “Për sa i përket vizitës së sekretarit të Shtetit, prapë the gjëra të pavërteta. Vizita e tij ishte planifikuar të bëhej në fund të vitit të shkuar në kuadrin e vizitave që bëri në rajon. Stacioni i Shqipërisë që ishte përfundimtar, u anulua për shkak të impenjimeve të Kerry-t në negociatat me Iranin. Ai nuk vjen për të kërkuar ato që the ti. Në atë aspekt s’ka asnjë problem mes nesh dhe SHBA-ve, përkundrazi është një vazhdë e një angazhimi që ne e respektojmë dhe do vazhdojmë ta respektojmë”, u përgjigj Rama.
(12:50) Kuvend, Berisha-Ramës: Nxore Nexhmijen në TV për të mbrojtur diktatorin
Në seancën e sotme parlamentare, krijimi i katër agjencive të zhvillimit rajonal është bërë objekt debati mes zv/kryeministrit, Niko Peleshi dhe deputetit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Në fjalën e tij, Peleshi bëri të ditur se projekti përfshin katër rajone zhvillimi dhe Korça do të jetë selia rajonale për rajonin Korçë-Elbasan-Berat.
“Jemi vetëm në fillimet e saj. Do të jetë një agjenci e rëndësishme që do punojë me bashkitë për projektet zhvillimore në rajon. Bashkia e Korçës i ka propozuar ministrisë që një pjesë të godinës në pronësi të Ministrisë së Arsimit t’ia vërë në dispozicion kësaj agjencie. Nuk e shohim në dëm të universitetit, pasi kjo agjenci do të punojë për universitetin. Siç bëmë me zyrën e punës”, tha Peleshi.
Menjëherë pas fjalës së tij, fjalën e merr ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e akuzoi Peleshin se thjesht ka çuar modelin Rama në qytetin rajonal të Korçës dhe se buxheti është bërë vetëm zyra.
“Do hyni në histori si qeveri e zyrave, por jo e zyrave për të punuar, po e zyrave për të mbushur xhepat. Të gjithë buxhetin e keni bërë zyra, salla, më fal për shprehjen, tualete. Tani na del se po ngrini katër agjenci zhvillimi rajonal. Për çfarë i duhen agjencitë Korçës, apo Shkodrës në një kohë kur ju nuk tregoni dot një vepër të ndërtuar. Kur kreu juaj detyrohet të shkojë tre herë në 1.5 km rrugë në Vlorë për të thënë u lodhëm, po bëjmë. Po ç’po bën? 1.5 km ke dy vjet që s’po e bën dot për të lidhur autostradën me rrugën transballkanike. Më thuaj ça ke bërë në Korçë përveç kullës falike, gjatë këtyre viteve që të pati dhe Korça si përfaqësues këtu”, tha Berisha.
Gjithashtu, deputeti i PD-së e cilësoi një akt të turpshëm dhe të papërgjegjshëm transmetimin e intervistës televizive të bashkëshortes së ish-diktatorit, Enver Hoxha. Ai tha se pas kësaj interviste qëndron kryeministri Rama.
“Nexhmije Hoxha është dora e zezë, është një kriminele, pothuajse e të njëjtin kalibër me të shoqin. Tani, Rama e nxjerr në televizion për të mbrojtur krimet makabre të të shoqit dhe të vetat”, tha Berisha.
Ai përmendi edhe vizitën e John Kerry-t në Tiranë, ku tha se sekretarit amerikan duhet t’i premtohet marrja në Shqipëri e rreth 2 mijë muxhahedinëve”.
“Kemi ndjekur me solidaritet kauzën e drejtë të këtyre qytetarëve të cilët janë dhe rezistenca më e vjetër në kohën moderne, kanë mbi 60 vjet që luftojnë në të gjitha mënyrat për një vend demokratik dhe që janë në vështirësi serioze”, ka thënë Berisha.
/Shekulli Online/