Të gjitha detajet e rastit Azem Syla – Daja

Azem_SylaDeputeti i PDK-së, Azem Syla, i njohur si “Daja” i UÇK-së, dyshohet se është udhëheqësi i një grupi kriminal që është marrë me shitjen e pronave shoqërore. EULEX-i dhe Policia e Kosovës, nga bastisja e 40 lokacioneve, kanë arrestuar 6 nga 52 persona që dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës për 30 milionë euro. Në operacionin më të madh të EULEX-it, ku janë përfshirë 350 policë, Syla është arratisur

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla, po dyshohet të jetë edhe “komandant” i një grupi kriminal që është marrë me shitjen e tokave shoqërore në periferi të Prishtinës. Syla vetë i 51-ti, dje ka qenë në “target” të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, por ai nuk ka “qëlluar” në shtëpinë e tij kur në derë trokitën hetuesit, por as nuk iu është paraqitur më vonë autoriteteve.

Policia arrestoi vetëm 6 nga 52 të dyshuarit për tjetërsim të pronave dhe shpërdorim të detyrave zyrtare në operacionin më të madh kundër krimit të organizuar, realizuar nga Misioni i EULEX-it dhe Policia e Kosovës.

Në operacionin që filloi në orët e hershme të mëngjesit Policia bastisi rreth 40 prona të ndryshme, përfshirë edhe ato të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, në Kishnarekë të Drenicës.

Ndërkohë vetëm dhjetë ditë më parë, në një reagim të tij, Syla kishte thënë se nuk bëhej fjalë për të në akuzat e para.

Sidoqoftë, prokurori i EULEX-it, Danilo Ceccareli, ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës që gjashtë të arrestuarve t’u caktohet masë paraburgimi. Në mesin e atyre që është arrestuar, është edhe ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, i dënuar për shpërdorim të pronave shoqërore. Por, avokati i Ukës, Tahir Rrecaj, ka thënë se klienti i tij e ka kundërshtuar paraburgimin për shkak se nuk ka kurrfarë lidhje me Azem Sylën.

Për fatin e gjashtë të arrestuarve të parë pritet që të vendoset sot nga Gjykata Themelore.

Lidhur me operacionin e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, kanë reaguar presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

 

Hetime për “Grupin e Azem Sylës”

Rreth 30 milionë euro vlerësohet dëmi që i është bërë buxhetit të Kosovës nga Azem Syla dhe “Grupi i tij”, të cilët kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare për biznes me toka shoqërore. Aksioni ka të bëjë me rastin e tokave në Veternik dhe Çagllavicë ku janë të përfshirë shqiptarë dhe serbë. Megjithatë, i dyshuari kryesor në këtë grup, deputeti i PDK-së, Azem Syla, duket se tashmë ka njoftuar autoritetet për vendndodhjen e tij.

Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, Syla gjendet në Shqipëri dhe pikërisht sot ka paralajmëruar rikthimin e tij tek autoritetet kosovare. Ndërkohë nga informatat që “Zëri” ka marrë në Shqipëri, hera e fundit kur Syla ishte futur zyrtarisht në territorin shqiptar ka qenë para pesë vjetëve.

Ish-komandanti i UÇK-së, tani deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Azem Syla, vetëm para pak ditësh kishte demantuar lajmin se ai është uzurpator.

Përmes zyrës së PDK-së, Syla kishte reaguar duke thënë se është një person tjetër i cili kishte uzurpuar prona.

“Fatkeqësisht ky nuk është rasti i parë që emri im përdoret në forma të tilla të padrejta, të cilat kanë për qëllim dëmtimin e personalitetit tim, familjes dhe miqve të mi”, kishte thënë ndër të tjera Syla.

Ndërkohë të dyshuarit për krim të organizuar nuk janë vetëm shqiptarë. Bashkëpunëtori kryesor i Azem Sylës, në shpronësimin e dhjetëra hektarëve tokë të shtetit, ka punuar për 17 vjet si polic i Serbisë në Prishtinë dhe quhet Vidosav Novakoviq, i njohur si Nesha. Sipas raportimeve të “Insajderit” Novakoviq dyshohet se me anë të dokumenteve të falsifikuara ka bartur tokat e ndërmarrjes KBI “Kosova Export” në emra të serbëve. Pas kësaj, ato prona dyshohet se me anë të vendimeve të paligjshme gjyqësore janë bartur në emra të pronarëve shqiptarë.

Të dyshuarit kryesorë në këtë rast përbëjnë një listë prej 52 personash, ndërsa ndër emrat kryesorë janë edhe këta: Azem Syla, Shaban Syla, Ilaz Syla – djali i Shaban Sylës, Arton Vila, shofer i Azem Sylës, ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, Tefik Uka – axha i Nuhi Ukës që ka punuar referent në Gjykatë, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, avokati Eduard Gashi, avokati Mexhid Syla, avokati Avni Naxhuni, bashkëshortja e tij, Shqipe Maxhuni, Hajrullah Berisha, Dragan Maksimoviq dhe Vukashin Steviq nga  Llapnasela.

