Albin Kurti është themelues i lëvizjes opozitare më radikale kosovare Vetëvendosje, e cila njihet për faktin e pengimit nga deputetët e saj të punës së qeverisë me gaz lotsjellës.
Kjo lëvizje është e dalluar dhe e njohur si një alternativë e rrallë dhe artikuluese e mirë e shtetit sovran. Kurti për shkak të aktivizmit të tij politik ishte dy vite e gjysmë në burgje të Serbisë, disa muaj po ashtu ishte i burgosur në Kosovën e pavarur për shkak të aktivizmit politik. “Nëse pohojmë se nuk ka demokraci, është krejtësisht e logjikshme që na burgosin”, shton deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe demonstruesi me eksperiencë.
Si e kuptoni gjendjen e Kosovës tetë vite pas shpalljes së pavarësisë?
Ka pasur progres në pranimin e shtetit të Kosovës, nga shtetet e tjera, por jo edhe konsolidim të brendshëm. Kemi pavarësi formale, por jo edhe përmbajtjesore. Nuk kemi integritet territorial, nuk kemi sovranitet, nuk kemi ushtri dhe nuk kemi zhvillim ekonomik. Është shumë më keq se si ishte Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore. Hashim Thaçi i ka bindur deputetët serbë që ta votojnë si kryetar, por nuk mundë t’i bindë që të ndryshojnë Kushtetutën dhe të formojmë ushtrinë. Deri te pavarësia e Kosovës kemi ardhur me shumë koncesione dhe që nga pika fillestare e saj. Shpallja e pavarësisë u pat shtyrë për një ditë, vetëm për t’u krijuar EULEX-i. EULEX-i është një ditë më i moçëm sesa shteti i Kosovës, se përndryshe nuk mund të merreshin vesh anëtaret e BE-së për ta themeluar atë. Pesë nga ato ishin kundër pavarësisë së Kosovës dhe ato një ditë pas shpalljes së pavarësisë do të votonin kundër EULEX-it. Mitrovica është qytet i ndarë, papunësia ka tejkaluar të gjithë kufijtë racionalë. Mitrovica është rezultat i trashëgimisë milosheviqiane. Që ta fitonte Kosova pavarësinë kemi ndjekur planin e Ahtisaarit. Serbëve në Kosovë u janë dhënë privilegje shtesë që i ka kërkuar nga Beogradi. Ata i kanë fituar dhjetë komuna të pavarura me shumicë serbe dhe si të tilla faktikisht janë ndarë nga Kosova. Vuçiq tani sërish kërkon shkëputjen e atyre komunave nga Kosova.
Por Kosova ka Kuvendin, Qeverinë dhe Kryetarin. A mundeni që për këto zhvillime të tilla ta ngarkoni Serbinë?
Elitat tona politike janë të dëgjueshme dhe të lakueshme ndaj serbëve dhe BE-së. Pse? Sepse një gjë e tillë është në interes të tyre. Ata janë njerëzit më të pasur në shtet dhe jetojnë nga korrupsioni. Për të mos përfunduar në burg i japin koncesione Serbisë, sepse BE bën presion mbi ta.
Pse do të ishte kjo në interes të Evropës?
Sepse Evropa mendon se kështu do ta largojë Serbinë nga Rusia. Kjo nënkupton faktin se nëse kjo qeveri do të ketë sukses, kjo do të thotë se Republika si e tillë ka dështuar. Do të bëhemi edhe një shtet i enklavave siç është Bosnja, e cila do të duhet të krijojë relacion ndaj Republika Srpskas së vet. Dhe, ne këtë gjë duam të parandalojmë! Vetëvendosja dhe dy parti më të vogla po zhvillojmë mosbindje qytetare para kuvendit dhe në kuvend po pengojmë punën e tij. Përdorëm bylbyla, vezë të prishura, bomba me erë të keqe dhe drita laser. Gazi lotsjellës ishte vepra jonë protestuese. Kur organizojmë demonstrata në rrugë, mbi ne dhe ndër ne gjuan policia me qindra bombola lotsjellës. Ato nuk aktivizohen të gjitha, ne i mbledhim ato, i ruajmë dhe i aktivizojmë brenda parlamentit ndër deputetë.
