Deimel: Situata në Maqedoni është shumë e rrezikshme

Johanna DeimelJohanna Deimel, eksperte e Fodacionit gjerman për Evropën Juglindore thotë se vendimi i Ivanovit krijon një situatë të rrezikshme në vend. Tensionet mund të shtohen.

Deutsche Welle: Si e vlerësoni situatën aktuale dhe krizën e fundit në Maqedoni?

Johanna Deimel: Fakti që presidenti ka shpallur anulimin e procedurave (dhe ka shpallur amnesti), paraqet një shkallëzim absolut. Në këtë mënyrë ai është vendosur mbi organet juridike të shtetit dhe ka dëmtuar përpjekjet e faktorit ndërkombëtar. Në sytë e qytetarëve ai ka diskredituar edhe punën e qeverisë dhe të gjithë klasës politike. Ndaj njerëzit kanë dalë në rrugë dhe kështu është krijuar një situatë shumë e rrezikshme.

Si mund të zhvillohen gjërat?

Shpresoj shumë se presidenti do ta tërheqë vendimin e tij. Sugjerimet e kabinetit të zonjës Mogherini, komisionerit Hahn dhe qeverisë gjermane, janë shumë të qarta: nëse mbetet kjo amnesti, kjo do të ishte goditje ndaj shtetit juridik dhe në këtë mënyrë rrezikohet rruga e Maqedonisë drejt integrimeve evropiane.

A ka ndonjë perspektivë ky vendim i presidentit?

Për këtë duhet pyetur VMRO-në dhe zotin Gruevski. Por mendoj se ka nevojë për një ndryshim të përgjithshëm të kulturës politike në Maqedoni. Më parë është arritur një marrëveshje, por VMRO, me mjete të ndryshme dhe taktizime, por arrin të mbetet në pushtet. Në të gjitha skandalet e fundit, siç është përgjimi, ka pasur gisht pushteti autoritar, gjë që është shumë e rrezikshme. Do të thotë, duhet të bëhen ndryshime dhe këtë duhet ta bëjnë të gjithë – prej presidentit e deri tek faktorët tjerë udhëheqës dhe partitë politike.

Cila është perspektiva evropiane e Maqedonisë, pas këtyre zhvillimeve?

Mendoj se rruga mbetet e hapur dhe se Evropa do ta mbështesë Maqedoninë. Mendoj se Bashkimi Evropian, si dhe shtetet anëtare, kanë dhënë një mbështetje të madhe me ndërmjetësimin e tyre. Mendoj se dyert e BE nuk janë mbyllur për Maqedoninë, por ajo duhet të gjejë një rrugë për të dalë nga kriza. Sepse BE nuk ka nevojë për një vend në krizë dhe për një krizë të re, një vend jo i qendrueshëm, i cili ka edhe probleme kufitare.

Ju thatë se dyert e BE-së mbeten të hapura, por ka dhe kritikë të cilët thonë se BE mban vet një pjesë të fajit për gjendjen atje, sepse nuk ka reaguar me kohë por ka toleruar të ndodhin shumë gjëra…?

Маqedonia është vetëm një shembull. Ka dhe vende të tjera, madje edhe anëtare të BE-së, të cilat po përpiqen të pëkufizojnë mangësitë strukturore në këto vende. Problemi është që Maqedonia është kandidate për anëtarësim në BE prej vitit 2005. Por ende nuk është zgjidhur problemi me Greqinë rreth emrit, sepse në BE merren vendime unanimisht. BE ka 28 vende anëtare, por ajo megjithatë ka bërë përpjekje të mëdha për ta ndihmuar Maqedoni, pavarësisht bllokadës së fundit.

Mirë, mund të thuhet se një prej vendeve anëtare të BE-së ka një përgjegjësi të madhe për zhvillimet e fundit në Maqedoni

Jo, nuk dua të mendoj në këtë drejtim. Kuptohet që problemi me emrin është problemi qendror me Greqinë dhe kjo dihet. Ka dhe disa vende të tjera që shikojnë me shqetësim zhvillimet në Maqedoni. Megjithatë dyert e BE-së mbeten të hapura për Maqedoninë, nëse ajo vazhdon rrugën drejt stabilitetit dhe reformave, të cilat janë të domosdoshme.

Zonja Deimel, çfarë duhet bërë tani, çfarë pritet nga Maqedonia?

Do të dëshiroja shumë që zoti Gruevski ta detyrojë zotin Ivanov të tërheqë vendimin e fundit. Ky do të ishte hapi i parë. Është një domosdoshmëri absolute që kjo amnesti të mos ndodhë dhe që zgjedhjet e ardhshme të mbahen sipas standardeve të BE-së.

Politologia Johanna Deimel është zëvendësdrejtore e Shoqatës gjermane për Evropën Juglindore dhe njohëse e mirë e zhvillimeve në Ballkan. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>