Bashkimi Europian ka publikuar një sondazh në faqen informuese mbi liberalizimin e vizave për në vendet e zonës “Schengen”, përmes të cilit kërkon të marrë mendimin e lexuesve dhe anketuesve se, cili prej 4 vendeve, me të cilat BE-ja është në negociata për heqjen e vizave, do të duhet ta fitojë më parë një lehtësim të tillë.
Bëhet fjalë për Kosovën, Turqinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë, vende të cilat prej kohësh diskutojnë me institucionet e Bashkimit Europian për të përfituar nga lëvizja e lirë e shtetasve të tyre në zonën “Schengen”.
“BE-ja ka zhvilluar një dialog për liberalizim vizash me Turqinë, Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Kosovën, ndërsa së fundmi institucionet tona janë shumë pranë hapave konkretë drejt rekomandimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e tyre, në mënyrë që të lëvizin të lirë brenda territorit të ‘Schengen’-it”, thuhet në përshkrimin esondazhit.
Nuk dihet ende sesa do të zgjasë sondazhi, por të gjithë shqiptarët kudo ndodhen kanë mundësi të kontribuojnë me një votë “online” për liberalizimin e vizave me shtetin e Kosovës, gjë që realisht është paralajmëruar prej disa ditësh dhe që pritet të bëhet realitet në një të ardhme të afërt.
/ Top Channel