Policia e Shtetit pranoi se ka një operacion antidrogë i cili është duke u zhvilluar në bashkëpunim me policinë greke, DEA-n amerikane dhe me forcat policore të disa vendeve europiane.
Operacioni konsiderohet si ndër më të mëdhenjtë kundër trafikimit të lëndëve narkotike në rajon dhe BE. Policia nuk bën të ditur shumë detaje të këtij operacioni për shkak se konsideron se do të cënoheshin hetimet, për të cilat saktëson se kanë nisur disa muaj më parë dhe përfshijnë një shkëmbim intensiv të dhënash, por edhe përgjimesh.
Pavarësisht se pranon pjesëmarrjen në këtë operacion të gjerë, policia shqiptare nuk jep asnjë të dhënë nëse një ndër emrat më të përfolur në këtë organizatë, Klemend Balili, i denoncuar nga Partia Demokratike.
“Rasti më i fundit është drejtori i Transportit në Sarandë, Klemend Balili, të cilin autoritetet greke dhe shërbimet e partnerëve ndërkombëtarë, e kanë cilësuar si një ndër kokat e një organizate kriminale të narkotrafikut. Klemend Balili është konsideruar nga mediat greke si baroni i drogës apo ‘Escobari i Ballkanit’”, deklaroi më herët deputeti Arben Ristani.
Në reagimin e saj, Policia e Shtetit shqiptar shpreh indinjatë rreth akuzave “tërësisht abuzive” nga Partia Demokratike.
“Teksa rezultatet e këtij operacioni po dalin në dritë, Partia Demokratike hedh akuza ndaj disa drejtuesve të Policisë së Shtetit, të cilët kanë marrë pjesë aktivisht në këtë operacion e janë pjesë e rezultateve të tij”, ka deklaruar ajo.
Policia ka cituar një deklaratë të policisë greke më 10 maj 2016 për këtë operacion, ku theksohet bashkëpunimi policor i Shqipërisë. Policia e Shtetit e mbyll deklaratën e saj duke i kërkuar partive politike të ndalin “sulmet dhe shpifjet e pabaza”.
/ Top Channel