 

EULEX-i: Grupi kriminal i kryesuar nga Azem Syla

EULEX-i përmes një komunikate për medie, kanë thënë se dje rreth 350 policë kanë bastisur rreth 42 lokacione, që lidhen me 40 të dyshuar të një hetimi penal që është duke vazhduar. Gjashtë persona janë arrestuar gjatë operacionit dhe ata do të paraqiten sot më vonë para Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Sot, më 27 prill 2016, u krye një operacion kërkimi dhe arrestimi në kuadër të një hetimi penal, në vijim e sipër të PSRK-së, duke e zbatuar urdhrin e një gjyqtari të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës, të lëshuar më 26 prill 2016”, thuhet në komunikatën, e cila vazhdon.

“Rreth 350 policë kanë bastisur rreth 42 lokacione, që lidhen me 40 të dyshuar të një hetimi penal që është duke vazhduar. Gjashtë (6) persona janë arrestuar gjatë operacionit dhe ata do të paraqiten sot më vonë para Gjykatës Themelore të Prishtinës”, thuhet në komunikatë.

Sipas EULEX-it, hetimi ka të bëjë me një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më sot, i përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe nga Serbia, i kryesuar nga Azem Syla. “Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh, nëpërmjet veprimtarive kriminale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe dhënien e ryshfetit për zyrtarët publikë. Të dëmtuarit janë buxheti i shtetit të Kosovës dhe familjet serbe të Kosovës, autorizimi i  të cilëve për të dhënë parcelat e tokave me qira është keqpërdorur nga grupi i organizuar kriminal”, thuhet më tej.

Sipas EULEX-it, rasti përfshin veprat penale të krimit të organizuar: Pastrim parash; keqpërdorim i pozitës zyrtare; falsifikim i dokumenteve zyrtare; dhe dhënie dhe marrje e ryshfetit. Urdhrat për arrest në lidhje me disa të pandehur nuk janë ekzekutuar, pasi që këta të pandehur janë arratisur ose janë jashtë vendit.

 

Thaçi: Të përfshirët të bashkëpunojnë me Prokurorinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dje ka reaguar menjëherë pas bastisjeve për krim të organizuar nga ana e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës. Presidenti Thaçi ka përshëndetur aksionin duke thënë se e mbështet fuqishëm atë.

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është çelësi i ndërtimit të shtetit demokratik e të drejtë, çelësi i së ardhmes sonë evropiane. Pres nga të gjithë ata që janë të përfshirë në rastet gjyqësore t’i ofrojnë bashkëpunim të plotë Policisë dhe Prokurorisë”, ka shkruar presidenti Thaçi në “Facebook”.

Ndërkohë, ka reaguar edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai ka thënë se ka më shumë se dy vite që flasin për atë që ka ndodhur në Komunën e Prishtinës, prej ndërtimeve pa leje e deri te tjetërsimet e pronave komunale.

“Kemi thënë që shifrat janë marramendëse. Kemi deponuar kallëzime penale e kemi kërkuar hetime urgjente. Krimi i organizuar ka qenë i thellë dhe gjithëpërfshirës. Këto bastisje që po ndodhin sot tashmë kanë prekur edhe ish-drejtuesit në Komunë e ndërmarrje publike të Prishtinës. Sabedin Haxhiu ka qenë edhe drejtor në Kadastër edhe drejtor i Ndërmarrjes Publike Banesore”, ka thënë Ahmeti. I pari i Prishtinës ka thënë se pas këtij aksioni ata do të jenë edhe më të ashpër në luftën ndaj krimit. “Ne nuk do të ndalemi në këtë luftë kundër krimit, korrupsionit dhe të këqijave në vendin tonë”, ka thënë Ahmeti.

 

Uka nuk ka lidhje me Azem Sylën

Sot Gjykata Themelore në Prishtinë pritet që të marrë vendim për shqiptimin ose jo të masës së paraburgimit prej 30 ditësh për Nuhi Ukën dhe pesë personat e tjerë të arrestuar. Uka sikur edhe personat e tjerë të arrestuar dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tyre për tjetërsimin e pronave shoqërore. Megjithatë, avokati i Nuhi Ukës, Tahir Rracaj, i ka thënë “Zërit” se klienti i tij ka kundërshtuar paraburgimin.

“Prokurori ka kërkuar një muaj paraburgim. Ata e kanë kundërshtuar sepse nuk ka kurrfarë prova. Klienti Nuhi Uka nuk ka asnjë lidhje me Azem Sylën”, ka thënë Rracaj.

Nuk është hera e parë që Nuhi Uka akuzohet për të njëjtën lëndë. Edhe në vitin 2014, ish-kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, bashkë me tetë të pandehur të tjerë ishte ngarkuar mes tjerash edhe për krim të organizuar dhe themelim të një grupi kriminal.

Uka ishte gjykuar edhe për shtytje dhe nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore në një rast tjetër, ku dyshohet se dëmtuan ndërmarrjen KBI “Kosova Export” me tjetërsimin e pronave të saj. Uka më 9 shtator 2014, ishte dënuar me kusht nga Gjykata Themelore në Prizren dhe nuk kishte kaluar asnjë ditë në burg.

Ai ishte gjetur fajtor për shpronësimin e tokave që gjendeshin në “Veternik”, Çagllavicë, e Llapnasellë, duke u dënuar me 2 vjet burgim me kusht dhe me mosushtrim të profesionit për 3 vjet. (zeri)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>