Reforma në Drejtësi, mbyllet faza e parë e diskutimeve

reformat drejtesi alKomisioni i Posaçëm parlamentar rinisi sot punën. Dakortësi për mjaft cështje. Emërimet në institucionet e reja ndajnë palët. Priten propozimet e ekspertëve të Opdat dhe Euralius. SHBA dhe BE përshëndesin rifillimin e dialogut: Të vazhdohet pa vonesa

Në Shqipëri, Komisioni i Posaçëm për Reformën zgjedhore mbylli sot fazën e parë të diskutimeve mbi 10 cështjet e ngritura nga opozita. Palët kanë rënë dakort për një pjesë të mirë të pikave, ndërkohë që për pjesën tjetër është lënë që të vijojë diskutimi pasi ekspertët e huaj dhe ata të partive të sjellin propozimet që të refektojnë pikëpyetjet e ngritura. Rifillimi i bisedimeve, u përshëndet sot nga ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Delegacioni i Bashkimit europian, të cilat i bën thirrje partive që të përmbyllin procesin pa vonesa.

Pas më shumë se dy javësh ndërprerje, opozita u rikthye sot në Komisionin e Reformës në Drejtësi, për të rimarrë diskutimin e 10 çështjeve që ajo ka ngritur pas mbërritjes së opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias. Sot palët përmbyllën fazën e parë të diskutimeve dhe deklarimet pas takimit ishin me tone të qeta, duke nënvizuar më së shumti anët e përbashkëta dhe larg polemikave mbi ato që i ndajnë.

Si kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj, ashtu dhe përfaqësuesi i opozitës Eduard Halimi shpjeguan se për mjaft aspekte të debatueshme palët thuajse kanë gjetur konsensus, vecanërisht ato që kanë të bëjnë me prokurorinë speciale antikorrupsion nga e cila do të varet dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, apo dhe me arkitekturën e sistemit dhe procesin e verifkimit dhe kontrollit të gjykatësve dhe prokurorëve.

“Cështja më fort e debatueshme, për të cilën edhe ne sot nuk pretendonim të kishim një dakortësi, është cështja që ka të bëjë me emërimin e institucioneve të reja. Ka patur opinion nga opozita, kemi dhënë dhe ne një propozim. Shqetësimi që ne kemi është një dhe vetëm një, se si institucionet e reja të mos jenë nën kontrollin politik” deklaroi zoti Xhafaj.

Nga ana e tij zoti Halimi shpjegoi shqetësimet që opozita ka lidhur me institucionet e reja që krijohen: “Këtij komponenti, për ne, i mungojnë elementët e parimit “check and balance” ndërmjet pushtetit gjyqësor dhe pushteteve të tjera, pasi mungon dhe pjesa e llogaridhënies së pushtetit gjyqësor, ka probleme me kapjen politike dhe që Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandime që duhet të zbatohen, dhe ka probleme me korporatizmin”.

Palët kanë rënë dakot që ekspertët e misionit amerikan Opdat dhe ata të atij europian Euralius, së bashku me ekspertët e partive të punojnë mbi argumentat e ngritura gjatë diskutimeve të sotme dhe të japin propozime të cilat do t’i nështrohen sërish debatit politik. Socialistët thonë se mbeten të hapur duke këmbëngulur në rëndësinë që korniza e Reformës dhe e Opinionit të Komisionit të Venecias të mos preket në thelbin e saj.

Komisioni i Posacëm parlamentar, nisi dy javë më parë diskutimet me dyer të mbyllura dhe palët arritën të gjenin gjuhën e përbashkët për katër nga 10 çështjet e ngritura nga opozita. Puna e komisionit u ndërpre më pas, si pasojë e tensioneve në parlament, dhe votës kundër të shumicës ndaj kërkesës së opozitës për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e mandateve të dy deputetëve socialistë, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli. Sipas opozitës ata janë në konflikt interesi, duke qenë se fëmijët e tyre kanë përfituar tendera publikë, dhe se për raste të tilla Gjykata është shprehur qartë. Refuzimin e shumicës, e djathta e konsideroi një “atentat kushtetuese”, duke argumentuar se “nuk ka kuptim të diskutohen ndryshimet kushtetuese kur shumica nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”. Javën e shkuar të dy deputetët, ju drejtuan parlamentit që pavarësisht vendimit të marrë, të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese vlerësim nëse janë apo jo në kushtet e konfliktit të interesit.

Mbrëmë parlamenti votoi në favor të dërgimit të rastit të tyre për shqyrtim nga Kushtetuesja. Vendimi i hapi kështu rrugë rikthimit të përfaqësuesve të opozitës në Komision. Rinisja e dialogut mbi Reformën u përshendet nga ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit europian. Duke ju referuar një sondazhi të publikuar pak ditë më parë ku rezultonte një mbështetje e gjerë e shqiptarëve ndaj Reformës, ata i bënë “ thirrje të gjitha partive politike që të dëgjojnë 91% të shqiptarëve që e mbështesin këtë reformë të rëndësishme, duke e çuar atë drejt përfundimit me sukses pa vonesa apo pengesa. Të gjitha partitë politike kanë një rol në këtë proces dhe kanë përgjegjësinë madhore për të arritur një marrëveshje”, thekson deklarata.

Cështja e Reformës në Drejtësi, sic tha dje nga Uashingtoni, kryeministri shqiptar Edi Rama, ishte dhe një ndër pikat që ishte diskutuar në takimin me presidentin amerikan Barack Obama dhe zëvendëspresidentin Joe Biden. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>