Halili: “Shqipëria e nisi demokracinë pa disidentë, studentët mërguan”.

Llukman HaliliStudiuesi Llukman Halili sapo ka botuar në Tiranë në gjuhën shqipe studimin e doktorimit të tij “Lëvizja Studentore shqiptare 1990-91”.

Zoti Halili thotë se lëvizja e studentëve të Shqipërisë ishte një lëvizje anti-komuniste, që i arriti qëllimet e saj.

Autori thotë gjatë një interviste me kolegun tonë në Tiranë, Ilirian Agolli, se mungesa e disidencës politike gjatë diktaturës ndikoi mjaft në rrjedhën e mëpasme të pluralizmit politik shqiptar.

Zëri i Amerikës: Dr. Halili! Cili është qëllimi kryesor dhe përfundimi kryesor i sudimit tuaj “Lëvizja Studentore Shqiptare 1990-1991”?

Llukman Halili: Ky studim rrjedh nga teza e doktoratës të mbrojtur në Universitetin e Zarës, që titullohej “Lëvizja Studentore dhe Tranzicioni shqiptar 1990-1991”. Qëllimi ishte që të dëshmohet përmes faktografisë ekzistuese, dokumenteve dhe literaturës së ndryshme të përdorur nga gjermanishtja, që të dëshmohej autenticiteti i Lëvizjes Studentore, origjinaliteti i saj. Ishte lëvizja e parë studentore, që arriti finalen e saj me përmbysjen e regjimit komunist. Lëvizja Studentore ia arriti qëllimit të vet: përmbysjen e diktaturës. Ky ishte qëllimi i këtij studimi; dëshmia e aktivitetit të Lëvizjes Studentore, që nuk zgjati, siç thuhet, 3-4 ditë, por zgjati deri në fund të marsit 1991, përfundoi me grevën e urisë, rënimin e përmendores së diktatorit dhe pastaj Lëvizja Studentore përfundon me largimin e mijëra studentëve në eksodin e marsit 1991.

 

Zëri i Amerikës: Ju këto ngjarje i keni ndjekur nga afër edhe si reporter në terren dhe tani po i studioni nga në distancë kohore e caktuar. Si e vlerësoni faktin që, ndryshe nga shumë lëvizje të tjera studentore, Lëvizja Studentore e Shqipërisë ishte një lëvizje anti-komuniste në radhë të parë dhe pa ambicje partiake në radhë të dytë?

Llukman Halili: Këto ngjarje i kam përcjellë si dëshmitar okular. Kam qenë atëherë korrespondent i agjencisë kroate të lajmeve HINA për Ballkanin me seli në Sofje të Bullgarisë. Lëvizja Studentore shqiptare ishte e vetmja lëvizje disidente anti-komuniste. Në fakt, në vitin 1970 ishte një lëvizje e tillë po ashtu shqiptare, që veproi në kuadëd të Klubit shqiptar të studentëve të Zagrebit “Shkëndija”, dhe që ishte gjithashtu me karakter anti-komunist. Kjo e Tiranës ishte e dyta pas asaj të Zagrebit, por që numerikisht ishte pak më e vogël. Përgjithësisht mund të thuhet se Lëvizja Studentore e Shqipërisë mund të mbajë epitetin si lëvizja e parë anti-komuniste që realizoi qëllimin e vet të madhërishëm si lëvizje për shtetin komb.

 

Zëri i Amerikës: Ato ditë të shkurtit 1991 studentët e hoqën emrin e diktatorit Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës. Qytetarët e hoqën monumentin e tij nga sheshi Skënderbej. Megjithatë edhe sot pas 25 vjetësh hija dhe miti i tij nuk është rrëzuar në mendjet e shumë shqiptarëve. Pse nuk ndodhi kjo pas këtij tranzicioni të gjatë?

Llukman Halili: Në të gjitha vendet e Europës juglindore tranzicioni po vazhdon dhe nuk ka përfunduar dhe nuk do të përfundojë në asnjë prej këtyre shteteve në Ballkan. Thjesht është çështja e mentalitetit ballkanik, prandaj tranzicioni do të jetë shumë i gjatë. Studentët e dhjetorit në vitin 1991 e demitizuan Enver Hoxhën, por miti i tij vazhdon të jetë në Shqipëri dhe në Kosovë. Duket se do të zgjatë shumë shkëputja përfundimtare nga ai mit.

Zëri i Amerikës: Pasi e keni studiuar në detaje Lëvizjen Studentore, si mendoni,çfarë duhet të bëjë më shumë a më mirë Shqipëria për dekomunistizimin e shoqërisë?

Llukman Halili: Duhen sa më shumë reforma dhe sa më shumë vetëdijësim politik.

Zëri i Amerikës: Gjatë këtyre viteve të tranzicionit Shqipëria vuajti edhe nga mungesa e politikanëve profesionistë me përvojë. Sfidat dhe sprovat e demokracisë nuk kanë qenë të lehta...

Llukman Halili: Shqipëria nuk kishte disidencë politike, si për shembull, në Poloni ku Komiteti për Mbrojtjen e Punëtorëve (KOR) udhëhiqej nga disidentë si Jaçev Kuronjiv, Ana Valentinoviçsen dhe ata hodhën si figurë pastaj në krye të Solidarnostit Leh Valesën dhe bënë përmbysjen 7-8 vjet më vonë. Në Shqipëri tmerri i diktaturës kishte groposur çfarëdo tendence disidente. Klasa e re politike, që erdhi, ishte produkt i diktaturës praktikisht, prandaj ajo klasë politike, si produkt i diktaturës, vazhdon edhe sot e qeveris Shqipërinë dhe mendjen e shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>