Sulmet vdekjeprurëse të javës së fundit në Bruksel e përqëndruan sërish vëmendjen e Amerikës tek terrorizmi, si dhe e rritën rëndësinë e tematikës së sigurisë kombëtare gjatë debateve për zgjedhjet presidenciale.
Ndërkohë që belgët vazhdojnë të mbajnë zi, protestat dhe shqetësimet për sigurinë shkaktuan anullimin e një marshimi për paqen që do të mbahej në Bruksel.
Përtej Atlantikut, sulmi ka ngjallur retorika të nxehta përgjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale. Republikani Ted Cruz u zotua të shkatërrojë Shtetin Islamik.
“Do t’i shkatërrojmë nëpërmjet bombardimeve ajrore masive deri sa t’i shfarosim.”
Gjatë një interviste telefonike, kandidati republikan kryesues, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara gjenden në rrezik.
“Terrorizmi ka dalë jashtë kontrollit. Nëse nuk tregohemi shumë të fortë dhe tepër të zgjuar, atëherë do të përballemi me një problem shumë të madh.”
President Obama ka thënë se vetëm ushtria nuk mundet të çrrënjosë terrorizmin dhe se Amerika duhet të udhëheqë nëpërmjet shembullit të saj.
“Duke qenë të hapur për refugjatët që i largohen dhunës së ISIS-it; duke qenë të vendosur për të fituar betejën kundër propagandës së dhunshme me një pamje të shpërfytyruar të Islamit që synon të radikalizojë të rinjtë myslimanë. Në këtë përpjekje, partnerët tanë më të rëndësishëm janë amerikanët myslimanë.”
Ky mesazh u mbështet edhe nga kandidatja kryesuese demokrate.
“Nuk mund t’i dorëzohemi panikut dhe frikës. Nuk është në përputhje me vlerat tona, nuk na mbron me efikasitet dhe realisht luan lojën e terroristëve.”
Republikanët , mes tyre senatori Ted Cruz, e akuzojnë Obamën për dobësi.
“Jam kundër përfshirjes së SHBA-së në një luftë pa fund në Lindjen e Mesme.”
Pas sulmeve të vitit të kaluar në Paris, anketimet treguan një rritje të shqetësimit të amerikanëve për sigurinë gjatë një cikli elektoral gjatë të cilit normalisht do të kishin dominuese tematikat ekonomike. (voa)