Kësaj i thoni ju protestë?
Po. Kur demonstrojnë të varfrit, mbi ta hidhen bombola me lotsjellës, kjo është e natyrshme. “Shkoni në shtëpi dhe shikoni televizionin” u thonë policët që janë të blinduar. “Sheshi nuk është për ju”. Për të varfërit gazi lotsjellës është vetëm vërejtje miqësore për sjellje të mirë. E po qe se këtë gaz lotsjellës e hedhë para milionerëve, menjëherë e quajnë po atë gaz si armë kimike, gaz helmues dhe krim të paparë. Mua më kanë arrestuar dhe si kriminel me kanë burgosur tri javë e gjysmë. Dymbëdhjetë aktivistë dhe udhëheqësi i grupit tonë parlamentar janë në burg. Gjashtë aktivistë janë në arrest shtëpiak, atje janë edhe dy deputetë nga opozita e bashkuar. Në Kosovë nuk ka demokraci por regjim autoritar.
A është ky trend në Evropën lindore?
Po. Diktatura është e papranueshme, autokracia është krejtësisht në rregull. Shtetin e udhëheq figura paternaliste e babait, ai është babai i kombit, dhe të gjithë tjerët duhet të përkulen. Thaçi, Vučić, Gruevski, Orban funksionojnë sipas logjikës së njëjtë. Ato nuk janë regjime totalitare por autokrate. Pushteti në Kosovë funksionon si një katror. Në kënde janë fuqia politike, ekonomia, mediumet dhe universitetet private. Në mes këtyre katër pikave lëvizë pushteti mbi shtet, i cili është nën kontrollin e një elite politike. Në universitete private edukohen gjeneratat e ardhshme të këshilltarëve të ministrave dhe anëtarët e rinj të parlamentit e kështu me radhë. Politika ka aksione në ekonomi, afaristët janë pjesë e pushtetit politik. Mediat e kontrolluara e ofrojnë këtë si të vetmin rend të mundshëm. Nga politika e kanë larguar historinë dhe idetë.
E ju, çka ofroni diçka ndryshe?
Qeveria nuk na urren për shkak se i shkelim ligjet, por për shkak se guxojmë t’i shkelim ato. Këtë gjë nuk mundë të na e falin assesi. Kur na burgosin, njerëzit thonë se qeveria i mbron ligjet. E kotë. Qeverisë aspak nuk i intereson se cilat ligje shkelën. Sepse ata krejt kohën i shkelin ato. Regjimi autoritar nuk mund të shkruajë ligje të cilat fshehtas nuk i shkel. E nëse ju guxoni publikisht të shkelni ligjin, sepse jeni besnik ndaj bindjeve që keni, për qeverinë kjo është e pafalshme. Na kanë thirrur në qeveri. Janë të gatshëm të ndajnë realitetin e tyre të ndyrë, por nuk mund të na falin kur jemi besnik në idealet tona. Kur i bien shkelm historisë dhe ideve nga politika, atëherë politika bëhet lojë. Rregullat e lojës sillën në katrorin vicioz, ashtu sikurse e shpjegova më parë.
Lëvizja jonë ka filluar me idenë se, nuk qëndron problemi se Kosova nuk ka status të shtetit të pavarur, por se banorët e Kosovës nuk kanë liri. Kemi filluar me atë së Kosova nuk është problem, por se Kosova ka problem me Serbinë dhe UNMIK-un. Prandaj kërkojmë Republikën e tretë. E para ishte republika për rezistencë, e dyta është krijuar me shpalljen e pavarësisë. Ajo ishte republika e shitjes. Elektrodistribucionin e kanë shitur për 26 milionë euro. Po të kishin shitur për hekur të vjetër aq do të fitonin prej saj. Ne na duhet republika e tretë e cila do të merret me zhvillim. Këtë nuk mundë ta bëjë asnjë fuqi e jashtme. Duhet ta fillojmë vetë e pastaj mund të fitosh ndihmë. Kështu është e krijuar bota. Nëntëdhjetë përqindë e gjithë investimeve të huaja në botë shkon në shtetet e zhvilluara. Zhvillimi sjell investime. Investimet para zhvillimit janë korrupsion.
