Seanca e pestë gjyqësore për Lagjen e trimave përfundoi ende pa filluar. Tre avokatë të të akuzuarve braktisën gjykatën meqë, sipas tyre nuk kishte kushte për gjykim. Avokatët në mënyrë të shpejtë u gjobitën me nga me nga 1200 euro. Përveç kësaj, avokatët Naser Raufi dhe Bujar Dardhishta do të duhet ti kompensojnë edhe të gjitha shpenzimet për gjykimin e sotëm, që sipas disa vlerësimeve arrijnë edhe dhjetëra mijëra euro. Do të duhet të paguajnë edhe shoqërimin e të akuzuarve, për angazhimin e dy helikopterëve dhe qindra policëve. Për gjykatësen, ata kanë ofenduar gjykatën, kanë prishur rendin dhe qetësinë dhe me sjelljen e tyre e kanë prolonguar procedurën.
Nga Gjykata i porositën familjarët se të afërmit e tyre mund t’i vizitojnë në paraburgim, dhe se Ligji për procedurë penale nuk parashikon se duhet doemos tu lejohet familjarëve që të jenë të pranishëm në gjykim. Sipas gjykatës ka vetëm një sallë të madhe dhe janë siguruar kushte për praninë e një pjese të familjarëve. Por edhe avokatët tjerë dolën në mbështetje të kolegëve që braktisën gjykatën.
“Duam kushte dhe do të solidarizohemi me kolegët për gjobat me të cilat u dënuam dhe për shpenzimet e supozuara që janë bërë me seancën e sotme, Gjykata duhet doemos ti tërheqë për arsyeje se nuk ka kushte për gjykim korrekt dhe të drejtë të kësaj lënde të ndjeshme që zhvillohet para Gjykatës themelore Shkupi 1”, deklaroi Lupço Veselinovski, avokat.
Çka nëse nuk plotësohen kushtet?
“Nëse nuk plotësohen kushtet, në seancën e radhës asnjë avokat mbrojtës nuk do të jetë i pranishëm”, tha Lupço Veselinovski, avokat.
Gazetarët u vendosën në bibliotekën e Gjykatës prej ku përmes televizorit përcillnin zhvillimet në gjykatë. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e OSBE-së, organizatave joqeveritare dhe të ambasadës së Kosovës në vend. Seanca e radhës do të mbahet më 8 mars.
Maja Jovanovska