Këtu te ne, politikën kosovare e përjetojmë si rivalitet në mes Ramush Haradinajt dhe Hashim Thaçit. A është në të vërtetë çështje më e komplikuar kjo?
Të dy ishin komandantë në ushtrinë çlirimtare, të dy kanë formuar parti të veta të djathta, që nuk bazohen në programe por në udhëheqës. Ata janë në pozita të ndryshme. Thaçi është në krye të regjimit autoritar i cili Kosovën e ka shndërruar në peng. Haradinaj është në opozitë dhe është pjesë e betejës politike. Dallimi në mes karakterit të tyre nuk është thelbësor, e rëndësishme është pozita në të cilin gjinden. Në Kosovë me dekada kemi jetuar me idenë e rezistencës paqësore. Ishte tejet pasive ajo. Në vitin 1991, me shkatërrimin e Jugosllavisë, ne shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe në Shqipëri e kemi humbur shansin që të ndërtojmë strategji të përbashkët, kur ishte koha për të. Të humbësh shansin është shumë më keq sesa të bësh gabim. Të bësh gabim është mirë. Të përqafosh rrezikun, edhe nëse dështon, mëson nga gabimet dhe disa leksione duhet t’i përsëritni. Nga humbja juaj të paktën do të dalin ndoshta libra. Pas rënies gjithmonë vjen ringjallja dhe diçka pozitive. Nuk i keni arritur caqet tuaja, porse shumë keni mësuar. Ne kishim fat të keq me intelektualët, të cilët ishin më tepër shkrimtarë sesa shkencëtarë, të cilëve u interesonte gjuha më shumë se filozofia. Për këtë çështje shqiptarët ishin pasivë dhe kurrë nuk kemi krijuar asnjëherë strategji të përbashkët as kundër Milosheviqit.
Si e shpjegoni mungesën e zhvillimit ekonomik?
Kur erdhi UNMIK-u në vitin 1999, thoshin se teatri ynë kombëtar nuk mundë të shkojë ne Edinburg, sepse nuk kemi status të shtetit të pavarur. Ndërkaq, për privatizim nuk kishim nevojë të kishim status të shtetit të pavarur. Ne kemi nisur 60 valë të privatizimit dhe kemi shitur 600 ndërmarrje shtetërore si të mira të vdekura dhe jo si organizata punuese dhe njësi prodhuese. I kanë shitur si tokë dhe si mure. Ekonominë e kanë vrarë dhe e kanë shitur si kufomë. Me shpalljen e pavarësisë ka ndodhur lëvizja nga Kombet e Bashkuara kah BE-ja. Vetëm emri i protektoratit është ndërruar.
A është ndërruar ndonjë gjë me krizat evropiane?
Shqetësimi ynë është se diku 300 shqiptarë luftojnë në Siri dhe nuk kemi asnjë refugjatë sirianë. Kjo zgjon ndjenjën se shqiptarët e Kosovës janë refugjatë në shtetin e vet. Jetojmë nën çadra para parlamentit. Kosova ka themele por nuk ka çati mbi kokë. Refugjati është njeri pa çati mbi kokë. Nga qeveria nuk mund të presim asgjë, kështu ne nuk mundemi më. Të dy jemi peng të së djathtës e cila në Evropë i ka zgjeruar krahët e saj. Vetëvendosja është lëvizje socialdemokrate. Kemi vështirësi. E djathta ka përvetësuar katër shtyllat e jetës dhe të botës. Liria, shteti, ekonomia dhe kombi janë bërë pronë e saj. Socialdemokratëve ua kanë lënë ambientalistët dhe LGBT. Ne ambientalistët dhe LGBT me kënaqësi i pranojmë, por kemi shumë për të thënë për lirinë, ekonominë, shtetin dhe kombin.
*(Intervistën e plotë të Albin Kurit dhënë gazetës sllovene Dnevnik më 16 mars 2016, për gazetarin Ervin Hladnik – Milharčič, e ka shqipëruar lëvizja Vetëvedosje)